Kandidimi i Bekim Jasharit për Skenderaj, veprim i qëlluar
Kandidimi i Bekim Jasharit për Skenderaj, veprim i qëlluar
05.09.2017 | 11:56
Hasan Jashari, avokat, ish-luftëtar, tani veteran i UÇK-së dhe vëlla i njërit prej 55 dëshmorëve të rënë në luftën e Jasharëve të Prekazit në mars të vitit 1998, ka thënë se kandidimi i Bekim Jasharit për kryetar të Komunës së Skenderajt ka qenë veprim i qellur.
“Mendoj se dalja e Bekim Jasharit, djalit të heroit kombëtar Hamëz Jashari, kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Skenderajt, pa ngjyrime politike, është shumë e qëlluar. Familja Jashari me këtë veprim tregoi se, si çdoherë tjetër, është në interes të vendit dhe të paqes”, ka thënë Jashari në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”.
 
“Epoka e re”: Z. Jashari, si e shihni gjendjen aktuale politike në Kosovë?
Jashari: Vendi ynë sot ndodhet në krizë të thellë politike e, si duket, disa parti politike nuk po e shohin interesin e vendit dhe të qytetarëve të vet, por nuk mund të shihet ndryshe veç se një verbim i pakuptimtë i luftës për interesa personale të disa politikanëve në Kosovë. Ata nuk po mendojnë se çdo ditë Kosova po humbet miliona euro, në mungesë të institucioneve legjitime të vendit. Në këtë intervistë për gazetën tuaj të respektuar, si qytetar i Kosovës apeloj te lidershipi i vendit, individët pranë partive politike, t’i lënë inatet e interesat e tyre personale të ngushta partiake e grupore e t’u qëndrojnë besnikë votuesve të vendit dhe të qytetarëve e të gjejnë zgjidhje për formimin e institucioneve të vendit që shteti të ecë përpara.
 
“Epoka e re”: Deri më tani askush nga familja Jashari nuk ka shfaqur ambicie për t’u marrë me politikë, por tash Bekim Jashari i ka hyrë garës për kryetar të Komunës së Skenderajt si kandidat i pavarur?
Jashari: Dalja e Bekim Jasharit, djalit të heroit kombëtar Hamëz Jashari, kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Skenderajt, pa ngjyrime politike, është shumë e qëlluar. Shpresoj se më 22 tetor të gjithë votuesit e Komunës së Skenderajt do të dalin në zgjedhje, madje edhe ata votues ku në zgjedhjet nacionale nuk kanë dalë fare për arsye të ndryshme. Qytetarët e Skenderajt tani kanë filluar ta mbështesin dhe ndihen krenarë që do të kenë për kryetar një përfaqësues të familjes më të lavdishme. Bekimi mendoj se erdhi në momentin e duhur t’u shërbejë qytetarëve të Skenderajt. Familja Jashari me këtë veprim tregoi se, si çdoherë tjetër, është në interes të vendit edhe në paqe. Besoj se Bekim Jashari, porsa të zgjedhet kryetar i Komunës së Skenderajt e ta bëjë betimin para këshilltarëve të kuvendit të komunës, do të zgjedhë një ekip profesional dhe kredibil për ekzekutivin e komunës. Bekim Jashari është një djalë i shkëlqyer, me një personalitet që ka vlera të larta njerëzore, intelektuale e kombëtare. Pa dyshim ai do të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët e Komunës së Skenderajt. Besoj se Bekim Jashari do të bëjë ndryshime në Komunën e Skenderajt dhe do të jetë shembull edhe për kryetarët e komunave të tjera.

“Epoka e re”: Në çfarë e bazoni këtë besim për Bekim Jasharin?
Jashari: Atë që e ceka më lart, e bazoj se Bekimin e njoh shumë mirë që prej fëmijërisë, jemi të një lagje, e di mirë si është rritur, si është edukuar. Edhe sot është po ai Bekimi i edukuar. Edhe pse është djali i heroit, ai tregon modesti, maturi dhe karizëm lideri. Bekim Jashari këto vlera i ka trashëguar nga babai, Hamza dhe nga gjyshi, Shabani. Jam i sigurt se të gjithë qytetarët e Komunës së Skenderajt do të ndihen krenarë me zgjedhjen e Bekim Jasharit kryetar i Komunës së Skenderajt, i cili pa dyshim do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Skenderajt, pa dallim se cilit subjekt i përkasin apo fare nuk janë të rreshtuar në subjekte politike.
 
