Limaj, Thaçit: Pse gjithë kjo propagandë për ushtrinë, kur ke mundur ta bësh para pesë vjetëve
Limaj, Thaçit: Pse gjithë kjo propagandë për ushtrinë, kur ke mundur ta bësh para pesë vjetëve
20.03.2017 | 20:55
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka folur për iniciativën e presidenti Hashim Thaçi rreth formimit të ushtrisë.
Limaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Thaçi ka mundur tash e pesë vjet ta transformojë FSK-në në ushtri në mënyrën siç ka propozuar tani. “Së paku që pesë vite ka qenë e mundur që FSK-ja të transformohet në ushtri në këtë mënyrë siç është propozuar tani. Pse nuk e ka bërë këtë ish-kryeministri kur ka qenë në detyrën e tij, asgjë nuk ka ndryshuar nga koha kur ky ka qenë kryeministër, edhe tani të njëjtat pengesa janë. Atëherë pse gjithë këtë zhurmë dhe propagandë, e lloj-lloj argumente që sot po i bën ish-kryeministri, pse nuk i bënte këto kur e kishte për detyrë? Kjo ka vetëm një përgjigje, ky njeri tashmë po e sheh se ka shkuar shumë larg me gabimet dhe dëmet që ia ka sjell Kosovës, si p.sh: Demarkacioni, Gjykata Speciale, Zajednica dhe tashmë e ka parë se këto dëme nuk mund ti fshehë më dhe si rezultat i këtyre ka humbur dhe po e humb me shpejtësi mbështetjen në popull”, ka shkruar Limaj.
Ai ka shtuar se daljet e presidentit në publik kanë veç një qëllim, mashtrimin. “Njerëzit po ia kthejnë shpinën, prandaj iniciativa për Ushtrinë është ide e kompanisë së P.R-it të tij, që sadopak të tentojnë për t’ia përmirësuar imazhin që ju ka rrënuar. Thënë thjesht, me një fjalë, daljet e tij publike gjithkund dhe gjithkah e kanë veç një qëllim: MASHTRIMIN!”, ka shkruar ndër të tjera Limaj