Syla: Këto janë të arriturat e zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së

18 korrik 2018 | 23:45

Drejtori i Zyrës për Çështjet e kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së (ZÇKL), Gazmend Syla përmes një postimi të tij në rrjetin social “Facebook”, ka paraqitur të arriturat e zyrës së tij, gjatë periudhës dhjetëmujore si drejtues i kësaj zyreje.

Ja postimi i tij i plotë:

U bën 10 muaj që kur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ma besoi detyrën e udhëheqjes së Zyrës për Çështjet e kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së (ZÇKL). 

Duke besuar që kam kryer me nderë e përkushtim detyrat që më janë ngarkuar, ndjeva për obligim që të ndajë me ju disa nga aktivitetet kryesore që kemi zhvilluar si Zyrë për këto 10 muaj:

          ZÇKL ka pritur dhe trajtuar rreth 3500 persona nga kategoritë e lirisë, ka dëgjuar hallet e problemet e tyre dhe me përkushtim të plotë kemi provuar të gjejmë zgjidhje për to.

          Zyra jonë në afat rekord ka përfunduar me sukses rregullimin e problemeve teknike të procesit të ankesave. 

          ZÇKL ka lëshuar certifikatat për Veteranët – Pjesëtar dhe Veteranët – Pjesëmarrës.

          Në këto 10 muaj, kemi lëshuar 10770 vërtetime të ndryshme për kategoritë e lirisë: 4719 vërtetime për veteranë, 2785 vërtetime për invalidë, 640 vërtetime për familje të Dëshmorëve, 470 vërtetime për stazh pune, 2064 vërtetime për benificione, kryesisht për studentët që ju takojnë kategorive të lirisë e të tjera. 

          ZÇKL ka inicuar anulimin e një vendimi të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të vitit 2010, që ndalonte aplikimin e familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës për t’u futur në skemën pensionale dhe që dëmtoi qindra familjarë dëshmorësh e mijëra invalidë për të gëzuar benificionet që ju takojnë me ligj për tri vite me radhë. 

          Kemi iniciuar formimin e Komisionit Mjekësor Invalidor; kemi monitoruar punën e këtij komisioni, ku kemi evidentuar ankesat si nga mjekët ashtu dhe nga palët.

          Kemi realizuar të gjitha kërkesat e Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së (OVL, SHIL dhe SHFD), përmes vendimeve qeveritare, ku këto shoqata kanë përfituar rreth 1.350.000 euro për: rehabilitimin në banja e bregdet, ndërrimin e protezave të Invalidëve, renovim e mirëmbajtje të zyrave, materiale e shpenzime administrative e të tjera. 

          Kemi iniciuar ndryshimin e rregullores për përfitimet doganore të Invalidëve të Luftës, rregullore që ka qenë diskriminuese për Invalidët, e me këtë proces po merret zyra ligjore e ZKM dhe MPMS dhe është afër harmonizimit.

          Për nevojat juridike të kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së, Zyra jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, agjenci e cila ka filluar ndihmën për veteranët, invalidët e familjet e dëshmorëve që kanë nevojë për këshilla apo përfaqësim juridik. 

          Me qëllim të zbatimit të Ligjit (që është kusht nga MSA mes Kosovës dhe BE-së), konkretisht të Ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e kategorive të dala nga Lufta Çlirimtare e Kosovës, respektivisht ligjeve nr.04/L-054 dhe nr.04/L-261, ZÇKL ka dërguar 2 kërkesa në 12 ministri, për nxjerrjen e 13 akteve nënligjore, që parashihen nga ligjet e lartpërmendura, akte këto nga të cilat do të përfitojnë të gjitha kategoritë e lirisë

          Nën Patronatin e Kryeministrit Haradinaj, ZÇKL ka organizuar disa akademi e tubime përkujtimore: Akademi përkujtimore në Prishtinë për heroin Adrian Krasniqi; Akademi përkujtimore në Prishtinë për heroin Zahir Pajaziti; Manifestimi Ditët e Shqipes 2018 (tubimi në Koshare dhe akademitë përkujtimore në Prishtinë për Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahaj); Akademi përkujtimore në Prishtinë për heroin Ilaz Kodra; Tubimi përkujtimor në Penuhë me rastin e inaugurimit të Kompleksit Memorial të ZO të Llapit; Akademi përkujtimore në Tiranë për heronjtë Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj; Tubimi përkujtimor në Llapushnik me rastin e 20 vjetorit të betejës së Llapushnikut; Akademi përkujtimore në Prishtinë për Dëshmorët Rasim Kiqina dhe Ragip Halilaj; Tubimi përkujtimor në Rakovinë me rastin e 20 vjetorit të betejës së Rakovinës

          Kemi prezantuar në homazhe, akademi të ndryshme për Dëshmorët anekënd Kosovës. 

          Kemi zhvilluar takime me drejtorët e qendrave korrektuese në Smrekonicë dhe Dubravë, ku u informuam për numrin e pjesëtarëve të kategorive të dala nga lufta që gjenden në vuajtje të dënimit dhe nevojat e tyre. Për këtë qëllim janë mbajtur disa takime edhe me kreun e Shërbimit Korrektues të Kosovës. 

          Kemi botuar 3 broshura informative: për familjet e Dëshmorëve, për Invalidët e Luftës dhe për pjesëtarët e kategorive të luftës që janë në vuajtje të dënimit nëpër qendra korrektuese 

          Zyra jonë vazhdimisht bashkëpunon me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Avokaturën Shtetërore dhe të gjitha institucionet e tjera, për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. 

Dhe në fund vlen të theksohet se numri i veteranëve me pension po zvogëlohet, pasi që shumë bashkëluftëtar tonë po vdesin dita ditës. Një pjesë e tyre nuk kanë lënë trashëgimtar, e janë 2008 familje që gëzojnë pension trashëgimtari (119 euro në muaj). 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona janë plagosur si pasojë e të shtënave me…