>

Do të eliminohen barrierat burokratike për investitorët

04 mars 16:11

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka deklaruar se kjo ministri është duke punuar me të gjitha ministritë e linjës për zbatimin e Ligjit për Investime Strategjike, i cili është miratuar nga Qeveria e kaluar.

Ai ka bërë me dije se tani janë krijuar të gjitha kushtet që në tërësi të implementohet ligji që synon sjelljen e sa më shumë investitorëve të huaj në Kosovë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi është zotuar se investitorëve të huaj do t’u ofrohen lehtësira dhe do të eliminohen të gjitha barrierat burokratike të cilat deri më tani kanë qenë problem.

“Sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja, ashtu siç u kemi premtuar investitorëve, ne do t’u ofrojmë lehtësira dhe shmangie të proceduarave burokratike, në mënyrë që ata të fillojnë planet e tyre në mënyrë rekorde. Kështu që, aspektet administrative dhe burokratike që deri tani kanë qenë problem kyç dhe në saje të kësaj na kanë ikur shpeshherë investitorët, tani më këto probleme nuk do të ekzistojnë. Shpesh investitorët kanë pritur, dy, tri deri në katër vjet e në fund nuk kanë arritur t’i marrin lejet dhe licencat për veprimtarinë e tyre”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka treguar se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Kanada, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Minierave dhe të Mineraleve, në të cilën do t’i paraqesë së paku tri minierat e Kosovës përmes të cilave pretendon të sjellë investitorë të huaj. “Javën e ardhshme do të udhëtojmë për në Kanada në kuadër të një konference të madhe për miniera dhe minerale. Në këtë konferencë do t’i paraqesim së paku tri minierat tona, ku pretendojmë të kemi tërheqje të investitorëve të huaj dhe t’u krijojmë kushte atyre për të investuar”, ka bërë me dije ministri Gashi.

 “Epoka e re”: Z. Gashi, tani jeni në krye të Ministrisë për Diasporë dhe Investime Strategjike, si është duke funksionuar aneksi i investimeve strategjike?
Gashi: Sa i përket Ministrisë së Diasporës, është një vëmendje e merituar e çështjes së diasporës sonë dhe organizimit të tyre. Po ashtu, kemi edhe një bashkëpunim me rrjetin e bizneseve të diasporës. Kurse sa iu përket investimeve strategjike, ne jemi fokusuar në identifikimin e industrisë strategjike. Deri më tash aspekti i investimeve strategjike është pritur pozitivisht dhe kjo tregon gatishmërinë tonë për tërheqje të investimeve të huaja. Ne kemi mundësi t’i anashkalojmë shumë procedura burokratike nëse komisioni ndërministror vlerëson se investitorët kanë mundësi dhe potencial për të investuar në Kosovë.

“Epoka e re”: Po si është e specifikuar çështja e investimeve strategjike, pasi kemi një mori institucionesh që merren me investime?
Gashi: Kompetencat nuk janë të specifikuar dhe të ndara në mënyrë strikte. Kështu që, kemi bashkëpunim të ngushtë me ministritë e tjera të linjës. Është lajm i mirë që tani kemi aplikuesin e parë për statusin e investitorit strategjik. Tani Ligji për Investime Strategjik veçse po jetësohet.

