Dy vende që nuk doni të jeni aty - Playa La Boca dhe Santa Lucia
Dy vende që nuk doni të jeni aty - Playa La Boca dhe Santa Lucia
17.02.2017 | 12:28
Reportazh nga udhëtimi im në Kubë (3)
Adrian Përnoka
 
Pas mëngjesit ne vazhduam për në regjionin e Las Tunas, përkatësisht po e kërkonim një fshat të vogël, që quhej Playa la Boca. Dëshironim që aty, në atë fshat pothuajse të harruar peshkatarësh, ta takojmë Santiagon e Hemingwayt. Pas disa orëve udhëtimi të mundimshëm me Gilleen tonë kineze, arritëm së pari ta shohim oqeanin atlantik. Fshati shtrihej në anën lindore të Kubës. Në hyrje të fshatit, dy a tri kilometra, pamë asfaltin të shkatërruar nga ndonjë uragan. Pamja e oqeanit ishte shumë e bukur, plazhe të virgjëra. Pastaj disa shtëpia të braktisura në hyrje të fshatit. Ky fshat dukët të jetë i goditur çdo katër a pesë vjet nga ndonjë uragan i fortë. D. na doli të ishte një navigator dhe lexues harte shumë i zoti. Ai edhe ashtu ishte shumë inteligjent dhe, para së gjithash, ishte i ndershëm dhe njeri shumë i lehtë. J. lexonte në Kindl gati gjatë tërë udhëtimit nga “Ditari i Motoçikletës” së Che Guevarës dhe nevrikosej se pse libri titullin e ka kështu, por ngjarja zhvillohet shumë pak në motoçikletë. Nejse...
Arritëm në fshatin piktoresk, Playa la Boca. Dhe, si me porosi, në mes të fshatit, na doli para “Santiago” i Hemingwayt, një peshkatar i moçëm, që e kishte zënë një Barracuda gati një metër të madh dhe donte të na e shiste për tetë CUC. E mirë, por si ta përgatisnim? E zonja e shtëpisë, kur qëndruam atë natë, nuk ishte edhe aq e afërt, pasi ndoshta edhe nuk ishte mësuar të shihte shumë turistë dhe s’deshi të na e përgatisë peshkun, kështu që vendosëm të darkojmë në një Paladar. Por ishte ende pa përendur dielli. U vendosëm në Casa Particulari, pastaj dolëm të lahemi pakëz dhe ta shijojmë perëndimin e diellit. Ishte magji dhe ne bëmë shumë fotografi. Pastaj unë dhe J. (po them unë edhe J. të pranishëm ishin edhe bashkëshortja ime dhe D., por ata nuk pinin - mikeshë të gotës e kisha gjithmonë J.) në barin e fshatit e pimë një shishe verë, njëfarë vera e ëmbël - ishte hera e parë që unë dhe J. nuk pimë “Ron” së bashku. U bëmë bukur shumë qejfli. J.-in mund ta duroja vetëm kur pinim, përndryshe ishte tepër e pashoqërueshme, ama kur pinte, vetëm atëherë gjallërohej dhe dilte nga vetja. Ishte rritur në pasuri dhe edhe pse po udhëtonte lirë, vërehej llastimi nga pak, e që e kanë vajzat që vijnë nga derë e kamur. Por më dukej që ajo, pasi i kishte prindërit e ndarë kah moti, e kishte krijuar njëfarë muri mbrojtës dhe ishte shumë e vështirë të depërtoje në mendjen e saj dhe kështu ta definoje çfarë njeriu është dhe mua më pëlqente shoqëria e saj vetëm kur pinim “Ron” së bashku dhe ende nuk e di, se cili është uni i saj i vërtetë, kur ishte e dehur apo kur ishte esëll.
