Vlera e kredive në Kosovë arriti në 2.39 miliardë euro

26 dhjetor 2017 | 15:31

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vlerësimin e tremujorit të dytë (TM2), kreditë e sektorit bankar vazhduan ecurinë pozitive të rritjes për vitin e katërt me radhë, duke shënuar rritje vjetore prej 10 përqindësh në qershor të 2017-s.

Sipas këtij raporti, vlera e kredive ka arritur gjithsej në 2.39 miliardë euro në periudhën raportuese, kryesisht si rezultat i ofertës së lehtësuar kredituese. “Vlera e gjithsej aseteve të sistemit financiar të Kosovës arriti në 5.56 miliardë euro në qershor 2017, që paraqet një rritje vjetore prej 9.6 përqindësh. Në zgjerimin e aseteve të sistemit financiar kontributin kryesor vazhdojnë ta kenë rritja e sektorit bankar dhe atij pensional, përderisa kontributi i institucioneve të tjera ishte mjaft i ulët.

Në qershor 2017 asetet e sektorit bankar shënuan rritje vjetore prej 7 përqindësh, duke arritur në 3.67 miliardë euro. Rritja e aseteve të sektorit bankar vazhdon të mbështetet kryesisht në përshpejtimin e rritjes së aktivitetit kreditues. Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend”, thuhet në raportin e BKQ-së. Sipas këtij raporti, kreditë e sektorit bankar vazhduan ecurinë pozitive të rritjes për vitin e katërt me radhë, duke shënuar një rritje vjetore prej 10 përqindësh në qershor 2017. “Vlera e kredive gjithsej arriti në 2.39 miliardë euro në periudhën raportuese, kryesisht si rezultat i ofertës së lehtësuar kredituese”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, kreditë e ekonomive familjare kanë normën më të lartë të rritjes. “Stoku i kredive ndaj ekonomive familjare vazhdon të jetë kategoria me normën më të lartë të rritjes në gjashtë vjetët e fundit. Në qershor 2017 kjo kategori shënoi rritje vjetore prej 12.5 përqindësh. Ndërsa kreditë e reja të lëshuara për ekonomitë familjare u karakterizuan me ngadalësim të rritjes. Këto kredi shënuan rritje vjetore prej 2.3 përqindësh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 (18.7 për qind në periudhën e njëjtë të vitit 2016).Ngadalësimi i rritjes së kredive të reja për ekonomitë familjare u ndikua kryesisht nga zvogëlimi i portofolit të kredive të reja konsumuese. Kreditë ndaj ndërmarrjeve përshpejtuan ritmin e rritjes në periudhën raportuese. Kreditë e reja të lëshuara për ndërmarrje shënuan rritje të theksuar gjatë kësaj periudhe (29.5 për qind) kundrejt rënies vjetore me të cilën u karakterizuan në vitin paraprak (17.4 për qind). Rritja e theksuar e kredive të reja për ndërmarrje ishte kryesisht rezultat i rritjes së kredive të reja investuese dhe joinvestuese, kryesisht të destinuara për sektorin e industrisë dhe të shërbimeve”, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin e TM2, duke u bërë me dije se kreditë për ndërmarrje tregtare vazhdojnë ta mbajnë primatin.

“Struktura e kredive të ndërmarrjeve sipas veprimtarive ekonomike vazhdon të mbetet e dominuar nga kreditë e destinuara për sektorin e tregtisë. Krahasuar me periudhën paraprake, kreditë për sektorin e shërbimeve të tjera rritën pjesëmarrjen për 2.7 pikë përqindje, kurse kreditë e destinuara për shërbimet financiare u tkurrën për 3.1 pikë përqindje. Në qershor 2017 kreditimi i sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë shënoi rritje. Rritje vjetore të kreditimit shënuan veçanërisht sektori i ndërtimtarisë, prodhimtarisë dhe i tregtisë, që së bashku përfaqësojnë 71.8 për qind të gjithsej kreditimit për ndërmarrjet. Kurse me rënie u karakterizuan sektori i shërbimeve financiare, energjetikës dhe bujqësisë, që së bashku përfaqësojnë rreth 9 për qind të gjithsej kreditimit të industrisë, pasuar nga kreditë investuese (15.3 për qind). Sipas sektorëve ekonomikë, kreditë e reja ndaj sektorit të industrisë dhe shërbimeve shënuan rritje të theksuar vjetore prej 46.1, përkatësisht 21.4 për qind deri në qershor 2017. Kurse kreditë e reja ndaj sektorit të bujqësisë për të dytin vit me radhë vazhduan trendin rënës”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton “Epoka e re”

Sipas këtij raporti, struktura e detyrimeve të sektorit bankar dominohet nga depozitat që përbëjnë 78.7 për qind të gjithsej detyrimeve dhe burimeve vetjake. “Depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të aktiviteteve të sektorit bankar. Kategoria e burimeve vetjake të sektorit bankar u karakterizua me rritje vjetore prej 13.4 përqindësh, kryesisht si rezultat i rritjes së vlerës së fitimit aktual dhe fitimit të mbajtur në 45.6, përkatësisht 129.6 milionë euro (37.7 përkatësisht 88.2 milionë euro në qershor 2016). Depozitat në sektorin bankar të Kosovës shënuan rritje vjetore prej 7.2 përqindësh, ritëm ky i përshpejtuar krahasuar me periudhat paraprake (4.6 për qind në qershor 2016). Vlera e gjithsej depozitave, deri në qershor 2017, arriti në 2.89 miliardë euro”, është thënë në raportin e BQK-së, duke u shtuar se niveli i depozitave në sektorin bankar reflekton ecurinë e depozitave të ekonomive familjare, të cilat dominojnë strukturën e gjithsej depozitave dhe në periudhën raportuese shënuan rritje vjetore prej 5.4 përqindësh. “Në gjysmën e parë të vitit depozitat e ndërmarrjeve shënuan rritje të përshpejtuar vjetore prej 14.1 përqindësh, që mund të jetë ndikuar nga rritja e normës mesatare të interesit në depozitat për ndërmarrjet. Sipas kategorive të depozitave, depozitat e transferueshme vazhduan ta rrisin pjesëmarrjen në strukturën e gjithsej depozitave, por me ritëm më të ngadalësuar krahasuar me periudhën e njëjtë të dy vjetëve paraprake.

Në anën tjetër, depozitat e kursimit dhe ato të afatizuara zvogëluan pjesëmarrjen që mund t’i atribuohet deri në një masë normës së ulët të interesit që po mbizotëron në depozita. “Pas dy vjetëve të ngadalësimit të rritjes, depozitat në sektorin bankar në qershor 2017 përshpejtuan ritmin e rritjes. Depozitat e transferueshme vazhdojnë ta dominojnë strukturën e depozitave, përderisa të afatizuarat dhe të kursimit zvogëluan pjesëmarrjen në gjithsej depozitat”, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin e tremujorit të dytë 2017.
A.MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tottenham Hotspur është treguar skuadër bindëse në ndeshjen ndaj Southamptonit,…