Reka: Putini riktheu frymën cariste në Ballkan nëpërmjet vijës tradicionale Beograd-Athinë
Reka: Putini riktheu frymën cariste në Ballkan nëpërmjet vijës tradicionale Beograd-Athinë
17.02.2017 | 12:33
Ish-ambasadori i Maqedonisë ne Bashkimin Evropian, Blerim Reka, ka folur për ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe për situatën e fundit në Maqedoni.
“Rusia ka qenë e shkëputur për një kohë të shkurtër nga Ballkani, vetëm gjatë presidencës Yeltsin, i cili udhëhiqte një Rusi ekonomikisht dhe politikisht të dobët, të papërfillshme ndërkombëtarisht dhe me shumë probleme të brendshme. Mund të them se vetëm në atë periudhë, jo se nuk ka qenë e interesuar, por realisht nuk ka pasur fuqi të jetë e pranishme në Ballkan. Me ardhjen e Putinit në vitin 2000 është rikthyer fryma cariste dhe sovjetike e prezencës ruse në Ballkan përmes vijës tradicionale sllavo ortodokse që do të thotë Beograd-Athinë ku në një periudhë kur Jugosllavia ishte e tërësishme dhe ishte jashtë blloqeve, kjo nuk mund të realizohej”, është shprehur prof. Dr. Blerim Reka, ish-ambasadori i Maqedonisë në Bashkimin Evropian për emisionin “Diplomaticus” te gazetarit Erion Kaçorri në “News 24”. Sipas Rekës, me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe krijimin e shteteve të reja në ish-Jugosllavi dhe fuqizimin e Serbisë sidomos viteve të fundit është rikthyer ideja që të funksionojë ajo që “unë do ta quaja korridori pan rus për vetë faktin se presidenti Putin ishte në vizitën e tij të dytë në Budapest duke u takuar me kryeministrin Orban, i cili është një nga liderët evropian i cili haptazi po tregon një afrimitet me Rusinë. Jo vetëm Serbia dhe Greqia, por edhe Budapesti në një mënyrë po bëhet pikënisje e trajektores pan ruse në Ballkan”.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Blerim Reka ndalet edhe tek marrëdhënia Trump-Putin. “Putini mendonte se me ardhjen e presidentit të ri amerikan Trump, do të mund të realizonte më lehtë ato që nuk arriti për tetë vite me presidentin Obama apo me ish presidentin Bush. Nuk duhet ta vlerësojmë presidentin Trump duke u bazuar në deklaratat e fushatës elektorale. Për mua presidenti amerikan është i vërtetë dhe real kur merr mandatin dhe fillon punën. Disa detaje ma vërtetojnë se Putini nuk do ta ketë edhe aq të lehte me shpresat dhe ëndrrat e tij se me Trumpin do të mund të bëjë një ndarje të hemisferave dhe ndikimit siç ishin gjatë luftës së ftohtë. Një është fakti se takimin e parë që Trumpi bëri me një lider ndërkombëtar ishte me kryeministren britanike Theresa May. E dyta, Trump zhvilloi disa telefonata me kancelaren Merkel, me kryeministrin Japonez, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg dhe me presidentin turk Erdogan. Nëse do t’i mbledhim të gjitha në një do të dalim në dy përfundime, e para se Trumpi do të rikthejë frymën atlantiste që do të thotë se do të rikthejë boshtin Uashington-Londër me marrëdhënie speciale amerikano-britanike që ndoshta nga këto marrëdhënie speciale do ta pësoje pak BE-ja, por kurrsesi NATO-ja. E dyta, të gjithë prisnin se duke u bazuar në deklaratat e tij jo aq të mira për NATO-n, presidenti Trump do të bënte ndonjë ndryshim spektakolar. Kjo u pa se nuk është e vërtetë. Ai edhe me Teresa May në Filadelfia, në Uashington, por edhe gjatë bisedës me Stoltenbergin dhe Merkelin e vazhdoi përkrahjen ndaj NATO-s” KA deklaruar Reka për “Diplomaticus”. Sipas tij, i vetmi dallim mes Trumpit dhe Obamës në raport me NATO-n, është detyrimi që secili vend anëtar duhet të paguajë dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto në shpenzimet ushtarake të NATO-s. “Sipas mendimit tim nuk është diçka e keqe. Nëse shikoni ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë kundër Serbisë në vitin 1999, 76 për qind të të gjithë kostos së atij operacioni 78 ditor ka qenë i mbuluar nga buxheti amerikan. Prandaj nuk shoh ndonjë ndryshim spektakolar ndaj NATO-s, nuk shoh ndonjë ngrohje të jashtëzakonshme në marrëdhëniet me Rusinë dhe besoj se forcimi i boshtit britaniko-amerikan do të jetë shumë i rëndësishëm”. Sipas Rekës, Britania si gjatë historisë, si tani, kurrë nuk ka qenë pro ruse, madje ka qenë një prej shteteve me anti ruse dhe nëse kjo aleancë britaniko-amerikane funksionon, duhet të jemi të qetë sa i përket ndikimit apo afrimit spektakolar siç paralajmërohej të Putinit me Trumpin.
I pyetur për ndikimin rus në Maqedoni, prof. Dr. Blerim Reka shprehet se prej vitit 2001 nga lufta në Maqedoni ku për të fundit herë diplomacia ruse ishte prezentë me deklarata dhe paraqitje zyrtare dhe deri në ngjarjet e Kumanovës në vitin 2015, kishte pasur një heshtje të Rusisë sa i përket Maqedonisë. “Prej ngjarjeve të Kumanovës dhe sidomos në fushatën parazgjedhore dhe tani në përpjekjet për formimin e qeverisë, Rusia filloi të përzihej direkt në punët e brendshme të Maqedonisë duke kërkuar mospërzierjen e faktorëve të jashtëm duke e pasur fjalën për perëndimin dhe e dyta, preferenca e ministrisë së jashtme ruse që qeverinë ta formojë VMRO-DPMNE dhe BDI” , ka thënë Reka për emisionin “Diplomaticus” në “News 24”.