Zeka: Bisedimet me Cungun përfundojnë këtë javë

21 dhjetor 2017 | 17:23

Armando Cungu ose një trajner nga jashtë vendit pritet të jetë pasardhës i Gani Sejdiut te Trepça ’89. “Ekzistojnë kontaktet me trajnerin Armando Cungu. A do të jetë pjesë e jona apo jo nuk mund të themi tash për tash. Gjasat për të arritur marrëveshje me trajnerin Cungu janë 50-50, kurse përfundimisht do të dihet deri në fund të kësaj jave se a do të na bashkëngjitet”, ka thënë Abedin Zeka, president i ’89-shit.

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re”, se skuadra kampione është duke zhvilluar bisedime për angazhimin e trajnerit nga Shqipëria, Armando Cungut, në krye të shtabit teknik.

’89-shi edicionin 2016/2017 e nisi me Zekrija Ramadanin në krye por, pas rezultateve të dobëta, u shkarkua trajneri nga Maqedonia për t’u zëvendësuar me Gani Sejdiun, i cili, po ashtu, u largua pa përfunduar sezoni vjeshtor.

“Ekzistojnë kontaktet me trajnerin Armando Cungu. A do të jetë pjesë e jona apo jo nuk mund të themi tash për tash. Gjasat për të arritur marrëveshje me trajnerin Cungu janë 50-50, kurse përfundimisht do të dihet deri në fund të kësaj jave se a do të na bashkëngjitet”, ka thënë Zeka, duke treguar se në cilat pika janë të interesuara e në cilat jo. “Për çështjen financiare jemi pajtuar, por e vetmja pengesë deri tash është largimi nga familja”, ka deklaruar ai.

Presidenti Zeka më pas tregoi se trajneri i ri i Trepçës ’89 do të jetë jo trajner vendor. “Nëse dështon marrëveshja me trajnerin Cungu, kemi në opsion edhe disa trajnerë të huaj. Përfundimisht trajneri i ri do të jetë jashtë Kosovës”, ka thënë ai. “Shqipëria është në nivel më të lartë se Kosova sa iu përket trajnerëve, kurse në të kaluarën ishte Kosova. Lëvizjet e trajnerëve janë të mira, kurse më herët trajnerët tanë Rafet Prekazi, Bylbyl Sokoli dhe Afrim Tovërlani kanë postuar oferta nga klubet shqiptare”, ka deklaruar Zeka.

Në fund numri një i skuadrës nga “Riza Lushta” foli edhe për ndryshimet e mundshme në radhët e futbollistëve, duke mos e përjashtuar mundësinë të ketë afrime dhe largime.

“Jemi në bisedime me katër apo pesë futbollistë jashtë Kosovës. Nëse arrihet marrëveshja për transferimin e tyre, mund të ketë largime. Ndërsa për lojtarët që mund të gjejnë angazhim jashtë Kosovës, gjithmonë klubi ynë i ka pasur dyert e hapura dhe njëjtë do t’i ketë edhe në të ardhmen”, ka përfunduar Zeka. Duhet cekur se trajneri shqiptar Armando Cungu është 44-vjeçar dhe në karrierën e vet ka drejtuar klubet e Ada Velipojë, Kukësin, Laçin dhe Vllazninë e Shkodrës.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City është dridhur kundër Leicester në çerekfinalen e Kupës…