Më të perënduar dielli, pa një pa dy i gjithë fshati u bë si i vdekur. Njerëzit u mbyllën nëpër shtëpi dhe vetëm ne turistët e mjerë bridhnim plazhit. Menduam se mos kemi ardhur në një nga ata fshatrat e filmave horror, kur më të ikur dielli dalin Zombiet jashtë dhe sulmojnë njerëzit, por jo kësaj herë në vend të Zombieve na sulmuan mushkonjat, apo siç i quanin kubanët “Mosquitos”. Kishim marrë sprej kundër mushkonjave, por nuk hynte në punë. Unë madje as që u leva me të. Nuk e di a kam përjetuar ndonjëherë ndonjë sulm të tillë në jetë. U mbyllëm në shtëpi dhe luajtëm letra deri vonë. J. iku e para dhe na la. Mbijetuam disi. Të nesërmen ikëm shumë herët nga ai fshat i “mallkuar” të cilin miku ynë belg D. e quajti “very mosquitoisches”. Por ishte një eksperiencë interesante.
U ndalëm në Puero Padre, 30 Km larg fshatit “Mosquitoisches“. Hëngrëm mëngjes dhe vazhduam për në Santa Lucia. Santa Lucia në shikim të parë dukej një pjesë e bukur bregdetare, por kur shihje resorët turistikë, ta kujtonin “Hotelin Grand” të Prishtinës menjëherë pas luftës, me atë mykun komunist edhe të pa fshirë nga ndonjë dorë e ndonjë moleri të zotin. Por kishte mjaft turistë edhe pse ende nuk e dije se si mundet njeriu vullnetarisht ta vizitojë këtë ishull magjepsës dhe të qëndrojë në një resor të tillë. Por atë ditë s’luajtëm nga aty. Gjetëm një shtëpi komplet vetëm për ne dhe mikpritësi kuban madje edhe gatoi darkë për ne. Ishim direkt në plazh, por nga algat e tepërta, që më vite nuk ishin pastruar, atë plazh mund ta përdorte njeriu vetëm për “windsurfing“. U zhgënjyem dhe në zhgënjim e sipër unë dhe J. e sosëm një shishe “Havanna Club 11 Anos”. U bëmë tapë dhe filluam ashtu një bisedë të zjarrtë rreth “të jesh dhe të mos jesh”. Madje unë ashtu i emocionuar, i lexova disa nga poezitë e mia. Bisedën e zhvilluam edhe pasdarke, derisa J. prapë iku e para dhe prapë na la ashtu si të hutuar. Ne shqiptarët jemi disi më të sensibilizuar në këtë aspekt dhe për hir të shoqërisë bëjmë shumë, por belgët ishin ndryshe. Nuk ishte edhe aq problem i madh. Interesant ishte fakti, sidomos për mua që nuk më kishte rastisë ta takoja një mashkull dhe një femër që vallëzonin, deheshin dhe flinin në një dhomë, madje edhe në një krevat, por ishin vetëm miq shumë të mirë dhe s’kishte asgjë seksuale mes tyre, madje ky fakt i çudiste edhe kubanët.
Të nesërmen J. shkoi për t’u zhytur. E kishte lejen e zhytjes dhe e bënte me kënaqësi, ndërsa ne shkuam në Playa del Coco. Rëra e bardhë, palmat e gjata dhe deti ngjyrë tirkizë - një ëndërr kubane. Vetëm sikur mos të ishin ato dy vajzat tepër të bukura, por edhe tepër të reja në moshë në shoqëri të dy pleqve evropianë barkmëdhenj dhe kuletëtrashë, idili i këtij plazhi do të ishte perfekte. Sikur të ishte dashuri të paktën, por ishte prostitucion - ishte gërdi dhe s’ishte hera e parë që shihja në Kubë skena të tilla. Nejse, meqenëse nuk ma duronte diellin qe përvëlonte, u futa në bar të plazhit dhe gati tërë ditën piva “Ron” dhe i bëra disa shënime. Kaloi dhe një ditë në parrizë.
 
