Sylë Mala, kryemjeshtri i mezhnicës

19 janar 2018 | 16:39

Prof. dr. Hysen Matoshi

Më 11 janar 2018, në moshën 84-vjeçare, i mbylli sytë mjeshtri i madh i muzikës sonë burimore, instrumentisti i mezhnicës dhe i instrumenteve të tjera frymore, Sylë Mala, nga fshati Vojnik i Skenderajt.

Ndonëse karakterizohej si një ndër më të mirët instrumentistë frymorë, gjithë jetën e e kaloi pa bujë të madhe, pa prezantime në medie, pa e trumbetuar talentin dhe mjeshtërinë e tij të rrallë në lojën me mezhnica.

Një artist i jashtëzakonshëm popullor bënte një jetë krejt të zakonshme, punonte tokën dhe jetonte me djersën e ballit. Modest, i qetë, urtar. Karriera e suksesshme e instrumentistit të njohur nuk ia kishte ndryshuar karakterin.

Elita e artistëve, në të shumtën e rasteve, popullaritetin e fituar në arritjet e tyre skenike e bëjnë pjesë të mendësisë si personalitete dhe të sjelljes së tyre në shoqëri.

Edhe pse i kisha dëgjuar disa pika të luajtura prej tij dhe kisha lexuar për të në revistën “Gjurmime albanologjike” – seria folklor dhe etnologji, veçmas për prezantimet dhe vlerësimet që kishte marrë në festivale vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare, personalisht e pata njohur fare vonë, vetëm pas përfundimit të luftës në Kosovë.

E njoha në saje të nipit tim, Heset Matoshit (edhe ai po ashtu një instrumentist popullor i dëgjuar në botën shqiptare), kur bashkërisht ia bëmë një vizitë në Vojnik, ku ishte kthyer në oborrin e shtëpisë së shkrumbuar nga soldateska serbe. E kishte adoptuar një objekt aq sa të fuste kokën me dy të bijtë e tij, Kadriun e Haxhiun dhe familjet e tyre.

Teksa po na tregonte përmasat e shtëpisë që kishte dikur dhe gjithë dëmet që ia kishte shkaktuar zjarri i luftës, me një buzëqeshje na bëri të ditur se, megjithatë, i kishin shpëtuar nga mësymja e piromanëve vetëm mezhnicat. I kishte ato si një shenjë shprese se prapë do ta riniste jetën në truallin e të parëve. Për të na nderuar ia mori një melodie. Në tingujt e saj vinte e dyzuar dhimbja për humbjet, por edhe gëzimi për lirinë. Tingujt e mezhnicës më ngjanin në një këngë-vaj plot dhembje e plot shpresë njëkohësisht.

Ndër të gjitha prezantimet në skena të festivaleve të ndryshme e veçonte me ëndje paraqitjen e tij në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Berat, më 1995, ku ishte nderuar me Çmim nga Juria e Festivalit dhe pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar “Kulturat e botës” (Les cultures du monde), i cili për dy javë ishte mbajtur në Ganat të Francës, në korrik të vitit 1996.

Sipas punimit studimor të etnomuzikologut Bahtir Sheholli, të titulluar “Festivali Folklorik Kombëtar i Beratit”, botuar në revistën “Gjurmime albanologjike”, seria folklor dhe etnologji, nr. 25, i gjithë ekipi përfaqësues i Kosovës u vlerësua lart nga Kryetari i Jurisë, Ramadan Sokoli, por edhe nga studiues dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë, ku përfshihej edhe Jean Roche (1946-2017), themeluesi dhe kryetari i Festivalit ndërkombëtar “Kulturat e Botës” (1974), i cili e ftoi grupin nga Kosova që, në vitin vijues, të jetë pjesëmarrës në Festivalin e Ganatit, krahas shumë vendeve të tjera të botës.

Etnomuzikologu Sheholli konstatonte se, në mënyrë të veçantë, nga i gjithë grupi përfaqësues i Kosovës, në Festivalin e Beratit u vlerësua instrumentisti Sylë Mala: “Instrumentistë të dalluar ishin Heset Matoshi nga Gmica e Kamenicës (luajti melodi me nrrojsa, fyell dhe kavall), Zekë Muriqi nga Rugova (me spua dhe kavall), si dhe zurlaxhinjtë nga Gjilani, Hetem dhe Skënder Hamiti (me tupan i përcillte Demir Nasufi), që të gjithë këta, me një teknikë speciale të inspirimit dhe të ekspirimit të ajrit, me fryrje të pandërprerë, me ç’rast nxirret një melodi fort karakteristike e traditës sonë muzikore, por edhe për origjinalitetin e të luajturit tradicional të teknikës specifike baritore të zonave malore-blegtorale.

