Llullaku: Do ta ndalim Italinë
Llullaku: Do ta ndalim Italinë
17.02.2017 | 15:23
Planifikimi i datëlindjes është gjëja më normale për çdokënd. Mirëpo, detaje si festa, përzgjedhja e vendit, miqtë dhe të ftuarit që kërkon të kesh pranë, ka raste që nuk janë në dorën tënde.

Të tillë moment tregon për “Panorama Sport” edhe Azdren Llullaku. I gjendur i grumbulluar me skuadrën e tij të re, Astana, sulmuesi i Kombëtares rrëfen dëshirën e mëngjesit sapo është zgjuar, dhuratat dhe mënyrën e festimit në vitet e fundit. Llullaku shprehet se ka ndryshime thelbësore mes mënyrës së funksionimit të gjërave tek Astana, ndryshe nga sa ishte mësuar të ndodhnin në Rumani, te Gaz Metan. Futbollisti kuqezi rrëfen vështirësitë dhe mënyrën si është pritur nga shokët e rinj. Gjithashtu, lojtari i Kombëtares komenton edhe përballjen e radhës me Italinë…

Cili është urimi më i veçantë që keni marrë për ditëlindje?
Llullaku: Urimet më të sinqerta vijnë gjithmonë nga familja, të cilat i pret me padurim, pasi të japin një ndjesinë të veçantë.

Cila ka qenë ditëlindja më e veçantë që keni festuar?
Llullaku: Nuk mund të ndaj një të tillë, por mund të them që, në rreth pesë vitet e fundit, kam qenë gjithmonë i grumbulluar me ekipin në këtë kohë. Kjo më ka bërë që të mos kem shumë mundësi për të festuar si dua këto vitet e fundit.

Cila është dhurata më speciale që keni marrë?
Llullaku: Atë që ju thashë më sipër, festimi i ditëlindjes në grumbullim më ka bërë që të mos marr edhe shumë dhurata (qesh…). Gjithsesi, është interesante që ta festosh ditëlindjen me shokët e ekipit, pasi janë njerëzit me të cilët kalon shumë kohë gjatë vitit dhe, pse jo, ka bukurinë e vet edhe kur je pranë tyre gjatë një dite të shënuar për çdokënd.

Cili ishte mendimi juaj i parë kur u zgjuat në mëngjes. Çfarë dëshire menduat me vete?
Llullaku: Nuk mund të ishte tjetër, veçse dëshira për të pasur këtu pranë edhe të dashur dhe familjarët e mi. Janë pjesë e rëndësishme për mua dhe sigurisht që ndjesia për t’i pasur pranë më mungon në një ditë si kjo. Kështu është jeta dhe i tillë është futbolli. Duhet pranuar edhe me këto pengesa dhe largësi që na mban me njerëzit që duam.

Si ju kanë pritur në skuadrën e re?
Llullaku: Më kanë pritur shumë mirë. Astana është një skuadër shumë cilësore, kolegët janë të hapur, profesionistë dhe shumë miqësorë, të cilët më kanë ndihmuar për çdo gjë.

Cila është gjëja e parë që keni vënë re tek Astana, ndryshe nga Gaz Metan në Rumani?
Llullaku: Serioziteti. Që në ditët e mia të para në këtë ekip, më ka bërë përshtypje serioziteti dhe mënyra se si punojnë. Janë gjithmonë të fokusuar në gjërat që duhet të bëjë gjithsecili dhe janë maksimalisht të motivuar në çdo moment. Kjo gjë më ka impresionuar vërtet dhe më ka pëlqyer jashtë mase.

A keni krijuar miqësi të ngushtë me ndonjë nga lojtarët e skuadrës?
Llullaku: Kam lidhur miqësi me shumë futbollistë. Është një ekip, i cili, edhe pse ka lojtarë nga vende të ndryshme, kanë një marrëdhënie shumë të mirë mes tyre. Kjo më ka bërë të ndihem i mirëpritur.

Keni pasur vështirësi komunikimi në lidhje me gjuhën?
Llullaku: Në fakt, po. Ekziston një problem i tillë. Ka disa lojtarë që nuk dinë të flasin anglisht dhe unë, për fat të keq, nuk e kam mësuar ende rusishten, të cilën do të më duhet që ta bëj timen sa më shpejt. Për pak kohë, them që do ta mësoj edhe unë që të paktën të komunikojmë në rusisht.

Për të kaluar te Kombëtarja, çfarë gabimesh bëri Shqipëria, të cilat nuk duhen përsëritur ndaj Italisë?
Llullaku: Ishte një ndeshje shumë e çuditshme. Siç e kam thënë edhe më parë, pas 15 minutash ishim në inferioritet numerik në fushë dhe që nga ai moment, u bë shumë e vështirë që të përballonim kundërshtarin. Izraeli ishte skuadër me eksperiencë dhe diti si të sillet në një situatë kur ishte me një lojtar më shumë sesa ne në fushë.

Si e prisni përballjen me Italinë?
Llullaku: Ndaj tyre do të jetë një ndeshje disa herë më e vështirë, nga sa ju thashë më sipër për Izraelin. Gjithsesi, ne do të futemi në atë takim që të marrim pikë. Na duhet që të bëjmë më të mirën që dimë të bëjmë dhe të jemi plotësisht të fokusuar në çfarë detyrash do të kemi nga trajneri.

Nëse do të flisnim për pika të forta dhe të dobëta të tyre, çfarë do të veçonit?
Llullaku: Asgjë! Të flasësh për pika të dobëta të një ekipi si Italia, më duket e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Sa u përket pikave të forta, mund të përgjigjem duke thënë që ne premtojmë se do të japim maksimumin. E kemi detyrim për fanellën që mbajmë të veshur të bëjmë atë që kemi në mundësitë tona.

List of videos