Dërguti: Për çështje nacionale do të bashkëpunojmë me Qeverinë
Dërguti: Për çështje nacionale do të bashkëpunojmë me Qeverinë
15.09.2017 | 12:01
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Aida Dërguti, ka bërë me dije se vartësia e Qeverisë së re nga Lista Serbe rrezikon interesin e Kosovës.
Megjithatë, ajo ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje! është e gatshme të bashkëpunojë me Qeverinë e re për interesa nacionale të vendit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje! nuk do të votojë asgjë që është e dëmshme për vendin. “Ne vazhdimisht jemi angazhuar për mbrojtjen e interesit të Kosovës dhe këtë do ta bëjmë çdo herë. Lëvizja Vetëvendosje! nuk voton asgjë që dëmton interesin e vendit, kurse është e gatshme që për çështje nacionale të bashkëpunojë me qeverinë, nëse kjo e fundit është e vendosur për mbrojtjen e interesit nacional”, ka thënë Dërguti.
Deputetja e LV-së ka deklaruar se numri i vogël i deputetëve që kanë partitë politike të koalicionit qeverisës tregojnë se kemi të bëjmë me një Qeveri të pakicës. Sipas saj, Kosova në këtë mandat do të ketë një Qeveri të pakicës. “Krejt kësaj i shtohet edhe Lista Serbe e cila, me qëllim të demonstrimit të fuqisë së saj, u vonua në seancën konstituive, me ç’rast ia dëshmoi opinionit dhe partnerëve të koalicionit peshën dhe rëndësinë në këtë Qeveri. Kjo Qeveri e pakicës shqiptare, së bashku me të gjitha minoritetet, mezi arrin shumicën e thjeshtë e që duket të jetë një fillim i keq”, ka thënë Dërguti. Në këtë intervistë, Dërguti ka folur edhe për bashkëpunimin që kjo lëvizje mund të ketë me LDK-në në këtë mandat. Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! gjithmonë do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe bashkërendim me partitë opozitare. “Edhe këtë herë shpresoj të kemi opozitarizëm të mirëfilltë e përmbajtjesor dhe në mbrojtje të interesave të vendit e të qytetarëve. Edhe në dy mandatet e kaluara, edhe kur kemi qenë opozitë më e vogël, ne kemi treguar gatishmëri për bashkëpunim e koordinim. Falë një koordinimi dhe bashkëpunimi të mirëfilltë u mundësua që në mandatin e kaluar t’i ndalim marrëveshjet e dëmshme, ani pse kishim përgjysmë më pak deputetë”, ka thënë Dërguti.
 
“Epoka e re”: Qeveria e re sapo ka marrë besimin në Kuvend. Cili është mendimi juaj rreth formimit të kësaj Qeverie dhe përbërjes së saj?
Dërguti: Për herë të parë që nga paslufta shumica shqiptare ndodhet në opozitë. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nga partia që ka fituar vetëm 23 ulëse, zgjedhja e kryeministrit nga partia që ka fituar vetëm 10 ulëse, ku çelësi i formimit të Qeverisë bëhet nga një parti e përbërë nga biznesmenë dhe estrada, e cila, po të garonte e vetme, nuk do ta kishte kaluar as pragun prej 5 %, rrjedhimisht nuk do të mund të futej fare në Kuvend, tregon se kemi të bëjmë me një Qeveri të pakicës. Krejt kësaj i shtohet edhe Lista Serbe, e cila, me qëllim të demonstrimit të fuqisë së vet, u vonua në seancën konstituive, me ç’rast ia dëshmoi opinionit dhe partnerëve të koalicionit peshën dhe rëndësinë e saj në këtë Qeveri. Kjo Qeveri e pakicës shqiptare, së bashku me të gjitha minoritetet, mezi arrijnë shumicën e thjeshtë e që duket të jetë një fillim i keq.
 
