Tmerri që pashë në një depo materialesh ndërtimore në Skenderaj më 10 mars 1998

04 mars 2018 | 11:51

Basri Musmurati

Prekazi, një krim serb i shekullit (3)

Po ktheheshim në Prishtinë, pa informata të mjaftueshme se çfarë krejt kishte ndodhur më 5 e 6 mars në Prekazin e Poshtëm. E vetmja gjë që mund të konkludonim ishte se në Lagjen e Jasharëve ishin vrarë e masakruar nga policia serbe numër i madh njerëzish dhe se të gjitha shtëpitë ishin rrënuar e djegur. Me këto informata po ktheheshim në Prishtinë për ta informuar sa ma parë që ishte e mundshme opinionin vendor e ndërkombëtar.

Por, duke u kthyer, në hyrje të Vushtrrisë, vinim nga ana e fshatit Bukosh, na ndali policia serbe dhe, pa pyetur asgjë, na urdhëruan të shkonim pas makinës së tyre policore. Prapa na përcillte gjithashtu një makinë tjetër e policisë. Na dërguan në stacionin policor të Vushtrrisë dhe na i morën lejet e njoftimit duke na urdhëruar të qëndronim në korridor.

Duke pritur në atë korridor ku nuk dëgjohej asnjë lloj zhurme thua se nuk ka njeri të gjallë brenda, dr. Alush Gashi theu shqetësimin tim: “po mos të ishte Basriu me ne, askush nuk do të kishte besuar se na ka ndaluar policia”. Këtë e tha, përveç të tjerash, se një pjesë e anëtarëve të LDK-së e konsideronin më afër me UÇK-në. Për habi, pas 32 minutave, i njëjti polic që na i mori lejet e njoftimit na i ktheu, duke lexuar emrin e secilit prej nesh. Na tha: “jeni të lirë”.

Në fshatin Pestovë, ku ishte punkti i përhershëm policor, nuk na ndalen fare. Para se të arrinim në Prishtinë, Alushi na tha se “Dojqe Velle” po lajmëron se grupin tonë e paska arrestuar policia serbe në Vushtrri. Ma vonë kemi kuptuar se një vushtrrias na paska parë kur na kishte ndaluar e dërguar në stacionin policor policia. I njëjti paska thirr në telefon Qendrën për Informim të Kosovës dhe e paska paraqitur rastin.

Në selinë e LDK-së dhamë një konferencë për shtyp në mënyrë të përgjithësuar që gazetarët dhe Cima ynë i informimit t’i shpërndanin nëpër botë. Në selinë e LDK-së e gjetëm edhe shefin e Zyrës Amerikane dhe e njoftuam për ato që dëgjuam e pamë në Prekaz. Përkthyesi i tij më tha se shefi po kërkon që të bisedojmë edhe për disa cikërrima të vogla.

Dolëm jashtë zyrave të LDK-së dhe biseduam se nga cilat pjesë është rrethuar Prekazi e Lagjja e Jasharëve, a ka shumë policë e ushtarë që keni vërejtur, ku janë vendosur tanket policore e ushtarake, a ka shtëpi të parrënuara, a ka civilë që lëvizin lirshëm, a ka ushtarë të UҪK-së si po u thoni ju, si dhe ndonjë pyetje tjetër.

Gjatë ditëve 7, 8, 9 mars 1998 rrija në lidhje kontakti me Gani Kocin, Ramadan Dobrën (sot Gashi), me Idriz Rrecin (sot i ndjerë) e ndonjë njeri tjetër nga Skenderaj. E dinim se të masakruarit policia i kishte sjell në Prishtinë në morgun e spitalit. Me ndonjë lidhje që kishim në spital nxirrnin shumë vështirë ndonjë informatë për të vrarët. Numrin e saktë të vrarëve ma dha ish profesori im prof. dr. Shaban Geci që më shumë mund e kishte marrë nga një koleg i tij serb. Ndërkaq, më 9 mars kishte mundur t’i mësojë emrat e vetëm 27 të vrarëve. Informata të tjera nuk sigurova, sepse spitali i Prishtinës ishte në rrethim të plotë policor.

Më 10 mars deri sa pinim nga një kafe me prof. Fehmi Agani e Naip Zeka, Cima i informimit hyri në zyrë dhe na tha se nga stacioni policor i Skenderajt po thërret zëvendëskomandanti i policisë dhe po kërkon të komunikojë me dikë nga Kryesia e LDK-së.

