“Vesikat” turke dhe vizat evropiane peshojnë rëndë mbi kurrizin e shqiptarëve të Kosovës

20 mars 2018 | 11:01

Hakif Bajrami

Në vitin 1957 afro 27.2 për qind e popullsisë Kosovës jetonte në varfëri të skajshme. Me gjithë atë shpërngulje, “vesikat” për shpërngulje disi ishin bërë shpresë se diçka do të ndryshojë nga ajo gjendje ekonomike për 85 për qind të popullsisë, e cila duhej të jetonte me sintagmën se “të gjithë janë të barabartë në varfëri”. E kasta e burokratëve totalitarë jetonte jetë pashallarësh.

Tani, në vitin 2018, rreth 41 për qind e popullsisë së Republikës Kosovës jeton në varfëri të skajshme, edhe pse, sipas elitës politike, “të gjithë duhet të jenë të kënaqur”, sepse drejtuesit e tyre janë milionerë morbidë, edhe pse me të drejtë tani nuk është e ndaluar të jesh i pasur, por ajo duhet të objektvizohet.

E objketivizimi i të varfërve, afro 87 për qind e popullit nuk është i sigurt në punë, nuk ka sigurim social, nuk ka punë shoqërore dhe private sa kërkon ai 87-përqindëshi dhe dalja nga kjo gjendje kërkohet me ikje masive nga shteti. Prandaj vizat po propagandohet se janë shpresa e të varfërve dhe të uriturve, e atyre që kanë bërë vetëvrasje dhe atyre që nuk gjejnë rrugëdalje.

Si është e mundur që 9 deri në 10 për qind e popullsisë jeton në luks të skajshëm, ndërsa ajo shtresë e luksit është më e zëshmja që duhet të japim tokë për viza. E sa vlen ajo tokë e sa ka vlerë ajo nëntokë, batakxhinjtë në pushtet nuk janë duke e llogaritur.

A nuk i përngjan kjo sintagmë ogurzezë kohës së vitit 1989, kur disa lakej ulërinin: “me ndryshimet kushtetuese nuk humbim asgjë”.

Shtrohet pyetja ku jeton burokracia jonë fund e krye e korruptuar? Ka Zot, por ka edhe gjyq të historisë që do t’i lansojë atje ku e kanë vendin, në plehun e historisë. Po ata mendojnë se janë “shpëtimtarë”. Të shohim.

Qytetarët e Kosovës janë në pozitë “kritike” duke u marrë që katër vjet me fenomenin e vizave, të cilat BE-ja i ka kushtëzuar me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, të cilit shtet duhet t’i falet tokë. Ky kusht i ratifikimit është një rrenë ordinere, sepse pesë shtetet e BE-së Republikën e Kosovës nuk e pranojnë.

E vërteta, në anën tjetër, Mali i Zi ka probleme kufitare me Kroacinë në det dhe në tokë (Prevllakë). Por, për këto shtete as që është përmendur në ndonjë forum të BE-së çështja e rregullimit të kufijve Kroaci – Mali i Zi.

Në titull e theksova nocionin “vesika”. Është fjala për një sëmundje infektive që ishte iniciuar nga qarqet e UDB-së jugosllave pas marrëveshjes xhentëlmene Tito-Kyprili në Split më 1953, për deportimin e shqiptarëve në Anadoll. Në fakt, kjo marrëveshje ishte një lloj ratifikimi ilegal i Konventës jugosllave-turke nga viti 1938, kur shqiptarët do të detyroheshin për t’u shpërngulur, sepse po i “kërkonte Republika e Turqisë”. Pra, më 1938 për shqiptarët e pambrojtur mbaron etapa e dëbimit nga Mbretëria Jugosllave. Por nga viti 1938 deportimi ka kuptim shkencor, se Jugosllavia më nuk është “fajtore”, por strehuese e shqiptarëve (turqve), që nuk ishin ndierë kurrë të tillë sepse nuk e dinin asnjë fjalë turke.