“Epoka e re”: Përveç madhështisë së Hamëz Jasharit në luftë, si e njihni figurën e tij?
Jashari: Siç e di edhe opinioni i gjerë, më 5, 6, 7 mars 1998 për lirinë e vendit tonë, pas tri ditë luftimesh, me policinë, ushtrinë dhe paramilitarët serbë kanë rënë 55 dëshmorë të lagjes sonë në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Kam pasur rastin që me Hamëz Jasharin dhe me mësuesin Qazim Jasharin, tani dëshmor, të punojmë bashkë si grup për interesa të lagjes. Më 1981, së bashku me Hamzën dhe mësuesin Qazim, patëm organizuar ndërtimin e rrugës nga lagjja jonë deri në Skenderaj me vetë kontributin tonë. Në kohën kur në Kosovë filloi pajtimi i gjaqeve, Hamëza propozoi që në lagjen tonë të organizoheshin pajtimet e gjaqeve dhe ngatërresave të fshatrave përreth. Ai propozoi që vendi ku u pajtuan shumë familje të Drenicës, të quhej “Fusha e Pajtimit”, fushë kjo që tani prehen trupat e 55 dëshmorëve të lagjes Jashari. Hamza ka pasur njohuri të gjithanshme në shumë fusha të ndryshme, ishte i afërt me çdo njeri, fjala e tij ka pasur peshë dhe vlerë, ka qenë bindës, intelektual e aktor në trupën teatrore të Skenderajt, strateg i madh i luftës çlirimtare që ndikoi edhe në formimin e UÇK-së, veprimtar i pajtimit të gjaqeve dhe, mbi të gjitha, patriot i madh i çështjes kombëtare.
 
“Epoka e re”: I kthehemi pak profesionit tuaj, çfarë mendoni për Gjykatën Speciale që tani pritet ta fillojë punën?
Jashari: Vetë mënyra e formimit të Gjykatës së Veçantë me seli në Hagë të Holandës tregon se është shumë e dëmshme për Kosovën, në veçanti për popullin shqiptar. Me funksionimin e kësaj Gjykate do të shtrembërohet historia e popullit tonë, ku nga viktimat qarqe të ndryshme provojnë ta shndërrojnë pjesë të krimeve. Zanafilla e themelimit të kësaj gjykate është bërë me paragjykime vetëm për një komunitet, gjë që është shumë e pa drejtë. Shkaktarë të formimit të kësaj gjykate i shoh UNMIK-un, EULEX-in dhe një pjesë të faktorit politik të Kosovës, të cilët kanë pasur kompetenca për ta bërë një gjykatë të tillë. E gjithë bota e di, se UÇK-ja ka bërë fillimisht një luftë vetëmbrojtëse, e më vonë luftë guerile për çlirimin e vendit. Lufta vetëmbrojtëse çlirimtare e UÇK-së i ishte imponuar popullit shqiptar nga terrori i pushtuesit serb. Bota demokratike, në krye me ShBA-në e NATO-n, duke e parë terrorin e pandërprerë shtetëror serb mbi popullatën civile, i doli në ndihmë UÇK-së dhe e fitoi luftën ndaj Serbisë. Por tani shtrohet pyetja e drejtë, se deri kur me aktakuza ndaj çlirimtarëve të vendit? Nga institucionet e Republikës së Kosovës kërkoj që sa më parë ta formojnë dhomën për mbrojtjen e pjesëtarëve të UÇK-së nga akuzat e pretenduara të Gjykatës Speciale.
 
“Epoka e re”: Pasi edhe ju ishit luftëtar, tani veteran i UÇK-së, çfarë mendoni për numrin e madh të veteranëve dhe të invalidëve?
Jashari: Ne që ishim pjesë e UÇK-së e dimë mirë se kush ishte pjesë e kësaj lufte. Tash jemi dëshmitarë se ky numër i veteranëve luftëtarë dhe invalidëve të UÇK-së është rritur jashtë çdo mase, andaj ish-komandantët e zonave operative duhet sa më shpejt t’i pastrojnë listat që njëherë e përgjithmonë të kryhet kjo punë, ata që kanë qenë pjesëtarë të vërtetë t’i gëzojnë ato përfitime e ato privilegje që janë të përcaktuara me Ligjin për Veteranë Luftëtarë dhe Invalidë të UÇK-së. Është e dhimbshme që për interesa të ngushta qoftë partiake apo personale të keqpërdoret kategoria më e lavdishme e popullit tonë që u sakrifikua për lirinë që sot po e gëzojmë.
 
Arbisa SHEFKIU
List of videos