Gashi: LAA dhe LV-ja po bëjnë spektakël duke thirrur seanca
Gashi: LAA dhe LV-ja po bëjnë spektakël duke thirrur seanca
14.08.2017 | 18:22
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), profesori universitar Ibrahim Gashi, ka thënë të dielën se thirrja e seancave nga kryesuesi i përkohshëm pa u marrë vesh me PAN-in është më tepër spektakël i opozitës për ta hedhur fajin tek PAN-i për, siç thuhet, “bllokim të Kuvendit”.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive paraprakisht duhet konsultuar PAN-i. “Mendoj që sa i përket pozitës se kryeparlamentarit çdo gjë është e qartë nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese tre vjet më parë. Kjo pozitë i takon partisë, respektivisht koalicioni paragjedhor që ka marrë më së shumti vota. Në rastin konkret kjo e drejtë ekskluzivisht i takon PAN-it, prandaj derisa PAN-i të ketë vendosur për emrin e kandidatit për kryeparlamentar nuk ka kuptim thirrja e seancës konstituive. Pra, për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive duhet konsultuar PAN-i. Thirrja e seancave nga kryesuesi i përkohshëm pa u marrë me PAN-in është më tepër spektakël i opozitës për ta hedhur fajin tek PAN-i për, siç thuhet, ‘bllokim të Kuvendit’”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka shprehur optimizëm se koalicion PAN do të mund t’i sigurojë së paku edhe dy vota nga deputetët individualë dhe do të arrijë t’i krijojë institucionet e reja. “Nuk ka asnjë dilemë që PAN-it i takon propozimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe mandatari për krijimin e Qeverisë. Unë jam i prirë të besoj se PAN-i do të sigurojë edhe së paku dy vota nga deputetët individualë dhe do arrijë t’i krijojë institucionet”, ka theksuar Gashi. Ai ka folur edhe për rolin e AKR-së dhe liderit të saj në këtë proces, duke thënë se për aq sa e njeh Pacollin, ka pritur se do ta reflektojë kulturën e tij institucionale në situatën e krijuar, siç ka bërë edhe në të kaluarën.
Bazuar në thirrjen e Pacollit që institucionet të formohen sa më shpejt, Gashi ka vlerësuar se Pacolli nuk është duke reaguar për përfitime të tij apo të AKR-së, por për interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. “Duke e njohur nga afër z. Pacolli, kam pritur që ai do ta reflektojë kulturën e tij institucionale edhe në situatën e krijuar, siç e ka bërë më se një herë në të kaluarën. Ai fillimisht, për ta evituar largimin e tij nga LAA, bëri thirrje për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe vetëm pasi kjo thirrje e tij nuk u mor seriozisht nga aktorët e tjerë politikë, ai bëri një hap më tej duke kërkuar që më shpejt të krijohen institucionet dhe duke paralajmëruar se AKR-ja nuk mund ta vëzhgojë pafundësisht status quon e krijuar. Mendoj se ai këtë reagim po e bën jo për përfitime të tij apo të subjektit të tij, por në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Në pyetjen nëse është i gatshëm të marrë përgjegjësi qoftë në kuadër të kryesisë së PDK-së apo edhe në qeverisjen e ardhshme, Gashi ka shprehur gatishmëri ta japë kontributin e tij kudo që e sheh të arsyeshme kryesia e PDK-së dhe lideri i saj. “Përderisa jam anëtar i PDK-së sigurisht se mbetem në dispozicion edhe të kryesisë edhe të qeverisjes së ardhshme, për aq sa e vlerëson dhe e kërkon kreu i partisë. Konsideroj se deri më tani, sa herë që është kërkuar kontributi im, jam përkushtuar ta jap atë për të mirën e subjektit që i takoj, edhe pa pasur ndonjë pozitë në kryesi apo në qeveri”, ka deklaruar Gashi.
 
“Epoka e re”: Z. Gashi, çfarë vlerësimi keni për situatën e krijuar politike pas zgjedhjeve të 11 qershorit, pasi nuk kemi fitues absolut?
Gashi: Rezultatet e zgjedhjeve të fundit, siç konstatoni edhe ju, nuk kanë nxjerrë një forcë politike apo koalicion që mund të thuhet se është fitues i këtyre zgjedhjeve, në masën sa i vetëm mund të krijojë qeverinë. Për pasojë kemi një pozicionim të tillë të partive dhe koalicioneve kryesore që secili pretendon se i takon ta krijojë qeverinë, por si i vetëm këtë e ka të pamundur. Në rastin konkret koalicioni që mori më së shumti vota (PAN) nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave për të krijuar bashkë me pakicat qeverinë dhe është në kërkim të së paku dy votave të deputetëve individualë.
 
