Thaçi kërkon nga BE-ja përfundimin e procedurave për liberalizimin e vizave

23 mars 2018 | 10:20

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Bruksel me komisionarin për zgjerim, Johanes Hahn, me të cilin ka biseduar për liberalizmin e vizave.

Thaçi i ka thënë Hahnit se pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, i mbetet Bashkimi Evropian (BE) t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Sapo përfundova takimin me komisionarin Hahn në Bruksel. Ishte një takim shumë produktiv. Institucionet e Kosovës, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Tani është radha që Bashkimi Evropian t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Kosova do të vazhdojë përkushtimin edhe më të lartë për rend dhe ligj dhe reforma të gjithëmbarshme”.

“Komisionari Hahn u zotua se do të përmbushin procedurat e nevojshme në kuadër të institucioneve të BE-së. Ishte konstatim i përbashkët se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ishte jo vetëm përmbushje e kushtit për liberalizim të vizave, por edhe një hap i rëndësishëm strategjik për fuqizimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasditen e së enjtes, në rrugën “Dëshmorët e Morinës” në…