Figura politike e skandaleve seksuale
Figura politike e skandaleve seksuale
17.02.2017 | 12:23
Zbulohet koleksioni “i pistë” i Katerinës së Madhe
Katerina e II e udhëhoqi Rusinë për më shumë se dy dekada, por historia e saj nuk u bë e famshme prej zhvillimeve politike. Ishte gjithë kohës nën hijen e skandaleve. Megjithatë, legjendat sigurisht se kanë abuzuar me historitë që i kanë veshur. Për shembull, ndryshe nga çfarë u fol, ajo nuk vdiq duke bërë seks me një kalë, ama jeta e saj ngelet interesante në të gjitha pikëpamjet.
Pati 12 marrëdhënie të jashtëligjshme, të njohura nga të gjithë, nderonte dashnorët e saj me shërbyes të panumërt. Nga sa thuhet dhe objektet që janë gjetur, kishte një dhomë speciale në pallat ku mbante objektet e seksit, apo të tjera mjete të dobishme si karriget e ekspozuara me dekorime të ndryshme lodrash seksi.
Këto që po ju tregojmë, bashkë me një pjesë të historisë së saj, janë vetëm disa prej objekteve të koleksionit të një gruaje që i pëlqente pornografia.
Katerina e Madhe, e veshur në mënyrë elegante, plot shkëlqim, duke kalëruar në uniformën e një oficereje të regjimentit të Gardës Perandorake të Shën Petërsburgut, hyri në mënyrë triumfale më 9 korrik 1762 në dyert e kryeqytetit të Rusisë, duke u përshëndetur nga populli si careshë e re.
Më shumë me kënaqësi e qesëndi sesa me inat kish reaguar caresha në moshën 63-vjeçare, kur i treguan një broshurë nga Parisi. Në të flitej për “orgji të padëgjuara dhe dehje të pamasa në qilarët e Pallatit të Dimrit”. “Unë nuk kam qenë kurrë në qilarët e këtij pallati”, citohet të ketë thënë ndaj tyre Katerina. “Sa do të kënaqeshim sikur ta kishim ditur”, kishte thënë ajo.
Në fakt, caresha kishte krijuar një rend miqsh e të ftuarish për aktivitetet e saj private në ambientet e pallatit të saj, rregullat e pjesëmarrjes në të cilin edhe sot e kësaj dite tingëllojnë paksa puritane. Për shembull, për çdo dy vërejtje që të bëhej, duhej të paguaje më pas gjobën. Si vajzë e një gjenerali prusian, pushtetarja 34-vjeçare plot sukses e Rusisë deri më sot është veshur me namin e një makine të pangopur seksi. Por rinia e saj kaloi në këtë aspekt, thuajse pa asgjë “spektakolare”.
Pas një dështimi të gjatë në martesë në krah të ndoshta pasuesit më impotent të fronit rus, Pjetrit, Katerina nuk ishte më e gatshme ta ndante fatin e saj në mënyrë të padiskutueshme. Dy dekada në oborrin e Shën Petërsburgut i mësuan se ç’është agresiviteti dhe skrupuloziteti. Më vonë, ajo do të thoshte: “Unë përgjatë 18 vjetëve kam bërë një jetë, prej të cilave dhjetë do të kishin çmendur fare çdo njeri dhe njëzet syresh në vendin tim do të kishin vdekur nga shqetësimet”. Pasi Katerina fillimisht jetoi si një murgeshë, ajo i vuri më në fund syrin shërbëtorit të oborrit, Sergej Saltikov, duke e shndërruar në të dashur, nga i cili ajo madje pati një fëmijë në vitin 1754 e që u zhduk më pas në harresë.
Gjatë 24 viteve që pasuan (1752–1776), Katerina pati lidhje me dy burra të tjerë. Në fillim me Grigori Orlov dhe pas tij me Grigori Potjomkin. Orlov, i cili ia kishte hapur rrugën asaj në pushtet nëpërmjet një puçi ushtarak, u shkarkua pasi kërkoi që të martohej me dhunë me careshën. Princi Potjomkin qe më pas edhe dashuria e madhe e jetës së saj, jo vetëm sepse ai posedonte një nivel të lartë inteligjence. Ai i mbeti asaj besnik, duke i qëndruar si i dashur deri në vitin 1776, po jo më pak në krah edhe si burrë shteti deri në vdekjen e saj në vitin 1791.