Sankti Spiritus, një perlë e fshehur e plot sharmë kuban, apo thjesht Shpirti i shenjtë
 
Në mbrëmje nuk ndodhi asgjë që vlen të theksohet dhe të nesërmen u nisëm për në Sankti Spiritus. Rrugës hëngrëm drekë në një “Paladar” të gjithë ne, pra katër veta dhe paguam gjithsejtë 13 CUC. Mbërrimë në Sankti Spiritus dhe ky qytet më të vërtetë e meritonte këtë emër. Ishte si shpirti i shenjtë, i bukur i qetë, më shumë pak turistë dhe shumëngjyrësh. Një qendër të madhe e të bukur dhe një shëtitore plot art. Banuam në një “Casa Particular” shumë të bukur. Kishte një stil kolonial dhe ishte në formë rrethi, ku në hyrje ishte një portë shumë e madhe dhe e lartë e në mes ishte oborri dhe përreth oborrit ishin dhomat një nga një të renditura në mënyrë harkore. Aty darkuam nën qiellin e hapur. Në hyrje holli i shtëpisë dhe tavani ishin po ashtu tepër të lartë. Për herë të parë flemë qetë në Kubë. Përndryshe në çdo qytet na e prishnin gjumin zhurma e “oldtimer”-ave te provonin shoferët t’i ndiznin. Qëndruam vetëm një natë aty dhe atë natë e piva “Mojito”-n më të shijshëm në tërë Kubën në barin e quajtur “Yayabo” dhe J. prapë s’ishte me ne edhe pse ishte nata e fundit që do të qëndronim bashkë. Në mëngjes u përshëndetëm nga miqtë tanë belgë. Ata do të qëndronin edhe disa ditë aty, ndërsa ne donim të ktheheshim në Havana. U ndamë pa emocione, hëngrëm kafjall dhe ikëm sikur mos të i kishim kaluar pesë ditë bashkë, megjithatë i këmbyem kontaktet.
Rrugës për në Havana e morëm një kubane 25-vjeçare, ishte mësuese dhe paguhej 20 CUC në muaj. Nuk e fliste asnjë fjalë anglisht, madje kur e pyesnim diçka brenda kontekstit të ndonjë teme që ishim më mundim duke e zhvilluar, as në spanisht nuk kuptonte asgjë. Ishte shumë e dashur, por ama edhe nuk ia rrokte hiq bre, asnjë fjalë të vetme në gjuhën angleze nuk e fliste. Udhëtoi me ne gati katërqind kilometra deri në Havana. Është interesant fakti që, gati çdo kuban që e kemi takuar, ne kishim parë më shumë nga Kuba për dy javë qëndrim, së sa ata gjatë tërë jetës. Shumica e njerëzve që i kemi takuar në Havana, kurrë s’kanë qenë për shembull përtej Trinidad de Cuba e që është diku 300 km larg Havanës. Por, kjo mësuesja jonë, kishte qenë deri në Santiago de Cuba, pasi bashkëshortin e kishte shofer të autobusit që transportonte turistët. Nejse tash as unë për shembull s’kam qenë kurrë në Malishevë, por ama Kuba me tërë ato bukuri, e të mos jetë e vizituar nga çdo kuban - e dhimbshme kjo!
 