I tillë ishte edhe Sylë Mala nga Vojniku i Skenderajt, i cili me meloditë baritore magjepsëse të luajtura me mezhnica (gajde) dhe me nivelin e lartë artistik e bëri për vete jurinë, e cila e çmoi me vendin e tretë për interpretim solistik…” Janë të shumta festivalet e tjera në të cilat kishte shkëlqyer, përfshirë këtu edhe Festivalin tradicional të Drenasit, si më i rëndësishmi i mbajtur në Kosovë. Folkloristi, prof. dr. Adem Zejnullahu, shfaqte mendimin se instrumentisti Sylë Mala ishte njëra ndër ikonat e këtij festivali.

Megjithatë, prezantimi dyjavor në qendra të ndryshme të Francës ishin mundësia më e mirë që mjeshtri i madh i mezhnicës të dëshmonte kapacitete e tij artistike. Profesori Sadri Fetiu, etnomuzikologu Bahtir Sheholli, pjesëmarrësi Heset Matoshi etj. flisnin për paraqitjet mbresëlënëse të Bacës Sylë në të gjitha koncertet që u mbajtën atje.

Etnomuzikologë nga bota do ta kishin në fokus të interesimit Sylë Malën dhe mezhnicat e tij. Një instrument, në dukje të parë i thjeshtë, prodhonte tinguj mahnitës në dorën e këtij artisti popullor. Shumë fotografi dhe shumë pyetje që do t’ia bënin lidheshin me mjeshtërinë e teknikat e ekzekutimit, me karakteristikat, me strukturën e instrumentit etj.

Ata do të mahniteshin edhe më tepër kur do ta kuptonin se instrumentisti ishte njëkohësisht edhe mjeshtri i punimit të meshnicave, ndaj kureshtja e tyre vijonte lidhur me materialin nga i cili bëheshin, me mënyrën e ndërtimit të tyre etj.

Njëherë, kur e takova në Prishtinë, më pyeti për gajdet që i përdornin ushtarët skocezë të KFOR-it gjatë prezantimeve publike që, kohë pas kohe, i mbanin në rrugët dhe sheshet e Prishtinës. Kishte dëshirë që t’iu binte, t’i provonte. I thashë se më dukeshin si të përpunuara, të fabrikuara, pra jo si punime dore. Si në shaka e pyeta nëse do t’i ndërronte mezhnicat e tij me ato gajdet e skocezëve. “Jo, besa nuk i ndërroj me kurrgja”, tha, po ashtu, duke qeshur. Mezhnicat ishin dashuria e tij, them se jeta e tij pa to nuk e kishte kuptimin e plotë.

Rastisi që për pak orë kultura jonë tradicionale të varfërohej për dy emra. Përveç Sylë Malës, nga kjo jetë u largua edhe valltari me nam Rexhep Çeliku. Muzika jonë tradicionale dhe vallja shqiptare do ta ndiejnë gjatë mungesën e këtyre emrave. Rexhep Çeliku, pak kohë para se të ndahej nga jeta, u vlerësua me çmimin “Nderi i Kombit”, i akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Për vdekjen e tij informuan të gjitha mediet e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë etj., zyrtarë të lartë shtetërorë të Tiranës e të Prishtinës, drejtues institucionesh e personalitete të shquara të botës shqiptare iu shprehën ngushëllime familjes së kryevalltarit shqiptar dhe të gjithë dashamirësve të tij e të artit të tij, pa munguar me atë rast as vlerësimet meritore për të.

Kjo ishte më e pakta që mund të bëhej për një emër të shquar të valles shqiptare sikundër është Rexhep Çeliku. Nuk e kam ndërmend të vë shenja barazie ndërmjet këtyre dy përfaqësuesve të kulturës sonë (fundja secili ishte i shquar në një trajtë specifike të saj), por më shkoi mendja se si largimi nga jeta i Sylë Malës ishte aq i pavërejtshëm.

Për të gjallë nuk mori ndonjë mirënjohje të shtetërore (përveç çmimeve të shumta e të merituara në festivale) dhe aq më pak ndonjë përfitim tjetër, edhe pse jetën ia dedikoi kulturës tradicionale shqiptare; për vdekjen e tij nuk njoftuan mediet tona (hiq një informacion të shkurtër të “Drenicapress”-it), gjithashtu nuk lexova askund që ndonjëri nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i shprehu ngushëllime familjes së tij.

E di se Sylë Mala nuk ka jetuar për nam. Nuk ishte as ndër ata që kërkonte ndere. Përkundrazi, ai me mjeshtërinë e tij si artist popullor, të shfaqur në vend dhe jashtë tij, e ka nderuar familjen, Kosovën dhe mbarë kulturën tradicionale shqiptare, si një përfaqësues besnik e i denjë i saj. E pavdekshme do të jetë trashëgimia që na la, tingujt magjepsës të mezhnicës së tij!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj, ka pritur…