Katër vëllime materiale për “Kosovapress”-in*
Katër vëllime materiale për “Kosovapress”-in*
17.02.2017 | 12:11
Berat Luzha, “Arkivi i luftës i agjencisë shtetërore informative ‘Kosovapress’”, 4 janar-17 qershor, 1999”, katër vëllime, botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, 2016, f. 2000
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
 
Sot kemi kënaqësinë që jemi mbledhur këtu, në një promovim paksa më të veçantë, sepse bëhet fjalë për një botim me përmbledhje të dokumenteve e materialeve që trajtojnë një nga periudhat më të bujshme, më të lavdishme dhe më të dhembshme të historisë së Kosovës në fund të shekullit XX, me titull “Arkivi i luftës i agjencisë shtetërore informative ‘Kosovapress’”, 4 janar-17 qershor, 1999”, katër vëllime, përgatitur nga Berat Luzha që, përndryshe, gjatë kohës së luftës, ai edhe ishte drejtues i “Kosovapress”-it.
Thënë të drejtën, një botim i tillë, edhe është pritur nga Instituti i Historisë, e aq më tepër, kur e dimë se autori i këtij libri ka qenë pjesëmarrës i kësaj periudhe të rëndësishme historike dhe ka qenë aktiv në vorbullën e këtyre ngjarjeve. Andaj, jam shumë e sigurt, se, në librin katër vëllimesh do të gjejmë përgjigjet në shumë pyetje që gjerë më tani nuk i kemi pasur dhe na kanë munguar për periudhën në fjalë.
Historia e një kombi nuk mund të shkruhet dhe të njihet pa hulumtimin e dokumenteve dhe materialeve që lidhën me kohën të cilën e përjetuam, andaj vazhdimisht duhet ta rikthejmë kujtesën tonë në periudhat e robërisë, të okupimit klasik dhe të luftës që kaloi vendi ynë. Ky rikthim prapa, na jep kurajë e na nxit për angazhime edhe më të mëdha që kurrë mos të harrojmë të kaluarën se pastaj, jemi të detyruar ta përjetojmë thotë filozofi Santajana.
Duke marrë parasysh faktin se një literaturë e këtillë apo e ngjashme ka munguar deri më tani, Instituti i Historisë mirëpriti botimin e këtyre vëllimeve, duke e vlerësuar lart këtë iniciativë dhe njëkohësisht duke premtuar se i njëjti, në të ardhmen do të bëhet pjesë përbërëse e realizimit të projekteve të cilat do të trajtojnë historinë më të re të Kosovës, nga ana e Institutit tonë.
Por, për dallim nga të tjerët, duhet thënë se Berat Luzha, vëllimet që na i ofron me dokumente, na i ofro ashtu siç kanë qenë, pa censurë, pa dorëza, hapur dhe pa politikë, të cilën duhet çmuar dhe respektuar. Dokumente që trajtojnë ngjarjet dhe zhvillimet r Luftës së UÇK-së. Autori Berat Luzha, nuk mëton të na paraqitet si historian apo shkencëtar, ai, thjesht na ofron të gjitha të dhënat që ka emituar “Kosovapressi” dhe me argumente dëshmon për kohën e luftës që ka kaluar populli shqiptar në Kosovë nën terrorin serb. Argumenton hapur dhe në mënyrën më të sinqertë prezanton ecurinë e ngjarjeve që nga 4 janar-17 qershor 1999, por duke i kushtuar vëmendje të posaçme periudhës kur ai ishte drejtues i agjencisë. Dhe, për këtë periudhë 6 mujore, materiali dëshmon se në lajmet botërore dhe të vendit, situata në Kosovë, ishte lakua me shumë përkushtim. Nga kjo e dhënë, na jep të kuptojmë se në nivelin rajonal e të Kosovës në atë kohë, bartësit e aktiviteteve luftarake në Kosovë kanë qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me bashkësinë ndërkombëtare për realizimin e qëllimeve për lirin sa më të shpejt të vendit.
