Projektligji për FSK-në i mangët, por do të votohet nga LV-ja
Projektligji për FSK-në i mangët, por do të votohet nga LV-ja
20.03.2017 | 21:07
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se procedimi i projektligjit për ndryshimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është dashur të ndodhë shumë më herët.
Ajo në emisionin “Info - Box” të RTV Dukagjini, ka thënë se Projektligji për FSK-në është shumë i mangët. “Ligji në substancën e vet ka shumë mangësi, ne insistojmë që ta procedojmë sa më shpejt. Projektligji është goxha i brishtë. Ka mangësi të shumta. Do të japim maksimumin të evitojmë të gjitha mangësitë e tanishme që projektligji për FSK-në të jetë më i plotë dhe më substancial”, ka deklaruar Kadaj-Bujupi, duke shtuar se është mirë që Kosova të bëhet më ushtri. “Në këtë përpjekje e kemi zërin tonë dhe mundësinë që këtë projektligj ta përpunojmë, dhe të insistojmë në themelimin e ushtrisë së Kosovës. Pika qendrore është që Kosova të jetë me ushtri. Unë besoj që përgatitja e FSK-së, në bashkëpunim me NATO-n dhe ShBA-të, do të jetë një nismë, e cila do të jetë e gatshme ta mbroj territorin e vendit”, ka theksuar Kadaj-Bujupi, transmeton Telegrafi.