Berisha: Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar!
Berisha: Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar!
17.02.2017 | 13:37
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e 9-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka uruar të gjithë qytetarët e shtetit tonë.
“Sot është dita që të përulemi me mirënjohjen më të thellë ndaj kujtimit të ndritur të arkitektit të Kosovës së pavarur, presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari dhe dhjetëra mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që luftuan dhe ranë për tu bërë të pavdekshëm, kundër pushtuesve barbarë gjatë shekullit që kaloi, për lirinë dhe dinjitetin kombëtar të shqiptareve, për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Berisha në profilin e vet në “Facebook”.
 
Postimi i plotë i Berishës
 
Gëzuar 9 vjetorin e pavarësisë së Kosovës!
 
Të dashur miq, sot qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë kremtojnë ditën e tyre të dytë më të madhe të lirisë në histori, pavarësinë e Kosovës, ditën që na bëri ne një komb të lirë.
Sot është dita që të përulemi me mirënjohjen më të thellë ndaj kujtimit të ndritur të arkitektit të Kosovës së pavarur, presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari dhe dhjetëra mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që luftuan dhe ranë për tu bërë të pavdekshëm, kundër pushtuesve barbarë gjatë shekullit që kaloi, për lirinë dhe dinjitetin kombëtar të shqiptareve, për pavarësinë e Kosovës.
Një mirënjohje të veçantë le tu shprehim ne sot NATO-s, miqve tanë, që çështjen e lirisë së Kosovës e bënë çështje të lirisë se tyre dhe ndërmorën për çlirimin e saj kundër pushtueseve të Beogradit ofensivën ajrore më të fuqishme të Pasluftës së Dytë Botërore.
Nderim dhe urime te përzemërta për të gjithë qytetarët e Kosovës, autoritetet e saj që në nëntë vite, të ngritur si feniksi kanë ndërtuar vendin e tyre të pavarur, faktor paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi ne rajon. Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar! Gëzuar!!!