“Talia e Flakës” nis me premierën e shfaqjes “Një natë në hotel”

24 janar 2018 | 10:59

Është ngritur perdja në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, e cila po mbahet në kuadër të “Flakës së Janarit 2018”.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e ka shpallur të hapur këtë festival, duke thënë se kjo ngjarje kaherë ka dalë nga niveli lokal dhe tani është me vlera kombëtare dhe se “Talia e Flakës” është shndërruar në një shtyllë që ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm.

“Merrni porosi të mëdha e kënaquni me artin dramatik”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Që në mbrëmjen e parë është dhënë një premierë. Teatri i Gjilanit është paraqitur me shfaqjen “Një natë në hotel”, me tekst të Muharrem Shahiqit, i rishkruar nga Agush Mulliqi dhe me regji të Bashkim Ramadanit.

Në këtë shfaqje janë paraqitur aktorët Ernest Zymberi, Gani Rrahmani, Safete Mustafa – Baftiu, Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Avni Shkodra, Ramadan Kurti, Naser Zymberi dhe Tringa Hasani. Skenografia: Burim Arifi dhe Blendina Xhema, kostumografia: Valdete Mustafa, muzika: Florim Gagica dhe dritat: Fatmir Halili.

Ishte kjo një komedi, e cila, ndonëse e shkruar më herët, tashti është rishkruar dhe i është përshtatur aktualitetit të tashëm. Nëpërmjet lojës së aktorëve dalin në pah korrupsioni i pushtetarëve, i politikanëve e policisë, deformimet në shoqëri e të meta të tjera.

Ngjarja zhvillohet brenda një nate në një hotel, i privatizuar me ndikim të korrupsionit, kurse të gjitha të metat dalin në pah pas një keqkuptimi në mes të njërit nga pronarët dhe një aplikante që kërkon të punësohet, ku përmes shantazhit ajo ia zë vendin e punës recepsionistit.

Në një lëmsh të vërtetë korrupsioni, ku përfshihen edhe mysafirët e hotelit, arrihet një marrëveshje ku të gjithë pranojnë të korruptohen. Si rëndomë, edhe kësaj radhe është mbajtur debati pas shfaqjes, në të cilin Mio Gjoni nga Shqipëria ka theksuar se publiku pa një komedi gazmore e karakterit të farsës.

Ai ka theksuar se shfaqja është sjellë në kohë dhe ka prekur problemin e korrupsionit, moralit e të keqkuptimit. Gjoni ka thënë fjalë miradije për trupën, por ka shtuar se do të dëshironte figura më të harmonizuara në këtë shfaqje.

Se aktorët kanë shkëlqyer në këtë shfaqje kanë thënë edhe Fetah Paçarizi dhe Qëndrim Kqiku, njëri drejtor e tjetri aktor, kurse Ylber Nuredini, aktor, ka kërkuar më shumë përkushtim për teatrin.

Regjisori Bashkim Ramadani, që është përballë me pyetje të shikuesve, ka thënë se kanë pasur vështirësi gjatë realizimit të shfaqjes dhe se rezultati i punës është parë në skenë. Ndërsa Josif Papagjoni, kritik nga Shqipëria, ka theksuar se kjo nuk është shfaqja nga më të mirat që ka dhënë trupa teatrore e Gjilanit, por është një shfaqje që e do dhe e pëlqen publiku.

Ai ka deklaruar se teksti është i vjetër, por i rikuptimizuar. Papagjoni ka thënë se ky tekst është sjellë në kohë, ngacmon e pickon shoqërinë, shfaq korrupsionin te politika, shoqëria dhe policia. “Shfaqja ka ritëm të shpejtë, por në të nuk bën të nxitohet, kurse aktorët janë të unifikuar e regjisori bëri punë të madhe”, ka thënë Papagjoni.

Në natën e dytë është dhënë shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostolova,…