Basha: Opozita e bashkuar, platformë për zgjedhjet
Basha: Opozita e bashkuar, platformë për zgjedhjet
11.01.2017 | 14:27
Partitë e opozitës në Shqipëri me në krye Partinë Demokratike kanë publikuar sot qëndrimin e tyre për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat, siç tha Lulzim Basha, duhet të vendosë vullneti qytetar dhe jo ai kriminal, siç e ka quajtur ai.
“Sot kemi mbajtur një takim të opozitës parlamentare, që vjen pas një koordinimi paraprak edhe me opozitën joparlamentare, dhe kemi rastin të konfirmojmë qëndrimin tonë për zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi i unifikuar i opozitës është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët, por qytetarët. Nuk mund të vendosin varfëria dhe korrupsioni qeveritar, por vullneti i qytetarëve”, ka thënë Basha.
Ai ka theksuar se, zgjedhjet janë në rrezik për shkak të një sërë dukurish negative si krimi, korrupsioni, moszbatimit i ligjit të dekriminalizimit, narkotrafiku, si dhe shitblerja e votës e amnistuar nga kryeministri Rama. “Për këtë opozita ka paraqitur një platformë që prej 17 majit dhe që atëherë Rama vetëm ka sabotuar. Sot opozita është dakord për një platformë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në thelb të saj qëndron ajo se zgjedhjet nuk do t’i vendosin kriminelët, por qytetarët”, ka thënë Basha.
Ai ka rikonfirmuar se pikat kyçe të kësaj platforme mbeten: “votimi elektronik, kufizimi i financimeve, kufizimi mediatik dhe aspekte të tjera”. “E reja është se kohë më nuk ka. Çështje më të rëndësishme për shqiptarët se kjo nuk ka dhe s’mund të ketë. Ndaj opozita do të kushtëzojë çdo lëvizje të mëtejshme me platformën për reformën zgjedhorë”, ka deklaruar Basha.
Duke iu përgjigjur interesit të medieve, ai ka përshëndetur qëndrimin e LSI për të shkuar në zgjedhje me lista të hapura.