Pritet të shkurtohet paraburgimi për të miturit
Pritet të shkurtohet paraburgimi për të miturit
20.03.2017 | 16:46
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur të hënën dëgjim publik lidhur me Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur.
Në këtë dëgjim publik është thënë se masa e paraburgimit për personat nën moshën 14 vjeç, do të shkurtohet nga 12 muaj sa është tani, në 6 muaj.
Fillimisht deputeti dhe udhëheqësi i këtij komisioni, Armend Zemaj, ka theksuar se Kodi i Drejtësisë për të Mitur ka përcaktuar që për çdo person nën moshën 14 vjeçare, për të cilin mund të fillohet procedurë gjyqësore të njoftohet organi kujdestarisë nga policia, pas konsultimeve me prokurorin.
Zemaj ka thënë se duke marrë parasysh veprën penale të shkaktuar nga personi i mitur, prokurori i shtetit edhe mund të propozojë ndërmjetësim.
Sa i përket masave dhe dënimeve brenda këtij kodi, deputeti Zemaj ka bërë me dije se ato shqyrtohen në varësi të vet llojit të veprës penale që shkaktohet, ku masat që shqiptohen ndahen në masa të diversitetit dhe masa edukative.
Ndërkaq, lidhur me dënimet që mund të shqiptohen, Zemaj ka deklaruar se janë paraparë që të jenë këto masa: gjobat, urdhri për punë në dobi të përgjithshme dhe burgimi për të miturit. “Kohëzgjatja e çfarëdo mase apo dënimi të shqiptuar për të mitur, duhet të përcaktohet me vendim të gjykatës në pajtim me Kodin”, ka thënë Zemaj.
Po ashtu, gjatë këtij dëgjimi publik është theksuar se tek i mituri burgosja duhet të ndikojë pozitivisht në të, përmes mbrojtjes, ndihmës dhe mbikëqyrjes për të parandaluar recidivizmin.
Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se qëllimi i këtij kodi është shumë i përgjithësuar dhe se kjo çështje duhet të riformulohet, në mënyrë që të jetë më i qartë.
Në këtë takim është propozuar që të specifikohet edhe pjesa tek procedura penale, se në cilat raste mund të zbatohet procedura për të mitur, apo në cilat raste mund të shqiptohet dënimi për të mitur, si dhe u propozua që të rregullohet me specifikisht edhe shqiptimi i vërejtjes policore.
Kurse Ardian Klaiqi, përfaqësues nga zyra e UNICEF-it në Kosovë, ka thënë se shumica e këtyre ndryshimeve dhe risive që janë paraparë në këtë kod, janë në përputhje me konventën e të drejtave të fëmijëve dhe akteve kryesore që rregullojnë procedurat e të miturve gjatë procesit gjyqësor dhe në përputhje me direktivat e BE-së.
Në fund të këtij dëgjimi publik, anëtarët e Komisionit kanë vlerësuar se grupi i punës gjatë shqyrtimit të këtij Projekt-Kodi të Drejtësisë për të Mitur, do t’i marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet të cilat u paraqitën gjatë këtij takimi dhe se do ta përfundojnë shqyrtimin e këtij Kodi në një afat sa më të shkurtër për ta proceduar atë për lexim të dytë në Kuvend.