Na u shikuam me njëri-tjetrin se cili do të qohej të merrte receptorin e telefonit për të komunikuar. Nuk u qua asnjëri dhe dola unë në atë zyrën e vogël të Cimës duke i lënë hapur dyert e të dy zyrave. Para se ta merrja receptorin e shtypa interfonin e telefonit për të dëgjuar të gjithë bisedën. Pasi u prezantua se është zëvendëskomandant i stacionit policor në Serbicë (nuk tha Skenderaj), pa treguar emrin e tij, tha: “këtu janë vrarë disa njerëz dhe do duhej dikush nga LDK-ja të vij e të merret me varrosjen e tyre”. Unë ju përgjigja se nuk kemi kurrfarë informata të sakta se çfarë ka ndodhur dhe se unë nuk jam ai që vendos a duhet ardhur apo jo. Fundja policia ka bllokuar rrugët për Skenderaj.

“Policia nuk do t’ju pengojë të vini” më tha. I thash se më duhet së paku gjysmë ore për t’u konsultuar me kolegët e Kryesisë së LDK-së. Më tha që të dëgjohemi pas 30 minutave. Këtë bisedë e kanë dëgjuar edhe prof. Agani, Naip Zeka, kuptohet edhe Cima. Në ndërkohë në seli kishin ardhur edhe një pjesë tjetër e Kryesisë, sa kam mbajtur mend kanë qenë 6 apo 7 veta. Pasi ju thash se unë jam i pari që shkoj në Skenderaj, pastaj u lajmërua Anton Noka, i cili ishte njëri nga nënkryetarët e LDK-së dhe Rexep Gjergji, anëtar kryesie. U morëm vesh që me ne të vinte edhe Enver Maloku si shef i QIK-ut dhe Ilaz Bylykbashi si fotoreporter. Naipi kishte siguruar një shofer me xhipin e tij për të shkuar në Skenderaj. Xhipin e morëm sepse ato pak vetura që kishim në Kryesi, nuk ishin të sigurta për rrugë, pasi se atë ditë pati ra një borë bukur e madhe. E bëmë një gabim që nuk morëm ndonjë kamerë. Disa aparate fotografike i morëm dhe i shpërndamë që mos t’i mbanin vetëm Enveri e Ilazi.

Më herët Ramё Buja e Fatmir Sejdiu ishin nisur për Gjakovë për t’i sjellë arkivolet për varrosjen e të vrarëve.
Pas 20 minutave polici nga Skenderaj sërish telefonoi për të kërkuar a do të shkonim në Skenderaj. I thashë se do të vijmë 6 veta me shoferin, por problem është se kamionin me arkivolet e zbrazëta për varrim, i cili është nisur nga Gjakova, po e pengon policia. Më tha se nuk do të këtë problem.

U organizuam shpejt dhe u nisëm për në Skenderaj. Ndonëse kishte borë tërë rruga deri në Komoran, nuk kishte qarkullim automjetesh. Polici pati në dy vende deri në Komoran, por neve nuk na ndaloi askund. Në Komoran na ndaluan dhe na pyeten se ku po shkonim. Vetëm na shikuan sa veta ishim dhe na thanë të presim. Aty ishte një punkt policor me shumë autoblinda. Pas një vonese 10 deri 15 minuta erdhi një polic tjetër dha na urdhëroi të shkojmë pas veturës policore e cila kishte ndezë shenjen e dritave rotative, ndërsa pas nesh vinte një veturë private tipi ‘Fiqa” e pas saj na përcillte një automjet tjetër policor.

Në Marinë kishte qenë punkti tjetër policor me plot blinda dhe pengesa në rrugë. Na urdhëruan ta devijonim punktin dhe të vazhdonim për Skenderaj. Policia nuk na përcolli më e ne pa pengesa mbërritëm në Skenderaj. Vlen të theksohet se në atë pjesë të Drenicës pati më pak borë, ndërsa nuk shihej se tymonte ndonjë oxhak i shtëpive përkundër se ishte mjaft ftoftë. Të krijohej përshtypja se kund nuk ka njerëz të gjallë. Rrallë dukej ndonjë sorrë të fluturonte në qiell. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në të gjithë Shqipërinë, për shkak të reshjeve të shiut…