“TOKA PA ATDHE”, “KOMBI PA SHTET”

01 Shkurt 10:35

Prof. dr. Hakif Bajrami

Analizë krahasimtare politiko-historike

Para Luftës së Dytë Botërore serbët kishin të dejtë t’i vrisnin arnautët, por pas luftës (1945-1999) do ta shpikin moton: “Po i vrasim se po na detyrojnë”. Kjo politikë do të përmbyset nga zgjimi nacional, jo nga “demokracia globale”, jo nga lart-poshtë, por nga poshtë-lart. Në realitet, shtypësi do të vuajë më tepër sesa i shtypuri, sepse okupatori nuk di të ndalet. E në rastin konkret, Serbia e blen parinë shqiptare në pranverë, e mjel verës, e pret në vjeshtë dhe e hanë dimrit. Me fjalë të tjera, Serbia ka provuar që dy shekuj vdekjen e kombit shqiptar (1844…), para se ta lindte shteti (1912).

Nuk ka ditë që popët apo politikanët serbë nuk e përmendin: “Se në Kosovë do të kthehemi si triumfalistë”, dhe askush nuk reagon.

Më 15 janar 2018 në Raçak kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e shkrepi një fjali se: “Nëse Serbia provokon dhe hynë në luftë përsëri, nuk do të ndalemi deri në Nish”. Kjo shprehje u tha hapur në konotacion konjuktural që të kuptohet se një funksionar i Republikës Kosovës e dinë më në fund shumë mirë se çfarë ka ngjarë në Sanxhakun e Nishit më 1877/8. Ka ngjarë tragjedia e shekullit në Ballkan, duke i pastruar të gjitha fshatrat shqiptare, duke u zgjeruar Serbia në jug për nja 15 000 kilometra katrorë. Por, opinioni sot nuk e di se këtë triumfalizëm bota serbiane nuk e ka siguruar vetëm, por me ndihmën e Evropës.

Më 1878, kur e okupoi Sanxhakun e Nishit (prej shqiptarëve) dhe Prirotit (prej bullgarëve dhe shqiptarëve), Principata serbiane i kishte në “dispozicion” gjashtë Fuqitë e Mëdha, që prinin me gërshërë trojet shqiptare, për ta përgatitur sheshin e kryqëzatave në vijim, pa treguar kurrë se sa oficerë dhe mercenarë u ishin bashkuar njësive serbiane me qëllim që të zgjerohen kah jugu, kah Kosova, për t’iu afruar detit. Dhe ajo dalje, mosdalje në det, ka ardhur si pasojë se Rusia ekspansioniste dhe aleate e Francës, Anglisë dhe Italisë, e në pazare me Vjenën, duke hetuar indiferencën e Berlinit, është hamendur nëse do t’i ndihmohet Bullgarisë apo Serbisë, pasi që kishte dështuar misioni i Çartoriskit (Polonisë) për ta krijuar një Perandori të dytë sllave. Lidhur me këtë, më 1976 në një arkiv evropiane kisha hasur një karikaturë ku ishte prezantuar një gomar me emrin “Albani”.

Atë “shtazë” në anën e djathtë e rrihnin: rusi, gjermani dhe austriaku; në anën e majtë e rrihnin anglezi, francezi dhe italiani. I shkreti “Alban” dukej invalid! Këtë invaliditet e ka përkujtuar Vesel Kadria. Të dihet publikisht.
Konkretisht, më 1877 Principata serbiane e kishte marrë lejen se do të ndihmohet nga mercenarët anglezë, francezë, austriakë, italianë dhe ndihmën materiale dhe njerëzore nga Rusia, për ta dëbuar Sulltanin dhe lejen nga Parisi, Londra dhe Vjena, të cilat gjithashtu e aspironin Bosforin.

Çështja e tokës pa atdhe, do të fillojë të “zgjidhet” aty kah viti 1875, kur Gjermania e kishte kryer bashkimin (1871) në pallatet e Versajit, kur Vjena kishte themeluar monarkinë dualiste me Budapestin. Çështja ishte stabilizuar për ta forcuar Serbinë, për të cilën gjithmonë kishte garanci nga Peterburgu se do të shfrytëzohet si “urë sherri” për depërtim kah Stambolli.

E Stambolli nuk mund të riokupohej pa e dobësuar për vdekje çështjen shqiptare, sepse ky popull ia kishte zgjatur jetën Padishahut edhe për treqind vjet.

Shkurt dhe saktë, më 1 dhjetor 1877 Serbisë do t’ia ndezin motorët të gjashtë Fuqitë e Mëdha. Beteja kryesore do të zhvillohet në dy pika të përgjakshme: në Pleme të Vogël (1877), ku shqiptarët e kishin fjalën kryesore, por që Divani i Padishahut i kishte tradhtuar shumë keq, dhe, në Smakovë mbi Përpellac (janar-shkurt 1878). Beteja e parë i kishte zhveshë të gjitha kalëbësitë e Portës, ndërsa beteja e dytë i kishte treguar Evropës (aleates së tyre “Kryqëzatë Piemont”- Serbisë) se do të avancohet në institucion të privilegjuar të gjashtë Fuqive të Mëdha.

Në këtë “tregti” të shekullit, Rusia e “pabesë” i kishte tradhtuar aleatët krishterë me Paqen e Shen Stefanit, duke e sforcuar Bullgarinë që ta merr flamurin e krijimit të një “Perandorie të Re” nën diktatin e Otoçestveno Frontit”. Kjo ide e ndrydhte idenë e “Naçertnisë 1844” serbiane, të krijuar nga polakët, çekët dhe francezët, dhe, “Megali Idesë” (1844), të krijuar nga shqiptarët anacional, grekët dhe anglezët ekspansionistë.

Ndoshta fati, pozita strategjike apo më mirë të besojmë në kalbjen e të “sëmurit në Bosfor”, do të ngritin Principatën e Serbisë në një “fuqi” ekspansioniste. E vërteta, Principata në këmbë të qelqta, shumë shpejtë do të këndellët duke i modernizuar tri korpuse ushtarake (Korpusi i Shumadisë, Korpusi i Moravës dhe Korpusi i Negotinit), ku fjalën kryesore e kishin strategët austriakë, mercenarët rusë dhe oficerët francezë të dalë nga shkolla e Napoleonit. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Nga janari i këtij viti, komuna e Prishtinës do t’i…