9-vjetori i Pavarësisë dhe nevoja për të dalluar realen nga idealja
9-vjetori i Pavarësisë dhe nevoja për të dalluar realen nga idealja
17.02.2017 | 14:04
Adri Nurellari
Republika e Kosovës mbushi 9 vite jetë, të cilët janë rrokullisur shpejt e shpejtë njëri pas tjetrit sa hap e mbyll sytë. Si pasojë e zhvillimeve intensive dhe sfidave të mëdha të përballuara në këto vite, qytetarët e kanë të vështirë të reflektojnë siç duhet, gjakftohtë për rrugën e shpejtë, por të vështirë që kanë bërë deri tani. Pavarësisht retorikës negative të atyre që gabimisht mendojnë se duke sharë e nxirë Kosovën dëmtojnë kundërshtarët apo rivalët e tyre politikë, realiteti tregon se konsolidimi i shtetit ka ardhur duke u forcuar dhe në shumë fusha Kosova sot lë prapa shtete fqinje që kanë më shumë dekada jetë. Qasja nihiliste që mohon çdo lloj arritje të deritanishme arrin absurdin më të madh kur shikohet se si është bërë modë të thuhet se e kanë shkatërruar gjithçka në shtet apo gjithçka ka degraduar sikur të nënkuptohej se më parë na paska ekzistuar një realitet i përkryer dhe prej atëherë gjërat kanë ardhur tatëpjetë. Njerëzit e kapërdijnë këtë retorikë të kritizerëve pa e vrarë shumë mendjen se sa qesharake është të pretendohet se shteti ka ardhur duke u përkeqësuar kur të gjithë e dimë se para 9 vitesh as që ka ekzistuar. Mirëpo edhe pse të pabazuara dhe deri qesharake, këto pretendime se kinse Kosova ka qenë dikur në gjendje të përsosur dhe po vjen duke u përkeqësuar për faj ekskluziv të këtyre që janë në pushtet, faktikisht ia kanë dal që të helmojnë opinionin publik me negativitet dhe me zbehje të shpresës për një të ardhme më të mirë. Të vetmit që mund të kenë njëfarë të drejte legjitime që të thonë se gjërat kanë ardhur duke u përkeqësuar për ta në Kosovë janë jugonostalgjikët që i kanë përkitur nomenklaturës komuniste e kolaboracioniste. Për ta është e vërtetë që shembja e regjimit të kaluar okupator ka sjellë edhe shembjen e privilegjeve, përfitimeve dhe favoreve që ata gëzonin asokohe. Sikurse ndodhi edhe në vende të tjera komuniste, kasta komuniste erdhi në pushtet me armë dhe mandej u kthye në një lloj aristokracie të mirëfilltë të kalbur nga nepotizmi e favoritizmi të ndara në klane me fëmijët e tyre bënin martesa dinastike mes familjeve të tyre dhe trashëgonin privilegjet e prindërve. Bëhet fjalë për atë segment të vogël të shoqërisë kosovare që ka pasur një status protagonist apo elitar gjatë atij regjimi dhe ardhja e lirisë dhe demokracisë bëri që të binin nga pushteti e vendin e tyre ta zinin me garë elektorale ata shqiptarë që deri dje trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë.
Për pjesën tjetër të Kosovës e vërteta është se Kosova me gjithë të këqijat e saj, ëndrrat dhe dëshirat e shumta të papërmbushura të shqiptarëve, sot është më mirë se kurrë. Në këtë nëntëvjetor shqiptarët e gjejnë veten zot të shtëpisë së tyre, kanë një sistem funksional demokratik me zgjedhje që sa vijnë e bëhen më të ndershme. Më të bashkuar se sot me njëri tjetrin shqiptarët mund të kenë qenë vetëm para 150 vitesh në Perandorinë Osmane sepse sot i kalojnë kufijtë e shteteve ku jetojnë me karta identiteti dhe komunikojnë me rrugë gjithnjë e më të mira që ua bën lëvizjen gjithnjë e më të shpejtë. Indikatorë të zhvillimit si vdekshmëria foshnjore, jetëgjatësia mesatare, numri i mjekëve për 1000, analfabetizmi etj. janë definitivisht shumë më mirë krahasuar me të njëjtët indikatorë të kohës së Jugosllavisë. Po ashtu tregues të tjerë numerik të raporteve të organizatave si OKB-ja për Drogën dhe Krimin si krimi i dhunshëm, numri i vrasjeve apo edhe korrupsioni janë më të ultët në rajon. Raport progresi i BE-së dhe analizat e Bankës Botërore dhe FMN-së thonë se administratë kosovare tatimore dhe doganore janë një shembull i mirë që duhet të shërbejnë si model për tu ndjekur nga vendet fqinje. Me pak fjalë ka realiteti na jep boll fakte kokëforte për të thënë që thënë gojëplotë se jo vetëm që ia kemi dalë të ndërtojmë një shtet të ri nga hiçi, por ky shtet në shumë raste performon më mirë se shtete të tjera fqinje në tranzicion. Pra ka plotë arsye reale që jo vetëm të gëzohemi që kemi një shtet tonin, por edhe të jemi krenar se ky shtet ecën goxha mirë krahasuar me shtetet e ngjashme që e rrethojnë. Shkaku pse të tjerët vjellin vrer dendur për Kosovën ka të bëjë me një lloj naiviteti që përqendrohet tërësisht tek idealja dhe refuzon të pranojë realitetin ku jetojmë. Kuptohet që të thuash se Kosova nuk ka qenë kurrë më mirë më parë nuk do të thotë njëherazi që Kosova është në gjendje të shkëlqyer dhe që i përputhet ideales që ne kërkojmë. Ne duam më të mirën për Kosovën dhe nuk ka se si të mohojmë faktin që ka varfëri, probleme me sigurinë, pozicionin ndërkombëtar, sundimin e ligjit dhe zhvillimin e demokracisë dhe kulturës politike. Idealja do ishte nëse Kosova do të ishte shtet i zhvilluar, me mirëqenie të lartë qytetare, anëtar në OKB, BE dhe NATO. Mirëpo nëse gjithë kohën masim largësinë që na ndan prej ideales atëherë nuk ka se si shumë qytetarë të mos ndihen të dekurajuar, disfatistë e fatalistë. Por nëse hera herës reflektojmë mbi realitetin dhe flasim për rrugën e gjatë e të vështirë që kemi bërë për të arritur këtë realitet ku jemi. Nëse flasim se ku e nisëm e ku kemi arritur sot, atëherë do të ndihemi më krenarë e me më shumë vetëbesim për ta çuar realitetin drejt ideales. Ka ardhur koha që në debatin e përditshëm në Kosovë të bëhet një dallim i mirëfilltë mes ideales dhe reales. Meqë Kosova po rritet edhe shoqëria duhet të rritet e duhet që realitetin ta shohim me kurajë dhe ndershmëri e mos ti përziejmë dëshirat me analizat, pritshmëritë me gjykimin, ëndrrat me realitetin. Kushdo që e ka këtë pjekuri kur reflekton me sinqeritet e pranon se kemi ende rrugë të gjatë për të bërë të bërë drejt ideales ama rruga reale që jemi duke bërë është rruga në drejtimin e duhur. Çdokush ka të drejtë të ankohet e të thotë se kemi mundësi që të përparojmë më shpejtë ama nuk mund të mohojë faktin që kemi bërë një rrugë të madhe këto nëntë vite. /revistaflatra/
List of videos