Tatimpaguesit të kënaqur me shërbimet e ofruara nga ATK-ja

21 qershor 2018 | 14:34

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, ka mbajtur të enjten një konferencë të përbashkët për medie, në të cilën janë prezantuar rezultatet e anketës me tatimpagues për vitin 2017 lidhur perceptimet e tatimpaguesve, përfshirë individët dhe bizneset e madhësive dhe sektorëve të ndryshëm, lidhur me punën dhe shërbimet e ofruara nga ATK.

Qëllimi i këtij studimi është vlerësimi i opinionit të tatimpaguesve mbi mandatin e ATK-së, disponueshmërinë e informatave nga ATK-ja, vështirësitë dhe koha që shpenzohet për procedurat e ATK-së, profesionalizmi dhe trajtimi që ata marrin nga stafi i ATK-së.

Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se ka rritje të kënaqshmërisë së tatimpaguesve për shërbimet e ATK-së gjatë vitit 2017.

“Në të gjitha fushat ka rritje të kënaqshmërisë së tatimpaguesve ndaj ATK-së”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i ATK-së Sakip Imeri.

Ai ka treguar se kjo është anketa e dytë e këtij lloji dhe ka për qëllim që t’i identifikojë dobësitë e ATK-së, si dhe të identifikojë rastet kur tatimpaguesit konsiderojnë dhe vlerësojnë veprimet e ATK-së, si të pamjaftueshme në ofrimin e shërbimeve për ta.

“Bazuar në të gjeturat e kësaj ankete do t’i orientojmë aktivitetet tona, në mënyrë që tatimpaguesit t’i realizojnë të drejtat e tyre që i takojnë me ligj, dhe nuk do të lejojmë që ato të drejta të cenohen në çfarëdo forme”, ka thënë Imeri.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Hardh Fest 2018” këtë vit organizohet nën sloganin “Me pamje…