Murati: Daçiqi po i frikësohet diasporës shqiptare
Murati: Daçiqi po i frikësohet diasporës shqiptare
11.01.2017 | 16:20
Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka vlerësuar se deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në lidhje me, “kinse sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”, janë vazhdimësi e luftës speciale që Serbia po bën ndaj Kosovës.
Ai ka thënë se diplomacia serbe po xhelozon në fuqinë dhe suksesin e diasporës shqiptare në vendet ku jeton, andaj i ka drejtuar sulmet ndaj saj.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ministri Murati ka paralajmëruar se shteti serb luftën speciale ndaj Republikës së Kosovës do ta vazhdojë edhe në të ardhmen me tërë kapacitetin që ka. “Diaspora jonë është jashtëzakonisht e integruar mirë në vendet ku jeton. Diaspora jonë po depërton në të gjitha shtresat ku jeton, qoftë në nivelin politik, publik, arsimor, ekonomik, sportiv dhe kulturor. Kjo vazhdon të jetë pengesë për Serbinë dhe politikën shoviniste të saj. Edhe në këtë rast z. Daçiq ka tentuar që në kuadër të përpjekjeve për ta destabilizuar Kosovën, në një mënyrë ta destabilizojë edhe diasporën shqiptare dhe të japë një imazh negativ për të”, ka thënë Murati. Ai është shprehur i bindur se diaspora shqiptare as nuk ka bërë dhe as që do të bëjë veprime të tilla çfarë ka pretenduar kryediplomati serb. “Ai është marrë me diasporën shqiptare, sepse sikurse i gjithë shteti serb e di fuqinë e diasporës shqiptare dhe rolin që ka luajtur kjo diasporë në çlirimin e Kosovës dhe në procesin e pavarësisë së Kosovës. Normalisht se z. Daçiq dhe Serbia çdoherë kanë arsye t’i frikësohen diasporës sonë, por jo për veprime të tilla. Diaspora jonë veprime të tilla nuk ka bërë as në kohët më të vështira për Kosovën”, ka deklaruar Murati. Sipas tij, pretendimet e tilla të diplomacisë serbe mund të kenë pasur për qëllim edhe dëmtimin e imazhit të mirë që diaspora shqiptare gëzon në vendet ku jeton. Ministri Murati ka mohuar se deklarimet e tilla mund të kenë ndonjë ndikim negativ në imazhin e diasporës. “Nuk besoj se deklaratat e tilla do të kenë ndonjë ndikim. Realisht ato janë deklarata që Daçiqi i bën për konsum të brendshëm politik, me tendenca të destabilizimit të Kosovës, por ato nuk mund të kenë ndonjë ndikim të caktuar në vendet ku jetojnë shqiptarët”, ka thënë Murati.
 
“Epoka e re”: Z. Murati, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia ka informacione se diaspora shqiptare ka në plan marrjen me dhunë të ndonjë prej misioneve diplomatike dhe konsullore të Serbisë, si reagim ndaj arrestimit të Ramush Haradinajt. Si e keni parë këtë qëndrim të shefit të diplomacisë serbe?
Murati: Një deklaratë e tillë është në vazhdën e një lufte speciale që Serbia po vazhdon kundër Kosovës dhe kjo përpjekje e saj, nuk do të jetë as e para dhe as e fundit për të shfrytëzuar gjithë arsenalin e luftës së saj speciale për ta destabilizuar Kosovën.
 
“Epoka e re”: Por pse këtë herë Daçiqi u mor me diasporën shqiptare?
Murati: Në këtë rast, ai është marrë me diasporën shqiptare, sepse sikurse i gjithë shteti serb, e di fuqinë e diasporës shqiptare dhe rolin që ka luajtur ajo në çlirimin e Kosovës dhe në procesin e pavarësisë së Kosovës. Normalisht se z. Daçiq dhe Serbia çdoherë kanë arsye t’i frikësohen diasporë sonë, por jo për veprime të tilla. Diaspora jonë veprime të tilla nuk ka bërë as në kohët më të vështira për Kosovën. Pra, veprime të tilla nuk ka bërë as kur ka qenë e poshtuar. Diaspora jonë, sikurse në të kaluarën, edhe tani është e mobilizuar për ta ndihmuar z. Haradinaj. Diaspora shqiptare tani po bën atë që e ka pasur në plan, është duke protestuar në mënyrë të qytetëruar gjithandej nëpër botë, është duke mbledhur peticione dhe po lobon për lirimin e Ramush Haradinajt. Pra, me këtë po e nxjerrë në sipërfaqe praninë e mentalitetit primitiv e konfliktuoz të Ivica Daçiqit dhe po dëshmon se çdoherë është e gatshme të rreshtohet në krahë të mbrojtjes së atdheut.
 
“Epoka e re”: Pretendimet e tilla të diplomacisë serbe, a mund të kenë për qëllim njollosjen e diasporës shqiptare?
Murati: Diaspora jonë është jashtëzakonisht e integruar mirë në vendet ku jeton. Diaspora jonë po depërton në të gjitha shtresat atje ku jeton, qoftë në nivelin politik, publik, arsimor, ekonomik, sportiv dhe kulturor. Kjo vazhdon të jetë pengesë për Serbinë dhe politikën shoviniste të saj. Edhe në këtë rast z. Daçiq ka tentuar që në kuadër të përpjekjeve për ta destabilizuar Kosovën, në një mënyrë ta destabilizojë edhe diasporën shqiptare dhe të japë një imazh negativ për të.
 
“Epoka e re”: Deklaratat e tilla nga Serbia, mund të kenë ndonjë ndikim në imazhin e diasporës në vendet ku jeton?
Murati: Absolutisht nuk besoj se deklaratat e tilla do të kenë ndonjë ndikim. Realisht ato janë deklarata që Daçiqi i bën për konsum të brendshëm politik, me tendenca të destabilizimit të Kosovës, por ato nuk mund të kenë ndonjë ndikim të caktuar në vendet ku jetojnë shqiptarët. Diaspora shqiptare me punën e saj ka ngrehur lart imazhin e saj, por edhe të vendit prej nga e ka origjinën. Ndërkaq, sigurisht se diaspora jonë do të mbetet e mobilizuar për këtë rast, por edhe për rastet e tjera në mënyrë që të jetë çdoherë afër Kosovës dhe afër shoqërisë shqiptare.
 
“Epoka e re”: Kjo dëshmon se diaspora jonë vazhdon të jetë e lidhur me atdheun sikurse ka qenë më herët?
Murati: Diaspora jonë vazhdon të jetë e lidhur emocionalisht dhe politikisht me atdheun. Kështu që, është krejt e natyrshme që ajo reagon në raste të tilla. Reagimet e tilla dëshmojnë për këtë lidhshmëri të saj, që për mua janë krejt të natyrshme. Jam duke i përcjell me vëmendje të gjitha aktivitetet e diasporës, qoftë protestat, mbledhjet e nënshkrimeve rreth peticionit, apo lobimin e njerëzve tanë në diasporë për lirimin e Haradinajt. Këto aktivitete janë të natyrshme, duke pasur parasysh se tradicionalisht diaspora ka qenë e mobilizuar për vendin e vet. Pra, rastet e tilla tregojnë se diaspora shqiptare vazhdon të mbetet e lidhur fort me atdheun. Në çdo rast kur atdheu apo personalitetet e caktuara kanë nevojë për reagimin e saj. Madje ndonjëherë opinioni atje është shumë më i ndjeshëm sesa në Kosovë.
 
(Muhamet KOCI) 
List of videos