Vetëvendosje për fishekzjarrët: Mos ia merrni frymën qytetarëve në Prishtinë

14 korrik 2018 | 17:24

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar parandalimin e hedhjes së fishekzjarrëve në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në kuadër të koncertit të bankës ProCredit.

LV ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës, nga Qeveria dhe nga Policia e Kosovës që të bëhet publike leja për këtë aktivitet në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare.

Kjo parti po ashtu ka kujtuar premtimet për uljen e ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe thotë se në vend që të përmirësohet cilësia e ajrit, po lejohen aktivitete që kontribuojnë në përkeqësim të gjendjes.

Ky është reagimi i plotë i LV-së:

Aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë janë njoftuar sot nga autoritetet se në kampusin universitar pranë Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, në koncertin promovues që planifikohet të mbahet sot nga një bankë komerciale, është parashikuar që të hidhet rreth një ton fishekzjarre.

Gjatë këtij viti, sipas matjeve zyrtare, është konfirmuar se qyteti i Prishtinës është një prej qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Janë premtuar shumë masa nga Komuna e Prishtinës dhe Qeveria për ta ulur ndotjen e ajrit në kryeqytet. Prandaj, është shqetësues fakti që në vend se të përmirësohet cilësia e ajrit më masa të ndryshme, kuptojmë se lejohen aktivitete që kontribuojnë në përkeqësimin e gjendjes.

Ne kërkojmë nga Komuna e Prishtinës, nga Qeveria dhe nga Policia e Kosovës që të jenë transparentë dhe ta bëjnë menjëherë publike lejen e dhënë për këtë lloj aktiviteti bashkë me emrat e zyrtarëve përgjegjës që e kanë miratuar këtë leje. Për më shumë, ne kërkojmë të merren masa të menjëhershme për parandalimin e ndotjes së mëtejshme të ajrit në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Brendshme i ka dhënë leje Bankës…