Thaçi: Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës kancelares Merkel
Thaçi: Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës kancelares Merkel
24.09.2017 | 00:02
Thirrja e Lëvizjes Vetëvendosje!, që qytetarët e Kosovës që jetojnë në Gjermani mos ta votojnë partinë e kancelares Angela Merkel në zgjedhjet që do të mbahen sot (e diel, në Gjermani) ka nxitur reagime edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti Thaçi në intervistën dhënë “RTK”-së thotë se nuk është punë e Kosovës që të interferoj në zgjedhjet e së dielës në Gjermani, ndërsa në emër të qytetarëve të Kosovës e falënderon popullin gjerman dhe kancelaren Merkel për ndihmën e madhe që i kanë dhënë shtetit tonë në situatat më të vështira. “Nuk është e jona të inteferojmë në asnjë rrethanë në këto zgjedhje, por duhet ta falënderoj kancelaren Merkel dhe popullin gjerman për ndihmën e madhe që kanë dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës në situatat më të vështira”, ka thënë Thaçi.
Kancelarja Merkel, sipas tij, ka treguar humanitetin, lidershipin dhe vizionin e saj, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe më gjerë, si një politikane me vizion global. “Prandaj edhe sot edhe nesër edhe përjetësisht, shqiptarët ku do që jetojnë, në Kosovë, në Gjermani do t’i jenë mirënjohës kancelares Merkel, të cilës i dëshirojmë sukseset më të mira”, është shprehur presidenti Thaçi.