Veseli: Sektori i teknologjisë informative do të mbështetet edhe më shumë

24 janar 2018 | 11:17

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për teknologjinë informative, e cila këtë vit ka trajtuar temën “Sulmet kibernetike dhe privatësia”.

Ai ka thënë se Kosova ka rini të talentuar me ide inovative, e cila do të mbështetet për të shfrytëzuar sektorin e teknologjisë informative, si mundësi e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Interesi i drejtpërdrejtë nacional është që potencialin dhe pasionin e të rinjve tanë për IT ta shndërrojmë në industri të IT-së, e cila pastaj jo vetëm krijon vende pune për të rinjtë tanë, por njëkohësisht u mundëson atyre të krijojnë vende pune edhe për të tjerët”, ka thënë Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se në fushën e teknologjisë informative, janë aktivizuar shumë djem e vajza të talentuar dhe institucionet e Kosovës, siç ka thënë ai do t’u ndihmojnë edhe më shumë për zhvillimin e këtij sektori.

“Gjatë turit tim të dëgjimit kam takuar djem e vajza shumë të talentuar në këtë fushë. Kam vizituar kompani të ndryshme shumë të suksesshme të teknologjisë dhe jam fascinuar me dijen dhe suksesin e tyre. Duke parë këtë, ka qenë insistim i imi që të themelojmë Ministrinë e Inovacionit. Ky dikaster ju dedikohet vetëm juve dhe përmes buxhetit të saj ju do të mbështeteni për të realizuar idetë e juaja. Por kjo nuk do të jetë e vetmja formë e mbështetjes. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjitha këto iniciativa tuajat edhe në forma të ndryshme, që përfshijnë sa më shumë të rinj të vendit tonë, e që janë me interes të veçantë për vendin tonë”, ka thënë Veseli.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryeparlamentari Veseli ka folur edhe për sigurinë kibernetike.

“Industria kibernetike mbetet jashtëzakonisht e fokusuar në konfidencialitet. Thelbësore është siguria, jo vetëm personale por edhe institucionale dhe shtetërore”, ka deklaruar Veseli.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talentet më të ndritshme të Evropës shtrihen shumë përtej kufijve…