“Epoka e re”: Çfarë pritjesh ka Lëvizja Vetëvendosje! nga kjo Qeveri?
Dërguti: Me një konglomerat të tillë partish, interesash e qëllimesh, pa një program të mirëfilltë qeverisës, askush nuk mund të ketë pritje nga kjo Qeveri. Ne urojmë që kjo Qeveri jashtëzakonisht e dobët të mos ketë jetëgjatësi sepse sa më gjatë që të jetë kjo Qeveri në pushtet, çdoherë e më shumë do të jemi të varur nga Serbia.
 
“Epoka e re”: Pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje!, por edhe të spektrit tjetër politik, janë se kjo Qeveri do të jetë e varur prej Serbisë. Në rast se nga kjo vartësi rrezikohet interesi i Kosovës, a do ta ndihmojë LV-ja me votën e saj këtë Qeveri?
Dërguti: Dëmet më të mëdha që zakonisht vijnë prej Listës Serbe janë të definuara në marrëveshjen e koalicionit për Qeveri. Së pari duhet ta shohim marrëveshjen e koalicionit me Listën Serbe, në mënyrë që ta dimë se çfarë i është premtuar. Ne mendojmë se asnjë qeveri nuk duhet të jetë e varur nga Lista Serbe, dhe cilado që të jetë dhe kurdo që të jetë, sapo ta ketë hedhur firmën e marrëveshjes me të, ka firmosur fillimin e një të keqe të madhe. Pra, interesi i Kosovës rrezikohet që prej momentit kur Qeveria të jetë e varur nga Lista Serbe. Ne vazhdimisht jemi angazhuar për mbrojtjen e interesit të Kosovës, dhe këtë do ta bëjmë çdoherë. Lëvizja Vetëvendosje! nuk voton asgjë që dëmton interesin e vendit, kurse është e gatshme që për çështje nacionale të bashkëpunojë me Qeverinë, nëse kjo e fundit është e vendosur për mbrojtjen e interesit nacional.
 
“Epoka e re”: Qysh në mbledhjen e parë kjo Qeveri ka shkarkuar komisionin për demarkacion dhe kryetarin e këtij komisioni, z. Meha, e në vend të tij ka propozuar z. Bulliqi, pikëpamjet e të cilit i keni përkrahur në mandatin e kaluar. Një veprim i tillë sa ju jep shpresë se kjo çështje do të zgjidhet në mënyrë të drejtë?
Dërguti: Shkarkimi i z. Meha dhe emërimi i z. Bulliqi ka qenë veprim i duhur. Derisa për z. Meha e kemi thënë edhe më herët se duhet të mbahet përgjegjës për versionin aktual të demarkacionit dhe dëmin që e sjellë me të. Po ashtu, konsiderojmë se është jokredibil për t’u marrë me këtë çështje. Ndërkaq, uroj që z. Bulliqi do të jetë konsistent në qëndrimet e tij karshi demarkacionit.
 
“Epoka e re”: Cili do të jetë bashkëpunimi i LV-së me LDK-në në këtë mandat? Do ta koordinoni aktivitetin opozitar?
Dërguti: Ne si gjithmonë jemi të hapur për bashkëpunim dhe bashkërendim me partitë opozitare. Edhe këtë herë shpresoj të kemi opozitarizëm të mirëfilltë e përmbajtjesor dhe në mbrojtje të interesave të vendit e të qytetarëve. Edhe në dy mandatet e kaluara, edhe kur kemi qenë opozitë më e vogël, ne kemi treguar gatishmëri për bashkëpunim e koordinim. Falë një koordinimi dhe bashkëpunimi të mirëfilltë u mundësua që në mandatin e kaluar t’i ndalim marrëveshjet e dëmshme, ani pse kishim përgjysmë më pak deputetë. Tani jemi partia më e madhe në Kuvend me 32 deputetë dhe sigurisht se opozita do të jetë shumë më e fuqishme, ndaj presim që edhe LDK-ja të tregojë konstuktivitet në bashkëpunim.
 
(Muhamet KOCI)  
List of videos