Vendimet e Qeverisë nuk zbatohen nga AKP-ja

03 Dhjetor 19:56

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po tregohet i pafuqishëm edhe përballë Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Kjo agjenci po vazhdon të mos e zbatojë një vendim të Qeverisë për të ndalur privatizimin e tokave bujqësore. Në këtë mes është përfshirë edhe presidenti Hashim Thaçi i cili ka dalë kundër Qeverisë dhe pro AKP-së. Ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ka paralajmëruar masa ndaj Bordit të AKP-së, të cilit se shpejti i përfundon mandati.

Qeveria e udhëhequr prej Ramush Haradinaj ka dështuar ta detyrojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) për të ndalur privatizimin e tokave bujqësore, anipse vendimin për këtë stopim e ka marrë më 10 tetor. “Obligohet AKP-ja që të zbatojë vendimin në përputhje me legjislacionin në fuqi”, është thënë në vendimin obligim të Haradinajt dërguar AKP-së.

Sponsorizuesi i vendimit për të ndalë privatizimin, ministri Bajram Hasani, ka thënë se do të marrin masa nëse AKP-ja vazhdon të mos e zbatojë vendimin e Qeverisë. “Ndonëse në AKP kanë këmbëngulur për moszbatimin e këtij vendimi, unë mendoj se ata duhet ta zbatojnë këtë vendim sepse jo vetëm AKP-ja, por të gjitha institucionet duhet të punojnë konform planit të Qeverisë dhe t’i zbatojë politikat e saj”, ka thënë Hasani për “Express”. Ai ka treguar se AKP-ja nuk e ka zbatuar vendimin as për ndaljen e valës së fundit të privatizimit të tokave bujqësore.

“Unë jam shumë i shqetësuar sepse MTI-ja ka dërguar letër prapë AKP-së që ta zbatojë vendimin dhe të anulojë valën e fundit të privatizimit”, ka deklaruar Hasani. Sipas tij, vendimi për pezullimin e privatizimit të tokave është marrë me qëllimin më të mirë që tu krijohen mundësi investimi, investitorëve strategjikë.

Ndërkohë, AKP-ja nuk është përgjigjur se a ka bazë ligjore vendimi i Qeverisë për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore. Ata kanë dhënë përgjigje përgjithësuese. Kanë thënë se janë duke u munduar të gjejnë një modalitet për zbatimin e vendimit të Qeverisë duke respektuar mandatin e AKP-së. “…Agjencia ka mbajtur disa takime me përfaqësues të Qeverisë, ku si temë diskutimi ka qenë koordinimi i veprimeve me qeverinë dhe gjetja e një modaliteti për zbatimin e këtij vendimi, por duke pasur parasysh mandatin e AKP-së. Për më tepër, AKP-ja ka shprehur edhe më herët gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me qeverinë për të siguruar që asetet të cilat mund të konsiderohen atraktive për investitorë strategjikë të mos privatizohen pa konsultime paraprake”, është thënë në përgjigjen e AKP-së. Më tutje në kwtw përgjigje është thënë se do të koordinohen me Qeverinë për inicimin e privatizimeve të reja dhe shitjen e aseteve.

 

Presidenti kundër Qeverisë, pro AKP-së

 

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kanë konfirmuar një takim që Hashim Thaçi ka zhvilluar me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Privatizimit (AKP). Në këtë takim Thaçi kishte përkrahur idenë e AKP-së që mos të ndalet privatizimi me vendimin e Qeverisë. “Presidenti ka thënë se AKP-ja duhet të veprojë vetëm sipas ligjit”, ka thënë një zyrtar i Presidencës.

Ndërkohë, edhe AKP-ja e ka konfirmuar takimin e anëtarëve të Bordit me presidentin Thaçi. Ata kanë thënë se me Hashim Thaçin kanë folur për rritjen e zhvillimit ekonomik përmes privatizimit, duke mos jap përgjigje se cili ka qenë qëndrimi i presidentit Thaçi për vendimin e Qeverisë për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore. “Agjencia mban kontakte të rregullta me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës pra edhe me institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës në përpjekjet dhe angazhimin për të arritur efektet maksimale në zhvillimin ekonomik të vendit përmes procesit të privatizimit”, është thënë në përgjigjen e AKP-së dërguar “Express” më 30 nëntor derisa pyetjet i janë përcjellë më 23 nëntor.

Edhe në mbledhjen e Qeverisë, kur është miratuar vendimi për ndaljen e procesit të privatizimit të tokave bujqësore, ka pasur kundërshtime nga ana e Ministrave të PDK-së. Burime të Express kanë treguar se përplasja e Qeverisë me AKP-në po ndodh pikërisht pse disa anëtarë të Bordit të kësaj agjencie janë duke mos pranuar të zbatojnë një vendim i sponsorizuar nga Qeveria e udhëhequr prej Ramush Haradinajt.

Më herët, në Qeverinë e kaluar, ishte propozuar që të hartohej një Ligj i cili do t’i bënte prona të shtetit të gjitha tokat bujqësore të paprivatizuara. Prej pasluftës deri tash janë privatizuar diku rreth 28 mijë hektarë tokë bujqësore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kampionët e Golden States fituan 127-123 ndaj Lakersave, një ndeshje…