Zyrtare: Të dielën mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes

15 dhjetor 2017 | 16:08

Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni, ka bërë me dije se të dielën duke filluar nga ora 11:30 do të mbahet mbledhja e këtij këshilli.

“Duke pasur parasysh obligimet statutore dhe kërkesat e proceseve funksionale që lidhen edhe me detyrimet ndaj KQZ-së, në përputhje me dispozitat dhe nenet e Statutit, si dhe me praktikat e funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të Përgjithshëm, ju njoftoj për mbajtjen e mbledhjes së XXXI-të të Këshillit të Përgjithshëm këtë të diel, data 17 dhjetor 2017. Kërkesat e përsëritura për thirrjen e mbledhjes së Kryesisë, në të cilën, pos të tjerash do të merrej edhe vendimi për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, për të bërë edhe shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk patën marrë përgjigjen e kërkuar. Sot paradite, në cilësinë e Kryesuesit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!, kam marrë nënshkrimet e mbi 2/3 të delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm për të mbajtur mbledhje të këtij organi më të lartë vendimmarrës ditën e diel, data 17 dhjetor 2017”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, kërkesa e nënshkruar nga shumica dërrmuese e delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm është e rregullt dhe në përputhje me Statutin e Lëvizjes Vetëvendosje! si dhe me Rregulloren e Organeve Vendimmarrëse.

“Rrjedhimisht, mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do të mbahet ditën e diel, data 17 dhjetor 2017, në ‘American School of Kosova (ASK)’, në Prishtinë, në ora 11:30. I ftoj të gjithë delegatët e Këshillit të Përgjithshëm të marrin pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme të organit më të lartë vendimmarrës të Lëvizjes Vetëvendosje. Shpreh përcaktimin, vullnetin dhe besimin që edhe kjo mbledhje të zhvillohet në një klimë normale, në frymë demokratike, konstruktive, konsoliduese në pajtim me traditën e pasur dhe idealet e larta të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Hyseni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një…