Stavileci: Specialja dhe demarkacioni duhet të kenë epilog të shpejtë

24 janar 2018 | 19:08

Këshilltari politik i kryeparlamentarit Kadri Veseli, Blerand Stavileci, ka bërë me dije se Gjykata Speciale dhe demarkacioni me Malin e Zi do të duhej të kenë epilog sa më të shpejtë.

Ai ka deklaruar se shteti dhe shoqëria nuk mund të mbahen peng deri në pafundësi për shkak të këtyre çështjeve.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Stavileci ka thënë se njerëzit duan dhe kanë nevojë për lëvizje të lirë, për vende pune dhe për ekonomi përparimtare.

“Jo vetëm demarkacioni dhe Specialja, por edhe temat e tjera të hapura politike, mbi të gjitha ushtria si dhe dialogu, janë tema që do të duhej ta kishin epilogun e tyre sa më shpejt. Shteti dhe shoqëria s’mund të mbahen peng deri në pafundësi. Njerëzit duan dhe kanë nevojë për lëvizje të lirë, vende pune, ekonomi përparimtare, edukim cilësor, shëndetësi të efektshme, drejtësi funksionale, siguri të plotë, demokraci dhe partneritet të fuqishëm me shtetet e zhvilluara”, ka deklaruar Stavileci.

Sipas tij, Gjykata Speciale, sado e padrejtë që është, nuk mund të ndalet. “Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vepruar në bazë të Rregullores, e cila parasheh që çdo nismë ligjore t’i dërgohet për mendim Qeverisë së Kosovës. Kjo është një procedurë e rregullt. Qeveria ka në dispozicion 30 ditë për ta kthyer opinionin e saj. Kjo çështje aktualisht është në procedurë. Por, qëndrimet politike tashmë secili i ka të shprehura. Unë mund ta përsëris atë që e ka deklaruar edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, se Gjykata Speciale, sado e padrejtë, nuk mund të ndalet”, ka thënë Stavileci.

Sa i përket demarkacionit, ai ka vlerësuar se kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend sa më parë. Sipas Stavilecit, ky ratifikim është vendimi kryesor që tash Kuvendi i Kosovës duhet ta marrë.

“Qëndrimi i PDK-së është se demarkacioni me Malin e Zi duhet të kalojë dhe kjo temë duhet të përmbyllet sa më parë. Është sfida jonë e radhës, vendimi kryesor që ne tash duhet ta marrim. Qytetarët tanë nuk meritojnë pritje të panumërta në izolim. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë shpejt në këtë drejtim”, është shprehur ai, duke shtuar se partnerët e koalicionit qeverisës, së bashku edhe me partitë opozitare, duhet ta gjejnë një konsensus për ta kaluar këtë çështje në Kuvend.

“Epoka e re”: Kryesia e Kuvendit ka vendosur që iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Specialen ta dërgojë në Qeveri. Cili do të jetë qëndrimi i PDK-së, nëse kjo çështje do të kthehet sërish në Kuvend?
Stavileci: Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vepruar në bazë të Rregullores, e cila parasheh që çdo nismë ligjore t’i dërgohet për mendim Qeverisë së Kosovës. Kjo është një procedurë e rregullt. Qeveria ka në dispozicion 30 ditë për ta kthyer opinionin e saj. Kjo çështje aktualisht është në procedurë. Por, qëndrimet politike tashmë secili i ka të shprehura. Unë mund ta përsëris atë që e ka deklaruar edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, se Gjykata Speciale, sado e padrejtë, nuk mund të ndalet.

 “Epoka e re”: Lideri i PDK-së e ka bërë të qartë qëndrimin ndaj kësaj iniciative, mirëpo shumica e deputetëve të kësaj partie e kanë nënshkruar këtë nismë. A do t’i tërheqin këta deputetë nënshkrimet e tyre?
Stavileci: Nisma e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës tashmë është në trajtim e sipër sepse, siç e thashë, Projektligji për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale i është dërguar për mendim Qeverisë së Kosovës. Pas Qeverisë, ashtu siç parashihet, Projektligji duhet t’i kalojë komisionit përkatës parlamentar. Pra, është një rrugë që duhet të ndiqet e opinionet duhet t’i presim.

