VARGJET GRI

12 qershor 2018 | 11:20

Kosovare KRASNIQI

 (Izet Abdyli, “Gri”, Art Club “Rifat Kukaj”, Prishtinë, 2018)

Në fushën e letërsisë, përsosmëria e artit letrar arrihet përmes poezisë. Poetët janë ata të cilët, përmes artit, magjinë e fjalës poetike e sjellin te ne. Poezia hynë në fushën e ndjenjave dhe poeti, pavarësisht sa përpiqet të gjykojë me arsye, nuk mund t’i ikë anës subjektive, asaj intime dhe asaj emocionale.

Poeti Izet Abdyli me tetë vëllimet e tij tashmë është i njohur për lexuesin shqiptar. Poeti Abdyli për herë të parë në fushën e gjerë poetike shfaqet me vëllimin e tij, “Fjalë zemre” (1995) dhe duke vazhduar me një intensitet mjaft të shpejtë dhe të gjallë, erdhi deri tek vëllimi i tij i radhës i titulluar “Gri”.

Në këtë vëllim poeti Abdyli vjen me lirikat e tij të bukura, duke na sjellë ajrin e vendlindjes, përshkrimin e natyrës, motivin e dhembjes për rininë që i ikën dhe buzëqeshjen e mikes së tij. Në trajektoren e tij poetike temat që trajtohen janë nga më të ndryshmet. Lirikat e përfshira në vëllim shprehin bukur gjendjen shpirtërore të poetit. Poeti zgjedh fjalët më të mira dhe ia kushton poezisë dhe poetëve: “Poetët nuk vdesin /Ata kthehen në yje / Rrugët i ndriçojnë”.

Poezia për poetin është një syth pranvere, një harkim ylberi, buqetë lulesh, cicërimë zogu, e cila vjen sikur një rreze dielli që ngrohë:

Herë na vjen pa pyetur
Na mbushë krenari
Sot më erdh si dielli
E bukura poezi

Vëllimi është i ndarë në katër cikle poetike, si: “Një pikë loti”, “Seç më dogji malli”, “Për buzëqeshjen” dhe “Sall një fjalë e mirë”, ku e veçanta e këtij vëllimi është se çdo cikël poetik përcjell një mesazh tek lexuesi.

Se fjala është gjë e shtrenjtë, këtë e dimë të gjithë, mirëpo poeti për rëndësinë e saj na dëshmoi bindshëm edhe përmes vargjeve të poezisë së tij. Krijuesi lirik paraqet me sinqeritet mendimin e tij për fjalën, andaj në poezinë “Fjala” rrjedhin këto vargje:

Nga zjarri i shpirtit
Fjalë e zjarrtë doli
Flakëroi mendimi dritësuar
Shkëlqeu si meteori

Këtë realitet ai e dëshmon në vargjet e kësaj poezie dhe vargjet nuk tingëllojnë vetëm si një deklaratë boshe, por si diçka reale dhe e pakontestueshme.

Ndër lirikat e tjera të bukura janë edhe poezitë me temë familjare, si poezia e tij për babanë, e cila jepet në dy variante. Në subjektin e poezisë së parë “Një fjalë e mirë”, pos që paraqitet ditëlindja e babait të tij, portretizohet edhe karakteri i tij i ndershëm, si njeri që asnjëherë nuk e mundën smira dhe zilia:

Malli-pasuria
Nuk të joshën kurrë
Ndaj nderi e fjalëmira
Nuk t’u shqiten kurrë

Ndërsa në poezinë e dytë “Lis i fortë” janë kujtimet ato të cilat e ngacmojnë ta “portretizojë” babanë, si një lis të fortë, i cili qëndroi përballë shumë stuhive që i kishte përjetuar:

Qëndrove një shekull vertikalisht
Si një lis i fort
Të rrahën furtuna e stuhi
Veç u kalite më shumë

Atmosfera që paraqitet në poezi është pikëlluese nga vdekja e babait dhe poetit i sjell vetmi në shpirt. Ai përmes vargjeve të tij kujton babanë, i cili ka ditur të “gatuajë” vetëm fjalë të mira ngado që ka shkuar.

Lirika erotike

Ndjenja më e sublime e cila na ndjek gjithnjë është ajo e dashurisë. Gjithnjë kam menduar se vargjet lirike për dashurinë të bëjnë t’i ikësh zbrazëtirës brenda vetes, njëkohësisht janë vargjet më të dashura për lexuesin.

Siç kuptohet nga titulli i këtij cikli “ Për buzëqeshjen”, vargjet e përfshira në këtë cikël si sferë kryesore do ta kenë buzëqeshjen e saj. Pra, frymëzimin e poetit e nxitë buzëqeshja. Asaj së cilës poeti i drejtohet në poezitë e tij del si objekt admirimi. Vasha portretizohet me të gjitha hiret e saj, flokët, gushën, faqet, buzët e syrin. Poezia titulluar “Portretizim” në pamje të parë të lë përshtypjen e një poeme të “copëzuar” në nëntituj. Prandaj, këtu po i citojmë disa nga vargjet e kësaj “poeme”:

BUZËT

Si petale lulesh
Buzët jeshil
çilen e mshilen
si një trëndafil

Dhe më tej:

SYRI

Nën qerpikun tënd
syri të vezullin
ai shikim magjik
sikur më përpin

Prania e “asaj” në shumë poezi të këtij cikli, përkatësisht të dy këto katrena të lartshënuara, na shpalosin situatën shpirtërore të subjektit lirik. Nuk mund të mos theksoj këtu freskinë, spontanitetin dhe bukurinë e këtyre poezive që vargjet e këtij cikli përcjellin. Subjekti lirik sikur përmes poezive të tij thotë “Poezitë e dashurisë nuk janë për t’u menduar, por për t’u jetuar”.

 Përfundim

Në vargjet e këtij vëllimi poeti përdor llojet nga më të ndryshmet të strofave. Ashtu sikurse bota emocionale e tij, edhe në poezitë e tij vargu herë del i lirë, e herë i rimuar, por e rëndësishme është se poezitë kanë muzikalitet dhe ritëm të brendshëm. Ajo që të bën përshtypje është fakti se poeti eksploron edhe në ato poezi me ngjarje reale jetësore, siç është poezia e tij për babanë. Dhe, për fund, kur lexojmë poezinë e Izet Abdylit dhe laramanin e temave që shtjellon, mund të them se tek poezitë e këtij vëllimi vërejmë se çdo varg e çdo fjalë buron nga qartësia dhe brishtësia e shpirtit të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City dhe Leicester City kanë arritur ta gjejnë marrëveshjen…