Syla: Që 20 muaj po kryqëzohet Azem Syla, por biografinë s’mund t’ia nxijë askush

25 dhjetor 2017 | 10:47

Shkrimtari Ismail Syla ka reaguar mbrëmë në natën e Krishtlindjes për qëllimin e burgosjes së Azem Sylës, kur janë bërë edhe 20 muaj nga burgosja e tij.

Ai ka thënë se qëllimi i arrestimit, bastisjes, botimit të akuzave, ribotimit të tyre, riciklimit të akuzave sa herë përmendet emri i tij në shtyp është i programuar.

“Njerëzit në fund të vitit kanë një prirje natyrale për të festuar rrumbullakimin e një viti, duke rikujtuar sukseset, dështimet, brengat dhe sfidat. Nuk ka gjë më absurde se në fundin e dekadës së dytë të lirisë së Kosovës, në 10 vjetorin e Pavarësisë, e them me bindje të çimentuar, atdhetari dhe çlirimtari Azem Syla e pret vitin e ri 2018 në burg”, ka shkruar Syla.

Ky është reagimi personal i shkrimtarit Ismail Syla:

AZEM SYLA, 20 MUAJ NË BURG… Sonte, natën e Krishtlindjeve, në prag të festave të fundvitit, në prag të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, po bëhen 20 muaj që po qëndron në burg njëri nga njerëzit më të merituar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Azem Syla, arsimtari im i kimisë në shkollën fillore “Bajram Curri” në Nekofc të Drenasit në vitin 1974.

Që në fëmijëri te ky njeri kam parë dy gjëra evidente, fjalëpakë, i prerë, i guximshëm por edhe shpirtbutë. Për shpirtbutësinë e tij, e dija saktësisht se i vinte nga një fakt jetësor. Që në moshë të re i kishte vdekur nëna, Arifja, për të cilën nëna ime Hyra gjithmonë e ka kujtuar si një grua me vlera të rralla. Babai i Azemit, baci Rizah, që vdiq pas luftës, ka qenë njeriu që nuk e kam parë kurrë duke qeshur dhe gajasur. Ma kujton interpretimin e Umberto Ecos për Jezu Krishtin, për të cilin thotë se kurrë nuk ka qeshur.

Baci Rizah me fytyrën e tij serioze, me ecjen, kujdesin ndaj familjeve të njerëzve të shtypur, të persekutuar personifikonte pozicionin e njeriut që është i vetëdijshëm se jeton në Kosovën e robëruar. Azem Syla identitetin tij prej njeriu të super vendosur kundër sundimit të Jugosllavisë mbi Kosovën e shfaqi në vitet e punës si profesor kimie në gjimnazin e Kjevës. Aty ai krijoi një plejadë të tërë nxënësish, duke i frymëzuar me dashuri për Kosovën, për Shqipërinë, duke ua mbjellë njëherë dhe përgjithmonë urrejtjen ndaj robërisë.

Më ka rënë t’i dëgjoj ish nxënësit e tij duke folur për të. Shumica e tyre kaluan me nder sprovat e viteve të burgut ose të luftës. Azem Syla u dënua me burg si anëtar i Organizatës Ilegale OMLK në vitin 1982. Në Burgun e Novi Sadit, sado pati provokime të rënda të programuara nga segmentet e UDB-së, ai nuk u thye asnjë çast. Pas daljes nga burgu, e zhvilloi deri në skajshmëri aktivitetin politik dhe ushtarak kundër Jugosllavisë, si njëri nga njerëzit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas daljes nga mbajtja në izolim në vitin 1989, Azem Syla bën jetë ilegale, duke mos u ndalur asnjëherë në rrugën e çlirimit. Është kryevepër jetësore kthjelltësia dhe vendosmëria e tij politike e kombëtare, që përmes Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (më vonë LPK) të mos e ngatërrojë asnjë çast kursin e duhur për të bërë atë që duhet bërë. As krijimi i alternativës politike në fund të 1989, kur shqiptarët u ekskomunikuan nga sistemi jugosllav, as politika paqësore e LDK-së, as politika e pritjes së krijimit të frontit të përbashkët për ta filluar luftën çlirimtare, nuk ia çorientuan gjilpërën e busullës politike të Azem Sylës. Ai u gjend pikërisht në krahun e duhur në kohën e duhur për krijimin e segmentit ushtarak të Lëvizjes politike kombëtare.

Kthjelltësinë e orientimit nuk ia turbulloi asnjë minutë as qëndrimi në botën e jashtme, shkëputja nga Kosova. Përkundrazi, nga jashtë shfrytëzoi të gjitha mundësitë për ta forcuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Është e mirënjohur historia e tij politike që nga Rambujeja e deri me tani. Për këtë periudhë nuk ke çka të shtosh, sepse është veprimtari aq publike, sa e di gjithkush. Ajo që më ka rënë të dëgjoj nga personalitete kyçe të UÇK-së është fakti se pa kontributin e Azem Sylës UÇK-ja nuk do të ishte ajo që ka qenë. Është ndër udhëheqësit e lartë të saj që gëzon autoritet suprem tek ushtarët, veteranët dhe invalidët e luftës. Familjet e dëshmorëve, fëmijët e dëshmorëve kanë respekt të jashtëzakonshëm për Azem Sylën. Ky autoritet ka rrënjë të thella.

