A do ta zë Kosova momentin e fundit për liberalizimin e vizave?

24 dhjetor 2017 | 17:44

Institucionet e Kosovës i kanë vetëm pak javë në dispozicion që ta ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, thonë analistë të çështjeve integruese.

Nisur nga fakti që në shkurt, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, do të prezantojë strategjinë për Ballkanin dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian, analistët thonë se humbja e këtij momenti, do të nënkuptonte edhe disa vite izolim të Kosovës dhe mungesë të liberalizimit të vizave.

Ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i cili e kishte ftuar spektrin politik që të jetë i përgjegjshëm dhe i përgatitur që deri në atë kohë t’i kryejë obligimet e veta. Në të kundërtën, siç ka thënë ai, do t’i kushtonte Kosovës me “një çmim shumë të lartë”.

Kriteret për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës ishin dhe mbeten në agjendën politike të të gjitha Qeverive të Kosovës, që nga viti 2010 e këndej.

Aktualisht, kanë mbetur dy kriteret e fundit, përkatësisht kriteri për luftimin e korrupsionit dhe ai për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Jehona Lushaku – Sadriu, analiste e çështje politike në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e konsideron të rëndësishme që kriteret e mbetura të plotësohen në kohë rekorde.

Ajo ka theksuar se në këtë proces janë shënuar ngecje dhe se Kosova është në pikën e njëjtë siç ka qenë para tre vjetësh.

“Është krijuar një situatë paradoksale sa i përket marrëveshjes së demarkacionit. Në njërën anë është aprovuar marrëveshja në Qeveri, ndërsa në anën tjetër e kemi një thirrje nga ana e kryeministrit që kjo marrëveshje të mos miratohet në Parlament. Ndërkohë, në anën tjetër kemi një thirrje nga presidenti që kjo marrëveshje të aprovohet dhe, po ashtu, kemi thirrje nga bashkësia ndërkombëtare që kjo marrëveshje të kalojë pasi që është marrëveshje obligative për t’i përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Ajo vlerëson se përgjegjësia e spektrit politik dhe gjithë parlamentarëve duhet të jetë shumë e lartë dhe të jenë të vetëdijshëm për konsekuencat që mund të ketë Kosova si shtet.

“Do të dëshiroja të shihja një përgjegjësi të lartë nga parlamentarët se në çfarë pozite është Kosova dhe të dinë konsekuencat që mund t’i ketë vendi ynë në rast të mosratifikimit të demarkacionit. Jemi si shtet i bllokuar dhe që nuk e kemi liberalizimin e vizave, ndërkohë kemi plotësuar numrin më të madh të kushteve që i janë parashtruar ndonjë herë ndonjë vendi. Prandaj është paradoksale dhe keq për shkak të një kriteri, siç është demarkacioni, të mbesim të izoluar si shoqëri dhe si shtet”, ka thënë Lushaku- Sadiku.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë.

E njëjta marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e marrëveshjes nevojiten 80 vota të deputetëve.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në çfarëdo varianti, institucionet e Kosovës nuk kanë kohë të humbin në ratifikimin e demarkacionit me Malin e ZI.

Ujkani konsideron se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi do të ishte mirë të ndodhte para se presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, të prezantojë strategjinë për Ballkanin dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Ai ka theksuar se nuk është i sigurt nëse institucionet do të arrijnë të ratifikojnë marrëveshjen para kësaj date, porse pasojat në rast të mosratifikimit të kësaj marrëveshjeje, do të jenë të mëdha për vendin.

“Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të na lërë larg nga shumë procese, jo vetëm nga agjenda evropiane, pasi do të vazhdojmë të jemi një njollë e zezë dhe nuk mund të flitet për progres as në fusha tjera derisa e kemi këtë. E dyta, do të largohemi nga aleatët tanë, ata që e mbështesin ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, prandaj po humbim mbështetjen e aleatëve tanë”, ka vlerësuar Ujkani.

Zyrtarë nga Bashkimi Evropian në vazhdimësi janë duke kërkuar që institucionet të mos vonojnë në përmbushjen e kritereve, nëse synojnë liberalizimin e vizave në një afat më të shpejtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
San Antonio mori një fitore të lehtë në ndeshjen e…