Të dy i shkruan njëri-tjetrit letra shumë të ndjeshme e të zjarrta dashurie. Në moshën 47-vjeçare, Katerina ia nisi të interesohej për favoritët mashkullorë. Në verën e vitit 1776, ukrainasi sharmant, Pjotr Savadovski, çeli i pari siparin. Sikurse edhe paraardhësit e tij, ai ndoqi një procedurë që jepte shkas për keqkuptime e thashetheme të mëdha. Mjeku personal i Katerinës e vizitoi dashnorin e ardhshëm të saj, sigurisht jo për potencën seksuale, por se mos ai kishte ndonjë sëmundje veneriane apo të tjera të fshehura, pasi në shoqërinë e oborrit të asaj kohe sëmundjet seksuale ishin shumë të përhapura dhe shpesh çonin në vdekje të papritura, duke pasur parasysh mungesën e trajtimit adekuat.
Por Potjomkin bënte dhe një vlerësim të hollë- sishëm të figurës së kandidatëve të preferuar të careshës, studionte sjelljen e tyre, dhuntitë, pasionet apo dhe karakterin që posedonin. Ngaqë te të përzgjedhurit shpesh bëhej fjalë për oficerë të vrazhdë e të palatuar të gardës, e besuara në të njëjtën moshë me careshën, kontesha Praskovja Bruce, kishte marrë detyrën të mësonte me sjelljen e salloneve të rinjtë e ashpër, në mënyrë që të dinin të silleshin para perandoreshës e të mos dështonin. Kush nuk e merrte provimin, le të themi, apo nuk sillej siç duhej, hiqej nga lista.
Kjo u shërbente disa “gjuhëve të liga” që t’i jepnin konteshës Bruce epitetin e një “Éprouveuse” (testueseje, gustadorje). Ajo duhej të verifikonte çdo dashnor potencial në aspektin e aftësive seksuale dhe të hartonte raporte të rregullta mbi to. Ngaqë jeta e Katerinës është dokumentuar në fakt nëpërmjet mijëra letrave apo dhe raporteve të dëshmitarëve okularë, të gjitha në mënyrë shumë të rregullt e të mirarkivuara, sot arrihet në përfundimin se ajo mund të ketë pasur rreth 18-21 të dashur në 44 vite, një numër deri diku “i arsyeshëm”. Por njëri prej tyre del nga rreshti: Aleksandër Lanskoi.
Në tetor të vitit 1779, caresha e bëri burrin 29 vjet më të ri se vetja tashmë, favoritin e saj. Ai ishte një djalosh i talentuar, me shije të hollë e njeri i dashur, larg çdo arrogance. Interesat intelektuale të perandoreshës gjetën tek ai jehonën e duhur. Me shumë zell, ai gërmoi nëpër arkivat e manastireve për ta ndihmuar Katerinën të hartonte një vepër që do të duhej të fliste për historinë e Rusisë. Por në vitin 1784, Lanskoi vdiq nga difteria. Katerina më pas për mjaft muaj pati shumë burra në jetën e saj, para se ajo të rihidhej sërish në zakonet e moçme dhe të fuste në shtrat favoritin e fundit të saj, Platon Subov. E gjitha kjo ndodhi në një kohë kur ajo pritej nga princërit që kërkonin një marrëdhënie jashtëmartesore, apo që kishin shumë “konkubina”.
Përse pra këto raporte të gjetura më vonë mbi eksperiencat e shfrenuara seksuale të Katerinës? Shkaqet qëndrojnë në revolucionin francez dhe nga jehona që ai gjeti, armike e ashpër e të cilit ishte dhe Katerina. Publicistët e vendosnin perandoreshën ruse në botime me fjalë e ilustrime si një hundëbrirë të shëmtuar, që rrethohej nga burrat në orgji të pamasa. Në një karikaturë shumë ofensive, monarkët e Evropës e shohin careshën poshtë fustanit dhe admirojnë “hapin e saj perandorak”.
Këto pamflete qarkullonin në shumë vende në atë kohë dhe linin sigurisht një shije të hidhur. Pa u thelluar shumë në fakte, deri më sot e kësaj dite kanë qarkulluar histori shtrati me careshën me përmbajtje skandaloze. Raportet erotike të transmetuara në TV gjerman para pak viteve shkaktuan një “tronditje” kur u shfaqën mobilie, objekte e piktura me përmbajte pornografike, të cilat në fund të vitit 1941 u morën nga anëtarët e ushtrisë gjermane në Pallatin e Gaçinas, 40 kilometra larg ish-Leningradit të atëhershëm.
Parë nga kjo perspektivë, nga ai inventar në bardhezi, sot ekzistojnë vetëm pak foto dhe duke gjykuar se kështjella apo Pallati Gaçina i përkiste Grigori Orlovit dhe jo Katerinës, duhet korrigjuar disi shënjestra dhe pohuar se ato mobilie dhe ai stil mobilimi i përket shumë më tepër fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë sesa atij të 18-të. Por, siç shkruante dhe vetë Katerina në vitin 1773, në një komedi të shkruar prej saj: “Zonja llafazane dhe familja e saj do të rrojnë gjithmonë, në jetë të jetëve”. /panorama.al
List of videos