Dokumentet që prezantohen në këto vëllime, e që është mjaft voluminoz (mbi 2000 faqe), nuk është një periudhë e largët në aspektin historik, por për intensitetin dhe ndryshimet globale që ndodhën në sistemet botërore politike në përgjithësi, dhe ngjarjet që pasuan në Kosovë në veçanti, na lënë të besojmë se robëria e tejskajshme gjysmë shekullore i paraprin situatës që pasoi më vonë në Kosovë dhe bënë kthesën e rëndësishme historike në çlirimin e saj.
Duhet lexuar me kujdes të veçantë të gjitha vëllimet dhe lirshëm mund të them se do kemi një pasqyrë reale të situatën politike si në arenën kombëtare gjithashtu edhe në atë ndërkombëtare. Në libër ka momente kulmore që të lënë pa frymë por edhe dokumente që të tensiononin deri në skajshmëri. Raportimet për vendimin e sulmit të forcave të NATO-s ishin vendimtare për popullin e Kosovës, por zhgënjyese ishte deportimi i mbi 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Botimi i këtyre librave dhe i shumë dokumenteve, materialeve e kujtimeve të pa botuara të njerëzve tanë që kanë ndodhur në vende kyçe të kësaj periudhe, para së gjithash do të jenë tregues se historia kombëtare shqiptare, nuk gjendet më e mbuluar me pluhur vetëm nëpër arkivat e Serbisë e Jugosllavisë, përkundrazi, ajo është sot edhe gjymtyrë e lëvizshme tek të gjithë ne, si dhe dëshmi e drejtpërdrejtë e identitetit tonë kombëtar.
Autori i këtyre vëllimeve me dokumente e materiale, mbi bazën e të cilave u shkruan edhe vëllimet, njëherë ishte edhe vet pjesëmarrës i këtyre ngjarjeve, ishte i vetëdijshme se jeta e tij lëvizte në mes gërshërëve dhe persekutimit nga okupatori, ai nuk u tremb por në mënyrën më të mirë të mundshme kreu misionin e tij si drejtues i “Kosovapress”-it.
Këto vëllime dokumentare, na ofrojnë edhe materiale të tjera, në të cilat shqyrtohet situata e tej-rënduar në hapësirën gjithëshqiptare, si ajo ekonomike, shoqërore, politike, ushtarake dhe diplomatike, me alternativat e qëndrimeve dhe orientimeve për rrugëzgjidhje nga ana e popullit shqiptar në luftë të armatosur.
Ky botim si pjesë kontribuuese reale në historiografi, do të sjell debate të frytshme, duke u bërë shtytës hulumtimesh e gjurmimesh të reja, si element thelbësor i potencës dhe kërkimit shkencor, të cilat, pa dyshim, do të shpijnë përpara, gjykime dhe përfundime më të avancuara në studimet historike.
E themi këtë pasi, dokumentet dhe materialet të cilat na i sjell z. Berat Luzha janë të një rëndësie të veçantë, nëse kemi parasysh angazhimin e Lëvizjes Kombëtare dhe vazhdimin e Luftës për çlirimin e vendit.
Librat pa dyshim përbëjnë një rast dhe mundësi njohjeje të rrugës së vështirë nëpër të cilën ka kaluar populli ynë, liria jonë. Lexuesit do t’i shohin peripecitë e luftës sonë në një konstelacion jo të barabartë të forcave dhe në këtë mënyrë do të kuptojnë se me çfarë çmimi është fituar liria. Duke njohur çmimin e lirisë, brezat do ta duan dhe çmojnë më shumë atë; do ta ruajnë e mbrojnë më mirë; do ta përparojnë e forcojnë me shembullin e atyre që e sollën.
Dhe krejt në fund, duke i lexuar këto vëllime, bëj apel që edhe të tjerët që kanë qenë në vorbullën e ngjarjeve të luftës së UÇK-së, të shkruajnë dhe të na lënë kujtimet e tyre si dëshmi të një kohe që duhet mësuar dhe mbajtur në mend gjeneratat e reja që po vijnë.
 
*Fjalë e mbajtur në promovimin e librit, 10 shkurt 2017, Prishtinë
List of videos