“Epoka e re”: Pritjet kanë qenë që këtë muaj të shqyrtohet në Kuvend edhe demarkacioni me Malin e Zi, por ende kryesia e Kuvendit nuk ka vendosur për këtë çështje. Kur mund të presim që kjo çështje të diskutohet në Kuvend?
Stavileci: Në momentin e parë që administrata e Kuvendit e sjell dokumentacionin e plotë, kryesia do ta marrë parasysh dhe do ta trajtojë atë, ashtu siç e parasheh Rregullorja. Shqetësimi më i madh këtu është se Komisioni për Punë të Jashtme nuk ka dhënë një qëndrim të qartë, në favor apo në kundërshtim të marrëveshjes për demarkacionin, e cila është pritur të ndodhë.

 “Epoka e re”: Pavarësisht prej thirrjeve të partnerëve ndërkombëtarë për këtë çështje, qëndrimi i PDK-së për demarkacionin nuk është i njëjtë me atë të AAK-së dhe të Nismës. A është i mundshëm harmonizimi i parterëve qeverisës për demarkacionin?
Stavileci: Qëndrimi i PDK-së është se demarkacioni me Malin e Zi duhet të kalojë dhe kjo temë duhet të përmbyllet sa më parë. Është sfida jonë e radhës, vendimi kryesor që ne tash duhet ta marrim. Qytetarët tanë nuk meritojnë pritje të panumërta në izolim. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë shpejt në këtë drejtim.

 “Epoka e re”: A mund të sigurohen votat e mjaftueshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje?
Stavileci: Mendoj se partnerët e koalicionit qeverisës, së bashku edhe me partitë opozitare, duhet ta gjejnë një konsensus për ta kaluar demarkacionin. Shumica janë të bindur se marrëveshja është në rregull. Pastaj, ky është kushti kryesor për liberalizimin e vizave. Jemi vonuar shumë në këtë drejtim. Jo vetëm demarkacioni dhe Specialja, por edhe temat e tjera të hapura politike, mbi të gjitha ushtria, si dhe dialogu, janë tema që do të duhej ta kishin epilogun e tyre sa më shpejt. Shteti dhe shoqëria s’mund të mbahen peng deri në pafundësi. Njerëzit duan dhe kanë nevojë për lëvizje të lirë, për vende pune, për ekonomi përparimtare, për edukim cilësor, për shëndetësi të efektshme, për drejtësi funksionale, për siguri të plotë, për demokraci dhe partneritet të fuqishëm me shtetet e zhvilluara.

“Epoka e re”: Me iniciativën për shfuqizimin e Speciales dhe me vonesat për ratifikimin e demarkacionit, sa po i rrezikon Kosova raportet me ShBA-në dhe BE-në?
Stavileci: Ndërtimi i shtetit të Kosovës është një ecje e përbashkët me ShBA-në dhe vendet e BE-së. Ky partneritet strategjik assesi nuk do të rrezikohet, as nuk do të dëmtohet. Por, bashkërisht do të vazhdojmë të punojmë për procese të rëndësishme për Kosovën.

“Epoka e re”: Ju jeni bërë pjesë e bisedimeve me Serbinë në Bruksel, të cilat tashmë janë ndërprerë përkohësisht. Kur mund ta presim vazhdimin e këtyre bisedimeve?
Stavileci: Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për ta vazhduar dialogun duke e konsideruar si të vetmin instrument politik me të cilin realizohen synimet dhe pritjet tona. Do të donim të besonim që edhe pala tjetër ta ketë plotësisht dhe sinqerisht të njëjtin qëndrim. Janë tema që kërkojnë zgjidhje dhe të gjitha zgjidhjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Edhe vonesat dhe pengesat, sidomos të palës tjetër, përbëjnë problem në vete dhe këtu do të donim që BE-ja ta ushtronte sa më efektshëm rolin dhe ndikimin e vet.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka…