Kosova ofron shumë mundësi për turizëm
Kosova ofron shumë mundësi për turizëm
17.02.2017 | 15:24
Kosova ka shumë vende interesante për t’u vizituar dhe ajo çfarë e dallon është mikpritja.
Kështu është thënë nga delegacioni i Kosovës në Forumin Botëror të Turizmit që po mbahet në Stamboll. “Kosova është një shtet i ri dhe i vogël por shumë mikpritës”, ka thënë udhëheqësi i divizionit për turizëm Hysen Sogojeva.
Në prani të ministrave e mysafirëve të shumtë nga vende të ndryshme botërore, delegacioni kosovar i prirë nga zëvendësministri i Tregtisë e Industrisë (MTI), Avni Kastrati, patën rastin për të prezantuar Kosovën gjatë takimeve dhe konferencave të shumta. "Kosova ofron natyrën me male të bukura, qytete të vjetra e kulturore, rini e festivale të ndryshme. Në Kosovë po ashtu gjenden restorante me ushqim të llojllojshëm e tradicional që i shijojnë shumë turistet”. Udhëheqësi i departamentit të turizmit Sogojeva, ka potencuar po ashtu se Kosova përbëhet nga shumica shqiptare prandaj edhe në Kosovë të gjithë mysafirët mund të hasin në mikpritjen e njohur shqiptare.
Ndërsa zëvendësministri i MTI-së, Avni Kastrati është duke e shfrytëzuar këtë forum edhe për takime me delegacione të ndryshme nga e gjithë bota, për të biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe investimeve. Pas Stambollit, forumi i ardhshëm botëror i turizmit do të mbahet në Dubai. (RTK)
List of videos