“Epoka e re”: Prej se ju jeni në krye të ministrisë, sa kanë shprehur interesim investitorët e huaj për ta transferuar kapitalin e tyre në Kosovë?
Gashi: Ne kemi zhvilluar dhjetëra takime në Kosovë dhe jashtë shtetit. Investitorët e huaj kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë. Tani veçse po fillojmë ta implementojmë Ligjin për Investime Strategjike në mënyrë që të jemi funksionalë në këtë drejtim. Sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja, ashtu siç u kemi premtuar investitorëve, ne do t’u ofrojmë lehtësira dhe shmangie të proceduarave burokratike, në mënyrë që ata t’i fillojnë planet e tyre në afate rekorde. Kështu që, aspektet administrative dhe burokratike që deri tani kanë qenë problem kyç dhe në saje të kësaj na kanë ikur shpeshherë investitorët, tani më këto probleme nuk do të ekzistojnë. Shpesh investitorët kanë pritur, dy, tri deri në katër vjet dhe në fund nuk kanë arritur t’i marrin lejet dhe licencat për veprimtarinë e tyre. Ligji për Investime Strategjike është prezantuar nga Kuvendi i kaluar dhe nuk është implementuar fare. Tani kjo Qeveri është duke punuar në këtë drejtim. Të gjitha aspektet juridike janë kryer. Gjithashtu, janë krijuar kushtet e nevojshme edhe sa iu përket udhëzimeve përkatëse dhe administrative. Tash jemi të gatshëm që çdo gjë të jetë funksionale. Javën e ardhshme do të udhëtojmë për në Kanada në kuadër të një konference të madhe për miniera dhe minerale. Në këtë konferencë do t’i paraqesim së paku tri minierat tona, ku pretendojmë të kemi tërheqje të investitorëve të huaja dhe t’u krijojmë kushte atyre për të investuar.

“Epoka e re”: Z. Gashi, cilët janë sektorët më atraktivë për investitorët?
Gashi: Definitivisht, minierat dhe energjia.

 “Epoka e re”: Kemi një mori odash dhe klubesh shqiptare në diasporë. A keni pasur takime me ta?
Gashi: Kam pasur një vizitë në Amerikë, me ç’rast kam zhvilluar takime me bashkatdhetarët tanë qoftë nga Kosova apo edhe viset e tjera shqiptare. Mund t’ju them se këto takime kanë qenë të suksesshme. Bashkatdhetarët kanë premtuar se do të vijnë në Kosovë për ta parë nga afër ecurinë e mundësisë së veprimit të kompanive të tyre. Ne do ta prezantojmë edhe një nga sektorët më atraktiv, turizmin. Në këtë drejtim kemi interesim nga një investitor shqiptaro-amerikan.

“Epoka e re”: Kur e përmendët prezantimin e minierave, sa paraqet problem mosfunksionalizimi i bordit të “Trepçës”?
Gashi: Kjo është çështje e ndarë dhe është kompetencë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Funksionalizimi i “Trepçës” si ndërmarrje publike nuk është pjesë e pakos që jemi duke punuar në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj. Deri tani nuk kemi ndonjë vendim politik apo vendim tjetër që të ndryshohet pronësia e “Trepçës”. Pra, janë tri minerare që kanë qenë pjesë privatizimit dhe kanë dështuar. Tani i kemi marrë ne në dorë dhe do të kemi negociata me investitorë potencialë në mënyrë që të arrijmë t’i sjellim në Kosovë.

 “Epoka e re”: Çfarë imazhi ka Kosova në arenën ndërkombëtare sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja?
Gashi: Jo të mirë. Ne nuk kemi pasur investime serioze deri në momentin kur e patëm kompaninë “Counture Global”, e cila do ta ndërtojë “Kosovën e re”. Ky është një investim i madh 1.2 miliard euro. Pra, deri më tani Kosova nuk ka pasur strategjikisht asnjë investim serioz. Kemi pasur investime të vogla me prodhimtari jo të madhe, ndërsa sektorët e ushqimit dhe sektorët e tjerë nuk kanë krijuar lëvizje të mëdha financiare apo krijim të vendeve të reja të punës.

 “Epoka e re”: Proceset politike në vend, sa janë duke e stagnuar agjendën tuaj në arenën e jashtme?
Gashi: Natyrisht se të gjitha këto telashe prezantojnë jostabilitet dhe prej jashtë shihen si jostabilitet i mirë për një shtet.

Albulena S. MAVRAJ

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Procesi i bisedimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit që…