Thaçi në Mynih: Kosova dhe Serbia sivjet duhet të arrijnë marrëveshje finale

17 shkurt 2018 | 20:45

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka folur për rrugëtimin e Kosovës në këto 10 vjet të pavarësisë së saj dhe ka shprehur bindjen se Kosova dhe Serbia sivjet do të arrijnë një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e Mynihut, presidenti Thaçi ka thënë se është shumë i privilegjuar që është në këtë konferencë, pikërisht në ditën kur ne shënojmë dhjetëvjetorin e shpalljes së shtetit të Kosovës.

Ai ka pohuar se Kosova është shteti më pro evropian, më pro amerikan dhe më pro perëndimor në Ballkan.

“Jemi të përkushtuar për ta përfunduar dialogun me Serbinë, për ta bërë Marrëveshjen ligjërisht detyruese me të cilën Kosova dhe Serbia, si dy shtete fqinje, do të hynin në periudhën e paparë në historinë tonë të përbashkët, të fqinjësisë së mirë, të pajtimit, pse jo edhe të miqësisë në një të ardhme të përbashkët evropiane. Nuk kemi më kohë për të humbur, as ne, as Serbia. Ne në Kosovë duam që këtë vit e dëshirojmë epilogun e suksesshëm këtij dialogu, i cili me Marrëveshjen ligjësisht obligative, do të jetë një arritje e jashtëzakonshme për ne, për gjithë rajonin, dhe për mbarë Evropën”, është shprehur ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova është e gatshme për ta hedhur hapin final në këtë drejtim. “E dimë që kjo Marrëveshje e madhe me Serbinë, do të jetë garanci sipërore për ngadhënjimin e paqes dhe të stabilitetit në këto anë të Evropës”, ka deklaruar Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United kualifikohet në çerekfinale të FA Cup, pasi eliminoi…