“Epoka e re”: Ju keni qenë pjesë e politikës për shumë vite dhe tash jeni pjesë e PDK-së, por kemi një situatë kur koalicioni fitues PAN-i nuk ka fituar shumicën për t’i krijuar institucionet. A do të mundet PAN-i me këta numra t’i formojë institucionet duke kërkuar vota nga deputetët individualë?
Gashi: Nuk ka asnjë dilemë që PAN-it i takon propozimi i kryetari të Kuvendit të Kosovës dhe mandatari për krijimin e qeverisë. Unë jam i prirë të besoj se PAN-i do të sigurojë edhe së paku dy vota nga deputetët individualë dhe do të arrijë t’i krijojë institucionet.
 
“Epoka e re”: Po kërkesa e opozitës për ta kushtëzuar PAN-in rreth kandidatit për kryeparlamentar është korrekte, sepse ka akuza nga të dyja palët se po bllokohet Kuvendi?
Gashi: Mendoj që sa i përket pozitës së kryeparlamentarit çdo gjë është e qartë nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese tre vjet më parë. Kjo pozitë i takon të propozohet nga partia, respektivisht koalicioni paragjedhor që ka marrë më së shumti vota. Në rastin konkret kjo e drejtë ekskluzivisht i takon PAN-it, prandaj derisa PAN-i të ketë vendosur për emrin e kandidatit për kryeparlamentar nuk ka kuptim thirrja e seancës konstituive. Pra, për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive duhet konsultuar PAN-i. Thirrja e seancave nga kryesuesi i përkohshëm, pa u marrë vesh me PAN-in, është më tepër spektakël i opozitës për ta hedhur fajin tek PAN-i për, siç thuhet, ‘bllokim të Kuvendit’.
 
“Epoka e re”: Keni qenë bashkëpunëtor për disa vite i liderit të AKR-së, Behgjet Pacolli. Ju këto ditë keni shkruar edhe një deklaratë rreth reflektimit të Pacollit sa i përket krijimit të institucioneve. A do të duhej në këtë situatë Pacolli të largohet nga LAA dhe t’i bashkohet PAN-it?
Gashi: Duke e njohur nga afër z. Pacolli e kam pritur që ai do ta reflektojë kulturën e tij institucionale edhe në situatën e krijuar, siç e ka bërë më se një herë në të kaluarën. Ai fillimisht, për ta evituar largimin e tij nga LAA, bëri thirrje për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe vetëm pasi kjo thirrje e tij nuk u mor seriozisht nga aktorët e tjerë politikë, ai bëri një hap më tej duke kërkuar që më shpejt të krijohen institucionet dhe duke paralajmëruar se AKR-ja nuk mund ta vëzhgojë pafundësisht status quon e krijuar. Mendoj se ai këtë reagim po e bën jo për përfitime të tij apo të subjektit të tij, por në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.
 
“Epoka e re”: Nga përvoja juaj politike, sa do të mund t’i bënte ballë një qeveri me 61 vota temave të mëdha që e presin vendin, ku do të varej edhe nga deputetët e Listës Serbe?
Gashi: Është e vështirë të prognozohet e ardhmja e një qeverie, por sigurisht se një qeveri që ka nevojë imediate për votën e pakicave, kudo në botë, edhe në shtetet më demokratike, mund të ketë kushtëzime të caktuara për çështjet që kanë të bëjnë me pakicat. Kjo mund të ndodhë edhe në rastin e qeverisë që pritet të krijohet.
 
“Epoka e re”: Cili është pozicioni juaj aktual në PDK dhe a do të jeni i gatshëm të merrni përgjegjësi qoftë në kuadër të kryesisë së PDK-së apo edhe në qeverisjen e ardhshme?
Gashi: Përderisa jam anëtar i PDK-së sigurisht se mbetëm në dispozicion edhe të kryesisë edhe të qeverisjes së ardhshme, për aq sa e vlerëson dhe e kërkon kreu i partisë. Konsideroj se deri më tani sa herë është kërkuar kontributi im jam përkushtuar që ta jap për të mirën e subjektit që i takoj edhe pa pasur ndonjë pozitë në kryesi apo në qeveri.
 
(Shqipe HETEMI) 
List of videos