Rikthimi në Havana dhe të miqtë tanë kubanë
 
Në Havana prapë, atë mbrëmje kërkonim “Casa Particular”, pasi nuk kishim rezervuar fare. Takuam të vendi i tij ku priste turistët për t’i joshur në Paladarin e tij Jorgen apo Totin, siç e thërrisnin miqtë. Na e gjeti një “Casa Particular”, një apartament në qendër të qytetit të vjetër, por që kësaj herë nuk kishim askënd të na gatuante, meqenëse qiradhënësit nuk jetonin aty. Na u prishë pak qejfi. Pasi u rehatuam, shkuam në një bar aty afër. Si çdo bar tjetër edhe ky mundohej të na e shiste “Mojiton” më të mirë “in Town”. Pranë barit aty jashtë, vallëzonte nën ritmet e muzikës kubane, një zonjë plakë rreth të tetëdhjetave. Jetonte aty afër dhe çdo natë vallëzonte aty tek ai bar. “Jeta ime është vallëzim”, më tha plot ngazëllim.
Të nesërmen ishim të ftuar në ditëlindje të Jesus Jr., djalit të dytë të mikut tonë Jesus. Nuk ishte kushedi çfarë ceremonie. Tortë, salsa, rum dhe ngrohtësi familjare. Unë i pagova “habanot”, “humidorin” dhe “rumin” qe e kisha porositë te Jesus qysh në fillim të udhëtimit. Më vonë ne rinia shkuam në një “club”, në të cilin qëndronin vetëm kubanët. Mendonim se do ishte si në filma, salsa dhe “dirty dansing”, por jo. Të rinjtë kubanë, sidomos ata që i kishin familjet pak më të pasura, qoftë nga të afërmit në diasporë a qoftë nga se punonin me turistë, visheshin dhe festonin si të rinjtë perëndimorë. Në dy klubet që i vizituam, dominonte muzika perëndimorë dhe “Cubaton”-i e shumë pak salsa apo muzika “Son” dhe për të mos shkuar ndoshta aq larg, por mua disi mu bë sikur në këto klube pash shumë snobë, por për ne që çdo gjë në Kubë e lidhnim më nostalgji dhe romantizëm dhe na pëlqente, për kubanët eksituese ishte jeta perëndimore. Sidoqoftë e kaluam një natë të mrekullueshme me miqtë tanë dhe festuam deri në 6:00 të mëngjesit. Të nesërmen ishim aq të lodhur saqë nuk bëmë asgjë që vlen të theksohet, përveçqë brodhëm rrugëve plot sharmë të Habana Vieja dhe nëpër Malecon.

Fundi, ndoshta i një fillimi!

Dhe erdhi edhe dita e fundit e udhëtimit tonë në Kubë. Fluturimin e kishim në orën 23:00 dhe ditën vizituam kështjellën e Moronit, aty ku e kishte shtabin dikur Che Guevara dhe ku ishin ekzekutuar qindra antirevolucionarë, me apo pa gjykim, jo rrallë edhe nga vetë dora e kryerevolucionarit Che. Nuk e di pse, por m’u kujtua edhe koha e pasluftës në Kosovë. Nejse, i ramë edhe pak nga vila e Ches. Pastaj morëm një “oldtimer” me shofer që na çoi deri në pjesën e vjetër të Havanës. Në mbrëmje na kishte ftuar në darkë Jesusi dhe familja e tij dhe për ne kishte gatuar bashkëshortja e tij Jacqueline. Hëngrëm darkë tipike kubane, më oriz, mish derri të pjekur dhe banane të fërguara si dhe “Flan” për desert. Kaluam shumë bukur. Pastaj erdhi çasti i ndarjes. U ndamë të mërzitur madje Jacqueline na përshëndeti me lot në sy. Miku im Jorge na e organizoi një mik të vetin që të na përcillte me makinën e tij deri në aeroportin Jose Marti. Jorgen e lashë në pritje, në pritje të hapjes së Kubës, sepse këtë e ëndërronte qysh në moshën e adoleshencës. Kuba e hapur, një “Cuba Libre” e re e riçliruar. “Nuk e di së a do ta përballojë kjo shoqëri e ngrohtë kapitalizmin”, i thashë Jorges dhe u përqafuam. Ne ikëm nga Havanna. Ikëm nga Kuba. Bashkë më shpresën se një ditë të kthehemi prapë, siç bën çdo i dashuruar për të dashurën e tij të vështirë dhe Kuba, oh po që është një dashnore e vështirë, por ah dhe bukuria e saj s’lë hapësirë për të dëshiruar më tepër! (FUND)
List of videos