Ky respekt është dukuri e pakorruptueshme. Ajo që është absurde, paradoksale, e pakuptimtë dhe fundamentalisht e papranueshme është përpjekja që Azem Syla të identifikohet me krimin për përfitim ekonomik përmes pronave. Thua ky njeri paska pasur këtë qëllim jetësor? T’i gjejë ku e ku mbi 50 njerëz për të bërë përfitime ekonomike? A mund të besohet ky “kryeqëllim” jetësor i tij? Madje madje, edhe me disa serbë? Është e tepërt kapja e kokës me duar dhe klithja: “Zot, O Zot, a besohet kjo!” Mënyra e bastisjes së shtëpisë së tij në vendlindje, në Kishnarekë, përpjekja për ta shitur si sukses të EULEX –it për luftimin e krimit të organizuar, vargani i automjeteve, thyerja e derës së oborrit, skenari dhe xhirimi i bastisjes që nga nisja në Prishtinë e deri te detyrimi për bisedë telefonike me të birin, janë gjëja më e shëmtuar që mund ta bëjë një mision qoftë edhe me siglën e BE-së.

Në thelb të arrestimit, të burgosjes, të përpjekjes për ta inkriminuar dhe akuzuar Azem Sylën ka vetëm një qëllim. Është mënyra e vetme që t’i prishet bukuria e personalitetit të tij. Është e vetmja metodë për ta grithur integritetin e tij të fortë. Është e vetmja mënyrë për ta përdhosur figurën e tij të lartë në radhë të parë kombëtare, pastaj politike dhe individuale. Në Kosovën e 2016-ës mund të filmohet lehtë bastisja elegante e shtëpisë së Azem Sylës nga EULEX. Po ajo shtëpi me një brutalitet vrastar është bastisur më 1994 nga një konvoj pizgauerësh serbë. Populli, mileti, qytetarët që e njohin Azem Sylën ka memorie afatgjatë. Ata e dinë se çdo qelizë në trup të tij ka qenë antijugosllave, ka qenë kundër robërimit dhe poshtërimit të shqiptarëve nga ana e Beogradit zyrtar.

Qytetarët që e njohin Azem Sylën e dinë se sa i i vendosur dhe parimor ka qenë në jetë në përcaktimin jetësor si atdhetar i radhëve të para. Personalitete të tilla me koherencë veprimi dhe integritet të lartë kombëtar e njerëzor nuk krijohen shpejt dhe shumë. Vetëm rrethanat politike i krijojnë figurat e mëdha.

Pra, si të besohet se tridhjetë vjet veprimtari patriotike të tij deri në çlirimin e Kosovës kanë pasur qëllim krijimin e grupit kriminel prej 54 vetash për të përfituar ekonomikisht dhe për ta dëmtuar pasurinë publike të Kosovës? Jo. Qëllimi i arrestimit, bastisjes, botimit të akuzave në “Kohën Ditore”, ribotimi i tyre, riciklimi i akuzave sa herë përmendet emri i tij në shtyp, veçanërisht në “Koha Ditore” është i programuar. Të rrënohet emri i tij.

Dhe sipas kësaj teknike, nuk ka gjë më të mirë se të rrënohet përmes gjoja keqpërdorimit të pronave. Askujt nuk do t’i dhimbet. E në fund të arrihet mbjellja e dyshimit dhe befasisë, zbulimi i esencës së personalitetit të Azem Sylës: Ai nuk paska qenë kurrfarë patrioti. Të kthehemi te fillimi.

Njerëzit në fund të vitit kanë një prirje natyrale për të festuar rrumbullakimin e një viti, duke rikujtuar sukseset, dështimet, brengat dhe sfidat. Nuk ka gjë më absurde se në fundin e dekadës së dytë të lirisë së Kosovës, në 10 vjetorin e Pavarësisë, e them me bindje të çimentuar, atdhetari dhe çlirimtari Azem Syla e pret vitin e ri 2018 në burg.

Meqë sonte është nata e Kërshëndellave, që ka të bëj me lindjen e Jezu Krishtit, dua ta kujtoj një motiv të vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, që ka të bëj me Pashkët. Tri ditët e mundimit në kryq Zoti i ndërpreu lidhjet me birin e tij Jezusin. Ishin ditët e sprovës. Ai nuk e lëkundi besimin në Atin e tij. Pas tri dite e u ringjall dhe shkoi në qiell.

Azem Syla nuk është tri ditë por 20 muaj në kryq. Duke u kryqëzuar, duke u gozhduar. Ai nuk e ka humbur besimin në vete. As njerëzit që e njohin nuk e kanë humbur besimin në personalitetin e tij. Janë të rënda tri ditët, sa e sa muajt e shkëputjes së lidhjes me Zotin, por njerëz si Azem Syla nuk ligështohen përballë çdo braktisjeje, sado e gjatë apo e shkurtë që të jetë. Azem Sylës nuk mund t’ia nxijë biografinë askush. Një jetë të tërë e bëri për Kosovën, Lirinë dhe Atdheun.

Prishtinë, 24-25 dhjetor 2017

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisioni i kësaj jave n’Kosovë Show sjellë atmosferë të zjarrtë…