Deliu-Kodra: Fuqizimi i gruas, i rëndësishëm
Deliu-Kodra: Fuqizimi i gruas, i rëndësishëm
20.03.2017 | 11:15
Deputetet e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, Shukrije Bytyçi dhe Pranvera Lipovica nga Instituti Kombëtar Demokratik, kanë shpalosur sot programin e javës së gruas.
Deputetja Deliu-Kodra ka thënë se kjo është hera e pestë që mbahet java e gruas në Kosovë. “Është një prej javëve më të rëndësishme të gruas në Kosovë për faktin se ka një komponentë që i bashkon gratë nga politika, biznesi, media, bota akademike, dhe nga shoqëria civile, të cilat kanë pasur mundësi që ta fuqizojnë rrjetin ndërmjet njëra-tjetrës”, ka deklaruar Deliu-Kodra në emisionin e mëngjesit në RTK.
Ajo ka thënë se gjatë kësaj jave do të ketë tema që ndërlidhen me mirëqenien sociale dhe zhvillimet politike.
Deliu-Kodra ka bërë me dije se për çdo vit rritet interesimi i pjesëmarrësve në organizimin e javës së gruas në Kosovë. “Ka shumë vajza që rregullisht pyesin se kur nis organizimi dhe si mund të bëhen pjesë e kësaj jave. Përzgjedhja e tyre është bërë nga NDI-ja. Ajo çka mendoj se është e rëndësishme është fakti se ky është një target i identifikimit qytetar që t’i qasen jetës politike, sidomos sivjet duke pasur parasysh faktin se në vjeshtë janë zgjedhjet lokale”, është shprehur deputetja Deliu-Kodra.
Ndërsa deputetja tjetër, Shukrije Bytyçi, ka theksuar se kjo javë është një mundësi e mirë për të qenë afër grave si të biznesit, ashtu edhe të politikës.
Në anën tjetër, Pranvera Lipovica nga Instituti Kombëtar Demokratik, ka theksuar se nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në javën politike, gratë do të mund të marrin përvoja të ndryshme.