Zogiani: Sukseset e Nishevcit, mirënjohje për punën time 30-vjeçare

16 mars 2018 | 11:59

Sukseset e karateistit Herolind Nishevci po e bëjnë të lumtur trajneren Shqipe Zogiani, e cila ka thënë se ky është shpërblimi më i mirë për punën e saj 30 vjeçare në këtë sport. “Vite me radhë Herolind Nishevci është ndër karateistët më cilësor të Kosovës. Komiteti Olimpik i Kosovës dy vjetët e fundit e shpalli sportist të vitit dhe kjo për mua është mirënjohja më e mirë e mundshme për angazhimin tim gati 30-vjeçar në karate”, ka thënë Zogiani për “Epokën e re”.

Fotografia e Herolind Q. Nishevci

Herolind Nishevci, pas sukseseve në arenën ndërkombëtare, për të dytin vit me radhë është vlerësuar Sportisti i Vitit nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Këto rezultate të karateistit Nishevci, trajnerja Shqipe Zogiani i ka vlerësuar si mirënjohjen më të madhe për punën e saj në sportin e karatesë për tridhjetë vjet. “Vite me radhë Herolind Nishevci është ndër karateistët më cilësor të Kosovës. Komiteti Olimpik i Kosovës dy vjetët e fundit e shpalli Sportist të Vitit. Kjo për mua është mirënjohja më e mirë e mundshme për angazhimin tim gati 30-vjeçar në karate. Është konfirmim i mirënjohjeve të deritanishme për rezultatet në vazhdimësi të arritura në nivelet më të larta botërore të karatesë. Me Herolindin i sollëm Kosovës shumë gëzime në rrafshin sportiv. Medalja e parë botërore, por edhe rezultate të tjera siç ishte vendi i pestë në botë, mandej vendi i pestë në Evropë. Këtyre sukseseve mund t’ia shtojmë edhe dhjetëra medalje të çmueshme nëpër arenat dhe rangjet më të larta botërore. Para pak ditësh në Serinë A ai e fitoi edhe Medaljen e Artë dhe dëshmoi se me të vërtetë kemi punuar gjatë periudhës së kaluar dhe me meritë jemi ngritur në majat e karatesë botërore. Aktualisht është në 10-shën botërore dhe për mua nuk ka diçka më të vlefshëm”, ka thënë Zogiani.
Pas shpalljes për herë të dytë Sportist i Vitit, Herolind Nishevci ia atribuoi këtë sukses publikisht trajneres Shqipe Zogiani, kurse kjo e fundit ka thënë për gazetë se Herolindi ia ka kthyer në mënyrën më të mirë mundin që ka bërë për ta kalitur në mesin e sportistëve më të mirë në botë. “Ky sportist në mënyrën më të mirë ma ka kthyer angazhimin tim si trajnere në sportin e karatesë. Është sportist dhe person i shkëlqyeshëm, punëtor i madh dhe njeri i sinqertë. Është ndjenjë e mirë kur sportisti yt publikisht të shpreh falënderim dhe mirënjohje për mundin, kohën, streset, telashet dhe sfidat e ndryshme të cilat janë të shumta gjatë karrierës së gjatë në karate”, ka shtuar ajo.

Fotografia e Shqipe Zogiani
E pyetur për sukseset e reja që Nishevci mund t’i sjellë Kosovës, Shqipe Zogiani është përgjigjur: “Herolindi është në kulm të karrierës, aktualisht ndër më të mirët në botë i ranguar nga Federata Botërore e Karatesë. Besoj se Kosovës do t’i sjellë edhe shumë suksese të tjera. Aktualisht është në betejën për të fituar normën olimpike, por edhe pse është e vështirë për shkak se shanset u janë zvogëluar karateisteve sepse vetëm 10 nga dy kategoritë +84 dhe -84 kg do të mund të kualifikohen. Megjithatë, betejat e shumta janë përpara si evropiani, botërori, mediterani dhe kampionati ballkanik. Besoj se nga këto gara do të kemi medalje nga Herolindi”.

Plot kritika për Federatën e Karatesë

Trajnerja Shqipe Zogiani është një kritikuese e madhe e njerëzve që e drejtojnë Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK). Ajo ka treguar se ka edhe argumente pse nuk është e kënaqur me punën e tyre. “Nga një federatë prestigjioze në botë, në bazë të sukseseve botërore, evropiane dhe atyre ballkanike, në 15 muajt e fundit është shndërruar në një Federatë pa suksese. Kam pritur shumë, por qasja është e gabuar. Dalja në arena ndërkombëtare të rangut elitar, me numër enorm të garuesve pa kurrfarë cilësie, ka humbur prestigjin e karatesë. Shumë garues, asnjë rezultat”, ka thënë Zogiani.
“Në evropianin në Sochi udhëtuan 22 garues. Prej tyre 13 janë eliminuar me të parën. Ky është dekurajim edhe për ata pjesëmarrës. E njëjta po ndodh edhe në aktivitetet e tjera, ku sportistët më të dobët në Kosovë po dalin në arena të forta të karatesë. Kështu nuk arrihet cilësia. Pa konkurrencë të mirëfilltë brenda Kosovës s’do të kemi karate të mirë e as rezultate. As një kamp apo seminar për karateistë. As një mjeshtër i huaj i karatesë nuk u ftua në ndonjë seminar”, është shprehur Zogiani.

Fotografia e Kosovo National Olympic CommitteeMë tutje, Zogiani ka treguar se karateistët e klubit të saj po i vlerëson bota, kurse të kundërtën po e bën Federata e Karatesë. “Nishevci, i radhitur në mesin e më të mirëve në botë, nuk është në mesin e dhjetë më të mirëve në Kosovë. Alvin Karaqi, gjithashtu fitues i Medaljes së Artë Evropiane për Universitete, kampion i Kosovës dhe fitues i shumë luftërave në Premierë, i radhitur lart në ranglistën botërore, nuk është në dhjetëshe. Në dhjetëshe mungon edhe Orges Arifi, fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare”, ka deklaruar Zogiani që ka edhe kritika të tjera për FKK-në.
Trajnerja Shqipe Zogiani nuk është e kënaqur me hapësirën dhe anashkalimin që i është bërë trajnerit Fehmi Mahallen. “Për këtë rast dikush duhet të japë përgjegjësi. Ai ka dhënë kontribut të madh. E detyruan të largohet nga Përfaqësuesja e Kosovës”, përfundoi Zogiani.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Telekomi i Kosovës përmes një njoftimi për medie ka njoftuar…