Veseli: Kosova, partner i besuar në koalicionin global kundër terrorizmit

26 maj 2018 | 18:06

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në tryezën për ekstremizmin e dhunshëm dhe kthimin e luftëtarëve të huaj, që po mbahet në Tiranë, në kudër të Lutjeve të Mëngjesit, ka thënë se Kosova shquhet për masa preventive të pjesëmarrjes së të rinjve nëpër veprimtari terroriste dhe luftëra të huaja.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, në cilësi të panelistit, Veseli përmendi një varg masash konkrete që ka ndërmarrë Kosova në trajtimin ligjor të rasteve të dyshimta.

Në këtë kuadër, Veseli përmendi miratimin nga Kuvendi të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit dhe atij për parandalimin e financimit të organizatave terroriste.

Duke u kthyer në gjenezën e këtij problemi në Kosovë, Veseli kujtoi tendencat e organizatave të ndryshme për indoktrinimin e të rinjve menjëherë pas luftës.

Kreu i Kuvendit tha se kjo situatë është menaxhuar suksesshëm, në koordinim të ngushtë me partnerët perëndimorë, posaçërisht atyre amerikanë, deri në shpërthimin e konfliktit në Siri.

Veseli bëri të ditur se Kosova aktualisht është duke punuar në një program institucional shumë dimensional që ka për qëllim deradikalizimin e personave që kanë marrë pjesë në konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme.

“Institucionet po punojnë që të trajtohen dhe të mos kenë vazhdimësi të veprimtarisë që kanë pasur më herët. Aleati më i madh i institucioneve tona në këtë drejtim janë vetë të rinjtë e Kosovës dhe besimi tyre në vizionin euro-atlantik”, theksoi Veseli.

Ai po ashtu përmendi edhe raste konkrete të trajtimit ligjor dhe dënimeve gjyqësore që janë dhënë ndaj elementëve të tillë.

“Jemi të zotuar se do të jemi të pa-kompromis në këtë drejtim. Nuk do të lejojmë askënd të vijë dhe të na mësojë mënyrën e jetesës tonë dhe të na ndërrojë mënyrën e sjelljes sonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke kërkuar njëkohësisht nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë veprime inkurajuese për qytetarët e vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe…