Tahiri: Trafikimi me qenie njerëzore dhe dhuna në familje, janë sfidat më të mëdha të sistemit të drejtësisë

28 shkurt 2018 | 13:49

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunës në familje është njëra nga kauzat më të rëndësishme të ministrisë që drejton.

“Si ministër i Drejtësisë, kam vizion të qartë, për ta vënë në qendër viktimën dhe mbrojtjen e viktimës, të njihet roli i tyre në sistemin e drejtësisë dhe t’u sigurohet qasje në drejtësi”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Tahirit:

Nuk mund të mohojmë realitetin e tmerrshëm global kur është fjala për trafikimin e njerëzve, padrejtësinë e kohëve tona, që duhet të quhet me emrin e vërtetë – skllavëria moderne.

Nuk mund të shikojmë në anën tjetër e të harrojmë viktimat. Ky krim, si dhe dhuna në familje, janë sfidat më të mëdha të sistemit të drejtësisë.

Sot, në cilësinë e panelistit diskutuam rreth gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit hulumtues, që flet për kompensimin e viktimave të këtyre krimeve, iniciativë e cila përkon edhe me përkushtimet e mia në mënyrë që të adresojmë një nga dukuritë më negative që rëndon shoqërinë tonë.

Megjithatë, asnjë individ, asnjë institucion dhe asnjë shtet nuk mund të përballet me këtë sfidë vetëm. Duhet të gjithë të bëjmë përpjekje për të dalluar këto krime dhe për të luftuar për parandalimin e tyre.

Është një proces që kërkon një bashkërenditje të institucioneve, jo vetëm atyre të rendit por edhe të shoqërisë civile, medieve, institucioneve arsimore dhe të gjithë neve si qytetarë.

Zëri i viktimave të krimit është zëri i të gjithëve për drejtësi dhe barazi kundër krimit.

Lufta kundër trafikimit njerëzor dhe dhunës në familje është njëra nga kauzat më të rëndësishme në kohën kur sistemi jonë i drejtësisë po transformohet çdo ditë. Si ministër i Drejtësisë, kam vizion të qartë, për ta vënë në qendër viktimën dhe mbrojtjen e viktimës, të njihet roli i tyre në sistemin e drejtësisë dhe t’u sigurohet qasje në drejtësi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi Olimpik që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore në…