Xhaferi: Ligji për gjuhën shqipe do të zbatohet në përpikëri

12 janar 2018 | 16:51

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xheferi, është shprehur i bindur se Ligji për gjuhën shqipe në këtë shtet do të zbatohet pikë për pikë.

Ai ka thënë se me këtë veprim Kuvendi i Maqedonisë ka bërë një hap të rëndësishëm për përmbushjen e të drejtave legjitime të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Xhaferi ka thënë se ky hap kontribuon në forcimin e demokracisë.

“Rëndësia e tij është shumë e madhe, sepse mundëson komunikimin e shqiptarëve me institucionet shtetërore qendrore në gjuhën amtare, në gjuhën shqipe. Pra, është një hap i rëndësishëm për përmbushjen e të drejtave legjitime të shqiptarëve të Maqedonisë, i cili do të kontribuojë për forcim të demokracisë dhe harmonisë etnike në Maqedoni”, ka thënë Xhaferi.

Ai ka bërë me dije se ligji parasheh edhe normat ndëshkuese për moszbatimin eventual të tij.

“Ligji tashmë është miratuar dhe kjo është e rëndësishme, kurse tani mbetet zbatimi praktik i tij, që nënkupton angazhimin e të gjithëve që ky ligj të zbatohet në përpikëri. Jorastësisht ligji në fjalë parasheh organ mbikëqyrës të zbatimit të normave ligjore dhe, po ashtu, ka norma ndëshkuese për moszbatimin eventual”, ka thënë Xhaferi.

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë ka vlerësuar se respektimi i të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet nënkupton marrëdhënie të relaksuara ndëretnike dhe stabilitet politik të brendshëm.

“Jo vetëm kjo qeveri, por edhe qeveritë e mëhershme e kanë kuptuar që sa më seriozisht që merren me të drejtat e qytetarëve, përshirë edhe qytetarët shqiptarë këtu, nënkupton se vendi të këtë marrëdhënie të relaksuara ndëretnike, të ketë stabilitet politik të brendshëm, në mënyrë që të mund të koncentrohet në veprimet politike për aspektet ndërkombëtare të raporteve të qeverisë kundrejt iniciative euroatlantike për integrim në ato struktura”, është shprehur kryeparlemantari Xhaferi.

“Epoka e re”: Z. Xhaferi, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Projektligjin për gjuhën shqipe. Cili është komenti juaj për këtë veprim të Kuvendit?
Xhaferi: Tani është përmbyllur një procedurë e përshkruar ligjore për miratim të ligjit. Pro këtij ligji kanë qenë 69 deputetë të Kuvendit të Maqedonisë, duke përfshirë të gjithë deputetët e partive shqiptare dhe ata të koalicionit LSDM. Me këtë veprim është përmbyllur procedura e miratimit të ligjit. Tani ligji i është drejtuar kreut të shtetit për dekretim, i cili brenda 10 ditëve duhet ta dekretojë atë. Më pas presim që ky ligj të zbatohet.

“Epoka e re”: Çfarë rëndësie do të ketë ky ligj për shqiptarët e Maqedonisë?
Xhaferi: Rëndësia e tij është shumë e madhe, sepse mundëson komunikimin e shqiptarëve me institucionet shtetërore qendrore në gjuhën amtare në gjuhën shqipe. Pra, është një hap i rëndësishëm për përmbushjen e të drejtave legjitime të shqiptarëve të Maqedonisë, i cili do të kontribuojë për forcim të demokracisë dhe harmonisë etnike në Maqedoni.

“Epoka e re”: Pse miratimi i këtij ligji nuk është bërë më herët, meqenëse ai ka rrjedhur nga Marrëveshja e Ohrit?
Xhaferi: Procedurat parlamentare janë të tilla. Ligji ka qenë në procedurë të rregullt. Ka qenë leximi i parë dhe leximi i dytë. Pastaj debati që është zhvilluar në parlament ka qenë një procedurë demokratike parlamentare, ku janë shtjelluar qëndrime rreth këtij ligji. Ndërsa me votimin e së enjtes janë përmbyllur të gjitha procedurat.

“Epoka e re”: Me miratimin e këtij projektligji nënkupton se kjo qeveri e ka më seriozisht të merret me të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet?
Xhaferi: Jo vetëm kjo qeveri, por edhe qeveritë e mëhershme e kanë kuptuar që sa më seriozisht që merren me të drejtat e qytetarëve, përshirë edhe qytetarët shqiptarë këtu, nënkupton se vendi të ketë marrëdhënie të relaksuara ndëretnike, të ketë stabilitet politik të brendshëm, në mënyrë që të mund të koncentrohet në veprimet politike për aspektet ndërkombëtare të raporteve të qeverisë kundrejt iniciative euroatlantike për integrim në ato struktura.

“Epoka e re”: Tani zbatimi praktik i këtij projektligji si do të shkojë?
Xhaferi: Ligji tashmë është miratuar dhe kjo është e rëndësishme, kurse tani mbetet zbatimi praktik i tij, që nënkupton angazhimin e të gjithëve që ky ligj të zbatohet në përpikëri. Jorastësisht ligji në fjalë parasheh organ mbikëqyrës të zbatimit të normave ligjore dhe, po ashtu, ka norma ndëshkuese për moszbatimin eventual.

“Epoka e re”: Si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë besoni se në përpikëri do të zbatohet ky ligj?
Xhaferi: Patjetër se ky ligj do të zbatohet në përpikëri, sepse nuk ka alternativë tjetër.

“Epoka e re”: Deputetët e VMRO-s nuk kanë qenë në sallë gjatë votimit të këtij projektligji. Pse ka ndodhur kjo?
Xhaferi: Nuk kam koment për ta. Ka kohë që ata nuk marrin pjesë në seanca plenare për shkak të marrjes së imunitetit të deputetëve dhe burgosjes së disave lidhur me ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar. Aspektet e qasjes së tyre kundrejt ligjit ata i kanë shtjelluar në debatin që është bërë në lexim të parë dhe të dytë. Kështu që, nuk ishte pengesë fakti që ata nuk ishin në sallë, sepse shumica parlamentare vendosi për miratimin e këtij ligji.

“Epoka e re”: Si po shkon partneriteti qeverisës mes BDI-së dhe LSDMS-së?
Xhaferi: Për çështjen e partneriteteve partiake në qeverisje duhet t’u drejtoheni subjekteve politike. Unë jam kryetar i parlamentit, i cili përbëhet nga të gjitha subjektet politike qeveritare dhe jashtëqeveritare.

“Epoka e re”: Cilat janë prioritetet e Kuvendit të Maqedonisë për këtë vit?
Xhaferi: Prioritetet janë përcaktuar me proceset e miratimit të ligjeve reformuese nga sfera e drejtësisë dhe sigurisë. Pastaj, përpjekjen për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së emrit për anëtarësim në NATO. Po ashtu, jemi në pritje të raportit të progresit në muajin prill nga Komisioni Evropian. Gjithashtu, ka edhe çështje të tjera që varen nga dinamika e punës së deputetëve dhe qeverisë.

“Epoka e re”: Pritet të miratohet ndonjë tjetër ligj që ka të bëjë me të drejtat e shqiptarëve?
Xhaferi: Ligji kryesor që ka pasur të bëjë drejtpërdrejt me shqiptarët ka qenë ky për përdorim të gjuhës dhe ai është miratuar, ndërsa projektet e tjera nuk mund t’i ndajmë në konceptim etnik, sepse ato kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët në përgjithësi.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nesër (…