Trump përshëndet hapjen e ambasadës në Jeruzalem

14 maj 2018 | 19:38

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se SHBA mbeten “plotësisht të angazhuara” për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Lindjen e Mesme, ndërsa hap ambasadën e saj në Jeruzalem, një akt që është shoqëruar me polemika.

Komentet vijnë ndërkohë që ministria e shëndetësisë në Gazë njoftoi se numri i palestinezëve të vdekur në përleshje me forcat izraelite ishte rritur në të paktën 40.
Në një videomesazh të transmetuar në ceremoninë e hapjes, Presidenti Trump tha se ambasada e re kishte kohë “që pritej të vinte.” Zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së zotit Trump, që u mirëprit nga Izraeli.
Por kjo i ka zemëruar palestinezët, të cilët e konsiderojnë Jeruzalemin lindor si kryeqytetin e tyre dhe kanë thënë se ky hap i skualifikon SHBA si ndërmjetës të paqes në Lindjen e Mesme.
Presidenti Trump tha se ” shpresa më e madhe ” është për paqen. Ai tha se Shtetet e Bashkuara “mbeten plotësisht të përkushtuara për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme për paqe.”
Ndërkaq, është rritur numri i të vrarëve në Gazë, sipas autoriteteve palestineze. Kritikët fajësuan forcat izraelite për përdorimin e municioneve, ndërsa Izraeli tha se veprimet e tij ishin të domosdoshme për shkaqe sigurie, meqë protestuesit rrezikuan kufirin.
Forcat izraelite të sigurisë hodhën edhe gaz lotsjellës mbi protestuesit, por turmat dukeshin të palëkundura dhe vazhduan të mblidhen.
Protestuesit hodhën edhe objekte të ndryshme përtej kufirit dhe dogjën goma para hapjes së ambasadës më vonë gjatë ditës. Shumë biznese dhe shkolla në Gaza u mbyllën.
Përveç refuzimit të lëvizjes së ambasadës amerikane, palestinezët po protestojnë edhe për të përkujtuar përvjetorin që ata e quajnë “nakba” apo “katastrofa”, duke ju referuar qindra mijëra palestinezëve që u dëbuan apo ikën përgjatë luftimeve të vitit 1948 gjatë krijimit të Izraelit./VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar të hënën…