Turqia nuk do t’i respektojë sanksionet e ShBA-së kundër Iranit

28 qershor 2018 | 10:44

Turqia ka bërë me dije se nuk planifikon të respektojë thirrjen e ShBA-së për të gjitha shtetet që të ndalojnë importimin e naftës nga Irani, duke thënë se kërkesa “nuk është e detyrueshme” për Ankaranë.

“Do t’i respektojmë nëse janë vendime, sanksione të Kombeve të Bashkuara. Përndryshe, do t’i ndjekim vetëm interesat tanë”, ka thënë ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekci.

Uashingtoni kërkoi këtë javë nga aleatët që të ndalojnë importet e naftës nga Irani deri më 4 nëntor, në të kundërtën ata do të përballen me ndëshkime, për shkak të sanksioneve që ShBA-ja do t’i vendosë Iranit.

ShBA-ja është tërhequr muajin e kaluar nga marrëveshja bërthamore me Iranin, me të cilën Republika Islamike ka frenuar aktivitetin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

“Ne do të tregojmë kujdes, në mënyrë që miku dhe vëllai ynë, Irani, të mos përballet me trajtim të padrejtë”, ka thënë Zeybekci, raporton agjencia turke e lajmeve “Anadolu”.

Edhe India, njëri nga blerësit kryesorë të naftës iraniane, ka thënë se nuk do t’i respektojë sanksionet e ShBA-së. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë për gazetën…