Thaçi: Ka ardhur koha për marrëveshjen historike me Serbinë

20 qershor 2018 | 10:48

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një konference për medie ka bërë me dije se do të udhëtojë për në Bruksel për t’u takuar këtë të diel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Thaçi ka thënë se pas 20 vjetësh bisedime ka ardhur koha për arritjen e një marrëveshje historike me Serbinë.

“Ashtu siç kam theksuar tani më disa herë se ky është takim i parë i fazës finale i dialogut Kosovë –Serbi. Kjo konfirmohet nga letra e dërguar nga Mogherini. Sigurisht se qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare është arritja e marrëveshjes ligjërisht obligative në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi para gazetarëve, njofton Klan Kosova.

“Kjo marrëveshje do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve dhe popujve tanë. Jam i bindur që ka ardhur koha që pas bisedimeve që po zgjasin tash e 20 vjet që të nënshkruhet një marrëveshje historike me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike mbi një shekullore në raportet me të dy shteteve dhe popujve tanë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova nuk çka të frikësohet nga dialogu dhe epilogu i tij. “Si shoqëri dhe politikë kemi pasur guximin, dijen dhe organizmin e duhur, pajtimin mes nesh si në Konferencën e Ramujesë dhe procesin e Vjenës që përmes negociatave, për luftën dhe çlirimin dhe më pas pavarësimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Më tutje, presidenti Thaçi ka thënë se Kosovën e presin bisedime të rënda, pasi që synimi është përmbyllja e këtij procesi.

“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse është e domosdoshme që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, si dhe të bëhet përshpejtimi drejt anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO. Kosova si gjithmonë edhe në fazën finale të dialogut me Serbinë do ta ketë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së që janë thellësisht të interesuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Edhe BE dhe anëtarët e saj janë të interesuara më shumë se asnjëherë më parë që të arrihet marrëveshja për normalizim dhe për anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë në BE”, ka thënë Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në vendin tonë do të mbajë mot i ngrohtë,…