Nga viti 1953 e deri më 1966 në viset shqiptare të okupuar nga Jugosllavia mbretëronte një epidemi e dhunës. Në dasmë, odë, xhami, kafene, apo të pame, tubim qytetar etj., çështja e “vesikave” ishte biseda e parë dhe e fundit. Ai që i merrte vesikat, nëse në pasaportë i shkruante me numra dhe me fjalë se sa do të qëndrojë pala në Turqi, atëherë kjo formë e përshkrimit ishte shenjë që poseduesi i vesikës nuk mund të kthehej më kurrë në vendlindje.

Krejt ndryshe është situata me vizat evropiane. Por edhe në rastin e parë edhe në rastin e dytë shqiptarët po detyrohen të paguajnë “haraç të dyfishtë”, dëmin e të cilit do ta peshojë koha pas dhjetë vjetësh, kur kjo gjeneratë e politikanëve dorëlirë për falje territori nuk do të mbetet në funksione. Atëherë do të fillojë hetimi dhe penalizmi i tyre, por esenca e penalizmit do të mbetet çështje insufiencale ose atrofi biografike.

Familje të tëra (1953-1966) e linin bagëtinë dhe pasurinë për t’i paguar agjentët e Beogradit (avokatët), për t’i siguruar “vesikat”.

Sipas dokumenteve që i kam hulumtuar gjatë viteve 1978-1982 në Shkup, para se të fillonte “kolera” vdekjeprurës për shqiptarë, më 1953, për shpërngulje në Anadoll, aty vepronin vetëm 9 (nëntë) avokatë. Por më 1960/65 në këtë qytet (deri më 1965), si më i madhi lokalitet shqiptar, vepronin 129 avokatë, kryesisht serbë dhe pjesërisht maqedonë. Kishte raste, sidomos më 1957 kur në një “vesikë” hynin deri në 137 anëtarë të “familjes” ose i tërë fshati. Tjetër çështje është a janë shpërngulur të gjithë. Kështu, nëpër komuna ishin vënë në veprim shumë agjentë të paguar nga Shtabi i Rankoviqit. Ishte krijuar edhe fronti tjetër nga ata që punonin në emër të “dinit dhe imanit” për t’u “rehatuar në vendin ku çdo lokalitet ka xhami”.

Nuk propagandonin këta ogurzi se a kanë ato lokalitete shkolla shqipe. Me fjalë të tjera, propaganda dhunuese e komploteve dhe krimeve të UDB-së po merrte përmasa të një epidemie shfarosëse. Nga dhuna shtetërore, deri më 1966 nga konsullatat dhe ambasadat e Turqisë u kërkuan dhe u lejuan 415 137 “vesika”. Shtabi i Rankoviqit, sidomos më 1957, i fërkonin duart se “Jugosllavia do të sllavizohet e tëra për një kohë fare të shkurtër”.

Çka tha Mulla Hajriz Bllaca në Dumnicë të Llapit më 1956?

Mulla Hajriz Bllaca në Dumnicë të Llapit më 1956 ka mbajtur një ligjëratë në oborrin e xhamisë. Në mes të tjerash, ku ishin rreth 3 000 pjesëmarrës, Hoxha famëlartë tha: “Xhematë i nderuem, sante të gjithë shpirtat, trupat e të cilëve kanë vdekë, zbresin në ish vatrat e tyne. Ata pasardhës të shpirtave sot, që i lëshojnë vatrat e veta, ata shkojnë (vdesin) pa imamë, sepse i kanë tradhtue paraardhësit dhe do të tradhtojnë gjithmonë. Mos i tradhtoni ma se ky truall asht i joni, kjo tokë asht e jona”. Isha i pranishëm si fëmijë në atë eveniment për kuriozitet. Aty i kam ndier të pranishmit pas ligjëratës së hoxhës, pra të gjithë ata që ishin të pjekur në moshë duke thënë se: ‘Me asnjë çmim nuk do t’i lëshojmë shtëpitë tona. S’ka shpërngulje, s’ka vesika!’.

Shumë prej tyre e thoshin edhe këtë: ‘I kam nxjerr vesikat, por posa të shkojë në shtëpi do t’i shqyej. Nuk ia la vendin tim askujt ma’.

