Veseli: Do të jemi me komunitetin egjiptian në sfidat që kemi përpara

22 qershor 2018 | 13:13

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot qytetarë të komunitetit egjiptian, në kuadër të shënimit të Javës egjiptiane në Kosovë.

Ai ka thënë se Kosova është shtet ku të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve që kanë, qofshin ato etnike, apo religjioze, ndihen të lirë dhe të barabartë.

Sipas Veselit, në Kosovë çdo komunitet ka mundësinë të përfaqësohet në institucionet më të larta, pra edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Komuniteti egjiptian ka dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin e bashkëjetesës ndëretnike, e cila i bën nder sot vendit tonë në botë. Është fakt se si çdo komunitet tjetër edhe egjiptianët e Kosovës ballafaqohen sot me sfida e probleme, të ngjashme me ato të krejt qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar ai, duke shtuar se ka rëndësi vendimtare fakti se në Kosovë ekziston një bazë e shëndoshë kushtetuese dhe ligjore për t’i mundësuar secilit qytetar, të çdo komuniteti, që të dëgjohet zëri i tij dhe njëkohësisht të jetë pjesë e zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit.

“Unë ju uroj festën, duke shprehur gatishmërinë time të plotë për të qenë me ju në sfidat që keni përpara”, ka thënë Veseli, në adresimin e tij para qytetarëve të komunitetit egjiptian.

Kurse kryesuesi i delegacionit nga Egjipti, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të Javës egjiptiane, Zahi Hawass, ka folur për rolin e femrës në politikëbërje dhe udhëheqje dhe për forcimin e lidhjeve midis Kosovës dhe Egjiptit.

Ndërsa deputeti Veton Berisha, ka theksuar se komuniteti egjiptian në Kosovë ka qenë në anën e shtetbërjes dhe të shtetndërtimit, ndërsa shtoi se Kosova është modeli më i mirë i mundshëm i trajtimit dhe përfaqësimit të komuniteteve pakicë.

Paraprakisht, kryeparlamentari Veseli priti në një takim të veçantë delegacionin nga Egjipti, të kryesuar nga Hawass.​

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë është zyrtare. Pete Davidson dhe Ariana Grande janë fejuar.…