Zëvendësministri Rrahmani u takua me ambasadorin Walker
Zëvendësministri Rrahmani u takua me ambasadorin Walker
11.01.2017 | 15:23
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qazim Rrahmani, është takuar sot me ambasadorin William Walker, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë.
Zëvendësministri Rrahmani e ka falënderuar ambasadorin Walker për kontributin e madh që ai ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai po ashtu e ka njoftuar atë me gjendjen e pakicave kombëtare si dhe projektet e MPMS-së, përfshirë edhe ato që do të implementohen në të ardhmen, të cilat do të fokusohen në përmirësimin e mirëqenies sociale të pakicave.
Rrahmani ka theksuar se pozicioni i pakicave në Kosovë është mjaft i avancuar dhe për këtë është garancë shteti i Kosovës, Kushtetuta e saj dhe ligjet në fuqi, të cilat janë në harmoni të plotë me ligjet më të avancuara të botës demokratike dhe BE-së.
Ndërkaq ambasadori Walker, është shprehur i kënaqur me informimin dhe gjendjen e avancuar të komuniteteve në Kosovë. Ai ka falënderuar zëvendësministrin Rrahmani për pritjen, duke e inkurajuar atë, që të punojë sa më shumë për të drejtat e pakicave në Kosovë. Me këtë rast ambasadori Walker i ofroi atij bashkëpunim të ngushtë si një mik i Kosovës, duke shprehur dëshirën që Kosova të jetë një shtet i zhvilluar dhe i mundësive të barabarta për të gjithë, në realizimin e të drejtave të tyre.