MKRS-ja e shtynë ceremoninë e dhënies së çmimeve
MKRS-ja e shtynë ceremoninë e dhënies së çmimeve
16.02.2017 | 22:20
Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit (MKRS) nesër (e premte) në orën 11.00, edhe pse ka paralajmëruar një ditë më parë se do ta bëjë ndarjen e çmimeve vjetore për letërsi, duket se nuk do ta organizojë ceremoninë e dhënies së çmimeve vjetore për laureatët e sivjetmë.
Si duket, shkak për shtyrje të kësaj ceremonie të paralajmëruar është bërë Abdullah Zeneli, i cili ka paralajmëruar refuzim të çmimit që i është ndarë për veprën me poezi. Burime të gazetës “Epoka e re” brenda MKRS-së kanë njoftuar se është propozuar të shtyhet dita e ceremonisë së dhënies së çmimeve për laureatët për shkak të agjendës së ngarkuar të ministrit të Kulturës, Kujtim Shalës, por edhe të aktiviteteve të ndryshme dhe të shumta të kryeministrit Isa Mustafa, i cili është paralajmëruar më herët po nga MKRS-ja, se do të marrë pjesë në këtë ceremoni të dorëzimit të çmimeve.
Përpos Eqrem Bashës për vepër jetësore, juria e MKRS-së çmime ka ndarë edhe për Gëzim Aliun, Fatmire Durakun, Abdullah Zenelin, Demë Topallin, Majlinda Bregasin, Arben Atashin. Një nga këta të shpërblyer, me çmimin për veprën më të mirë me poezi, Abdullah Zeneli, duket se do ta refuzojë këtë çmim që i është dhënë për disa arsye, të cilat do t’i bëjë publike në ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore. Ai ka thënë se për refuzim të këtij çmimi e ka njoftuar edhe zyrtaren e MKRS-së për veprimtari botuese, Liri Camin. “Po, atë çfarë kam për ta thënë, do ta them në ceremoni. Sigurisht se do të jetë shprehje e të gjitha abuzimeve që bëhen me çmimet letrare”, ka thënë Abdullah Zeneli për gazetën “Epoka e re”, duke shtuar se “parimet janë përtej marifeteve të tjera që i kanë banalizuar politikat vlerësuese (çmimeve) letrare si këndej, si andej!” “Duhet t'i dalë para një bir (apo bijë) nëne kësaj dukurie shëmtuese! E ka shkatërruar librin gjithandej! Pishane! Do pak kohë të bien gjërat në vend, siç e denjon një shoqëri të qytetëruar. Varet sa jemi këmbëngulës apo konformistë! Besoj se jam i qartë!”, është shprehur Zeneli.
List of videos