Dhe ai fjalim kishte rëndësi më të madhe se çdo propagandë e UDB-së, duke thënë se: ‘Në Turqi çdo gjë shkëlqen’. Atëbotë disa injorantë të shitur për para, kalëronin nëpër çdo lokalitet, duke propaganduar se: ‘Prej sot lejohen vesikat. Pas tri ditësh ulërinin: u mbyllë dera, nuk jepen ma vesikat’. Natyrisht, këtë e bënin për ta siguruar efektin pas një jave apo një muaji me thirrjen, zakonisht në ditët e pazareve dhe nëpër xhamia: ‘U çel dera, po jepnin vesika’! Dhe kështu kjo epidemi zgjati deri në vitin 1966. Po sot ku jemi?”

A po përsëritet historia dhe dikush po e luan rolin e ish-UDB-së në 2018-n?

Sot nuk e besoj se Mali i Zi, pas ratifikimit, duke marrë parasysh pozitën që ka pushteti, në të ardhmen do të pranojë korrigjime. Në Kosovë, në anën tjetër, çështja e vizave (sot) është bërë sërish një sëmundje infektive për të gjithë ata që kanë mentalitet feudal, me moton se: “Vetëm Kosova në Evropë nuk i ka vizat!” Po të na lejoheshin vizat, rinia do të shkollohej në Evropë (dhe do ta shtroja pyetjen: Po atëherë pse janë themeluar me dhjeta universitete publike dhe private në çdo komunë në Kosovë dhe me lejen e kujt? Pra, krejt me qëllim univerzitetomania ka ndodhur  që disa politikanë t’i punësojnë familjarët në ato institucione, të lulëzojë pra nepotizmi, ku ato institucione po prodhojnë analfabetë e që, në fakt, janë shkolla gjysmëfiktive; dhe prapë dikush tjetër po del dhe po propagandon se po të kishim leje të vizave, gjë që do të ishte shumë mirë, njëherësh do të duhej poseduar një kulturë për t’i treguar botës se e duam vendin tonë, mbi të gjitha dëshirat. Por, prapë injorant politikani, del dhe thotë se “populli do të lëvizte po të lejoheshin vizat dhe do të zvogëlohej papunësia etj…”.

Shtrohet pyetja, a është ai popull që e bojkotoi UÇK-në në vitin 1987-1999 falë propagandës meskine… Si ta çlirojnë Kosovën nja 25 000 luftëtarë, e pjesa tjetër bënte pallën e sefasë nëpër kafene atëbotë.

I mbani në mend ato skena, lexues të asaj dhe kësaj kohe. Këto realitete propagandistike sot nuk janë duke u analizuar në dubiozë, se për çfarë shkaku BE-ja nuk ia lejon Kosovës vizat? Së pari, qarqet udhëheqëse i kanë vizat dhe në asnjë rast nuk e shtrojnë këtë problem seriozisht në Bruksel.

Bile ka zëra që kërkesë njëfarë Catherine Ashton i kanë bërë Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, duke e lidhur me si kusht “ratifikimin e demarkacionit” të montuar ilegalisht, veprim ky që nuk ka shembull të tillë në tërë BE-në. Po Mali i Zi çfarë probleme ka me Kroacinë në Prevllakë qe 26 vjet dhe atyre nuk iu servua ky kusht. Çfarë problemi ka Maqedonia me Greqinë dhe nuk iu servua kurrfarë kushti për viza etj.

Fenomeni i dytë, që BE-ja heziton t’ua japë vizat banorëve të Republikës Kosovës, është arratisja e shqiptarëve në shkallë masive në vitin 2014, kohë ajo kur është dashur të depërtojnë në vendet e BE-së të gjithë dëshmitarët e mbrojtur të Gjykatës Speciale. Dhe shtrohet një pyetje indikative a frikësohet dikush sot në BE se po t’u lejohen vizat shqiptarëve do të mbetej Kosova me vetëm një milion banorë?! Sepse, nga 2 milionë sa i kishte në vitin 1992, sot mezi janë 1 milion e gjysmë?!

Shkurt edhe në rastin e parë edhe në rastin e dytë, BE-ja i mbanë “frejtë” fuqishëm në dorë dhe për këtë sindromë të arratisjes së shqiptarëve. BE-ja i ka informatat nga agjentet e saj këtu, të cilët i dinë të gjitha fotografitë e atyre që frekuentojnë nëpër ambasada dhe konsullata për viza, sepse sipas tyre Kosova: “duhet të jetë një koloni moderne, një vend i mbikëqyrur, ku ata marrin paga marramendëse, të trefishta krahasuar me vendet e tyre të pasura”.

Natyrisht se kjo ndodhë me fajin e heshtakëve tanë, që nëpër kuvendet e BE-së vetëm salutojnë, duke i siguruar kolltukët e veta, duke e “kullotë” mirë çdo funksion dhe duke mos zbritur nga froni thua se janë faraonë.

A nuk janë këta sojë i komunistëve të cilët nuk zbritnin më nga froni deri në vdekje dhe për ta nuk ka pasur asnjë vlerë, as Kushtetuta, e as ligjet, përjetësisht, sikurse për këta “demokratët që vjedhin si në orkestër kudo që u lejohet “grepi”. Madje, ka prej tyre që në çdo nënshkrim të venë nga Rambujeja (1999) e deri me sot (2018) në shkallë ordinere kanë tradhtuar vendin dhe në anën tjetër hiqen si “shpëtimtarë”.  Dhe, po u shkon kungulli mbi ujë sepse e kanë shitë mbi gjysmën e Kosovës, kanë bërë pafra, dhe me to blejnë çdo gjë, madje edhe pozitat në votime, kuptohet nga anëtarësia e tyre partiake (42 për qind e votuesve dalin në zgjedhje dhe këta i lutën Zotit që kjo shifër të jetë konstante, se po të dilte në zgjedhje edhe ajo pjesa 58 për qind, këta analfabetë do të kishin zëri vlerë në nepotizëm. Kjo ndodhë sepse një pjesë jo e vogël e popullit është totalisht jashtë rrjedhave, ose dëshiron të mbetet  shumë e painformuar. Kjo shtresë rekrutohet nga ata që thonë: “S’ka hesap për ta punuar tokën, s‘ka hesap për të punuar punë të rënda, duhet largohemi nga këtu”. Pra vetëm duam viza e atje nuk e dinë se do të jetojnë në kontejnerë, një kohë e pastaj do të deportohen.

Në mes “vesikave” për t’ u arratisë në Turqi, sepse nga viti 1938 shpërngulja ishte bërë deportim, sepse Turqia i kërkonte me dokument (Konventë nga 1938) ndërkombëtar dhe më pushteti okupator nuk ishte “fajtor”, por ai që i pranonte!. Po tani kush po i deporton shqiptarët. Askush, sepse BE-ja nuk po pajtohet të zbrazët Kosova, që dikur ishte syri i Shtabit të Rankoviqit: Tito, Rankoviq, Koloshevski, Cervenkovski etj.) E sot, cili është Shtabi i zbrazjes së Kosovës, ai që padukshëm vepron njësoj, madje me vetëdije. Ai shtab, mjerisht ka emër dhe mbiemër, por është maskuar rreth demarkacionit dhe korrupsionit. E ky fenomeni i fundit është zero vlerë në krahasim  me korrupsionin në 85 për qind të shteteve të BE-së.

Realiteti më 1953-1966 ishte se viset shqiptare duhej të sllavizohen, ndërsa më 2014-2018 vizat kërkohen në bazë të lëvizjes së lirë të qytetarëve, si normë civilizuese. Në fakt diskriminimi i qytetarëve të Kosovës po ndodhë jo për demarkacion e korrupsion, por për shkak se pesë shtete të BE-së nuk na njohin. Kështu qytetarët nuk janë të informuar se sa duhet veprimet e pushtetarëve të jenë transparentë. Përndryshe puna “ndër tezgë” si ka ngjarë deri më tash ka krijuar konfuzion dhe dezinformim në popull. Realiteti është ky, prandaj populli duhet të informohet drejtë dhe pa prapavijë.

Demarkacioni nuk duhet të shërbejë si kusuritje se duhet të japim tokë për të fituar viza. Lidhur me këtë çështja e vizave mbetet disi një vrimë e zezë e vesikave, kur duhej lënë tërë pasurinë, ky popull i pambrojtur, dje, por edhe sot, me fajin e tregtarëve të flamujve.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nga radhët e Partisë Demokratike…