Trump: Po bëjmë progres në bisedimet me Korenë e Veriut

06 mars 2018 | 19:19

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur gatishmërinë e Koresë së Veriut për të hequr dorë nga programi bërthamor. Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, Trump konfirmoi dëshirën e mirë për të bërë progres në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë gati për çdo gjë, edhe nëse sinjali nga Koreja e Veriut rezulton të jetë vetëm një alarm i rremë.

Pas lajmit se Koreja e Veriut është gati të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore, presidenti Donald Trump ka reaguar menjëherë në Twitter. “Po bëjmë progres në bisedimet me Korenë e Veriut. Për herë të parë në shumë vite, të gjitha palët e përfshira po bëjnë një përpjekje serioze. Bota po sheh dhe po pret! Mund të jetë shpresë e rreme, por Shtetet e Bashkuara janë gati të përgjigjen fuqishëm në çfarëdo skenari!”, shkroi kreu amerikan i shtetit në llogarinë e tij zyrtare.

Lajmi i mirë se Koreja e Veriut ishte e gatshme të dialogonte me Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe të hiqte dorë nga programi bërthamor, u përcoll nga shefi koreano-jugor i sigurisë kombëtare, i cili ishte i pranishëm në delegacionin që vizitoi Penianin. Kjo vizitë e rrallë rezultoi mëse e frytshme, teksa pala koreano-jugore konfirmoi edhe një takim mes presidentit Moon Jae-in dhe liderit Kim Jong-un, që pritet të ndodhë në prill, kur dy Koretë të mbajnë një samit të përbashkët, të parin në mëse një dekadë.

Duket se Koretë janë më pranë se kurrë pajtimit, teksa përpjekja për marrëdhënie më të mira është nisur që në Olimpiadën Dimërore, në kuadër të së cilës vendet marshuan nën të njëjtin flamur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka…