“Me Vetëvendosje deri në Vetë(fundosje)”

15 dhjetor 2017 | 12:44

Vllazrim Krasniqi

Mon Balaj dhe Arben Xheladini dhe së fundmi Astrit Dehari, janë “Heronjtë” që sakrifikuan për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kauzën e saj. Ajo që gjithë kohën e dëgjonim nga lideri dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje si kauzë dhe ide ishte: “Me Vetëvendosjen bashkohet Kombi Shqiptar, me Vetëvendosje shkapet shteti i kapur, me Vetëvendosje mbrohet sovraniteti i Kosovës, me Vetëvendosje qytetarit i kthehet dinjiteti, etj., etj.”.

Ndërkaq, kulmi i motos erdhi në përmbyllje të fushatës qendrore ku “lideri shpirtëror” Albin Kurti, thërriste për votë dhe betohej “Me mendje e me zemër”. Po filloj nga Moni, Arbeni dhe Astriti, duke qenë kureshtar se çka mund t’u thonë familjarëve të këtyre “heronjve” udhëheqësit e VV-së? Si mund t’ua mbushin mendjen tash familjeve që humbën më të dashurit e tyre në moshën më të mirë, për kauza të rreme dhe artificiale?

Po Dardan Molliqaj, protagonist i cili kishte kontakte më të afërta me Astrit Deharin, cila është përgjigjja e tij për ish-aktivistin e ndjerë Astrit Dehari? Të vazhdojë tutje me kauzat, që në fakt kohët e fundit na shfaqen si një realitet iluziv, që shumë mendje të moshave të reja ua shpëlau trurin me një kauzë që nuk dallon shumë nga skenarët e filmave të Hollivudit, apo me çfarë tjetër?

A u kënaqën mjaft duke ndërtuar kauza nga mangësitë dhe paaftësitë e pushteteve gjatë gjithë këtyre viteve? A u vetëmjaftuan duke sharë, linçuar e vjellë vrer ndaj secilit që ishte, qoftë në pozitë apo edhe në opozitë, ndaj gjithë atyre që nuk ishin me mendësinë e tyre iluzioniste e revoltuise!? Pra me një fjalë çdokush dhe çdo gjë ishte krim dhe kriminel, vetëm pse nuk ishte në anën e tyre.

E unë po i pyes dhe jam kureshtar ta di, ashtu siç janë edhe shumë të tjerë si unë; kush në anën e kujt është sot në Lëvizjen Vetë(fundosje)!? Të dalim te kauzat e tyre siç ishte “Bashkimi Kombëtar”. Sa “neveritëse” kjo kauzë që ua shpëlau trurin shumë qytetarëve. E tash, sot kush me kë po ndahet edhe po qëndron bashkë me Lëvizjen Vetë(fundosje)?

U terrorizuan gjithandej qytetarët e Kosovës nga thirrjet akuzuese të VV-së, ku vazhdimisht akuzohej dhe terrorizohej opinioni në mbarë Kosovën për kapje shteti, duke linçuar çdo figurë politike që nuk mbante anën e tyre politike, me piketimin “kriminel apo klani printo”. Po sot, në Lëvizjen Vetë(fundosje), kush nga cili po e shkap Lëvizjen Vetë(fundosje) nga kapja? Kë do ta piketojnë këta iluzionistë me piketimin “kriminel apo klani printo”.

Po klanin në Vetë(fundosje) si do ta piketojnë? Me Vetëvendosje, u thanë qytetarëve, se do t’i kthehet dinjiteti vendit dhe gjithë qytetarëve. Po sot, tani ku qëndron dinjiteti i të gjithë atyre në Lëvizjen Vetë(fundosje), që me kauza të kamufluara rrëmbyen votën e tyre, e që sot po e fundosin Lëvizjen bashkë me dinjitetin e tyre! Dje, sot edhe nesër me Lëvizjen Vetëvendosje çdo gjë drejt FUNDOSJES!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grup ekspertësh nga KFOR-i kanë mbajtur një trajnim për…